Ndërlidhjet

Incidenteve kriminale të mos u jepen ngjyrime ndëretnike


Shkup, dhuna e shkaktuar pas vrasjes së maturantit maqedonas

Shkup, dhuna e shkaktuar pas vrasjes së maturantit maqedonas

Vrasja e maturantit maqedonas nga një bashkëmoshatar i tij shqiptar dhe incidentet e shumta që pasuan këtë ngjarje, por edhe ato që kanë ndodhur më parë, sipas njohësve të çështjeve ndëretnike, janë edhe një dëshmi se në Maqedoni shumë pak është investuar në rritjen e besimit ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha në vend.

Sipas tyre, incidenteve, qoftë edhe më banale, edhe më tej u jepen konotacione ndëretnike, nëse autorët e tyre u takojnë komuniteteve të ndryshme, ndërkohë që për incidentet e shumta që ndodhin mes vetë komuniteteve në fjalë, thuajse askush nuk ngrit zërin.

Vllado Dimovski nga Qendra për tolerancë ndëretnike, thotë se vrasja e maturantit maqedonas, është nxitur nga motive banale e assesi nga ato ndëretnike.

Ai thotë se rasti është për t'u dënuar, por assesi të nxitet dhunë ndaj një komuniteti tjetër, vetëm për faktin se autori i takon atij komuniteti. Vrasja është kryer për motive banale dhe konsideron se këtë gjë të gjithë duhet ta kenë parasysh.

“Vrasja e maturantit nuk është e nxitur nga motive etnike. Ky rast, nuk duhet në asnjë moment të shërbejë për prishjen e raporteve ndëretnike, pasi thjesht kemi të bëjmë me krim dhe krimi si i tillë nuk njeh kombësi, fe apo diçka tjetër".

"Raste të tilla nuk duhet të përsëriten, tensionet duhet të ulet dhe qytetarët të sillen me koka të ftohta dhe rastet si ky që ka ndodhur, t'i zgjidhin institucionet dhe jo të nxiten mosdurime etnike. Provokime mund të ketë, por nevojitet veprim më efikas i institucioneve për të menaxhuar me kohë çdo situatë të mundshme”,
konsideron Dimovski.

Osman Kadriu, ekspert për çështje juridike dhe ish-kryetar i Komitetit të Helsinkit, thotë se kjo që po ndodh në Maqedoni, është absurde - që incidenteve qoftë edhe banale t'u jepet konotacioni ndëretnik vetëm për faktin se autorët janë të etnive të ndryshme.

“Nuk duhet që të gjitha incidentet të kualifikohen se kanë karakter ndëretnik, grindje mes kombit maqedonas dhe atij shqiptar. Në raste të tilla duhet të jemi shumë të kujdesshëm në kualifikimin e këtyre incidenteve, e sidomos organet që duhet të ndërmarrin masa për ndjekje penale dhe kundërvajtëse. Pra, nuk duhet që edhe rasteve më banale t'u jepen konotacione ndërentike”, vlerëson Kadriu,duke shtuar se kualifikimet e tilla kanë për qëllim ngritjen e tensioneve dhe pas tyre qëndrojnë qarqe të caktuara që vazhdimisht punojnë për arritjen e qëllimeve të tyre destabilizuese.

Mirjana Malevska, njohëse e marrëdhënieve ndëretnike dhe ligjëruese në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, gjithashtu shpreh shqetësimin e saj për gjendjen e krijuar, në veçanti për faktin se në Maqedoni thuajse çdo grindje, qoftë edhe nga ato më banalet, shihet në prizmin e raporteve ndëretnike.

Ajo thotë se rastet e tilla dëshmojnë se institucionet apo shoqëria nuk ka bërë thuajse asgjë për kultivimin e bashkëjetesës ndërmjet dy komuniteteve më të madha në vend.

“Kjo është shumë e rrezikshme dhe njëkohësisht flet qartë se këtyre viteve të fundit, apo që nga viti 2001, kur ishte konflikti, nuk është bërë thuajse asgjë për ngritjen e besimit të ndërsjellë mes komuniteteve, në veçanti ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve. Faj për këtë bartin të gjithë, por më së shumti partitë që janë në pushtet".

"Ato lavdërohen me projekte të shumta, me investime e gjëra të tjera, por jam më se e bindur se asgjë nuk ka vlerë në këtë shtet, nëse vazhdojnë situatat e tilla, nëse nuk punohen për afrimin e njerëzve, nëse nuk punohet që njerëzit ta kuptojnë se krimi nuk ka përkatësi etnike e fetare, se krimi është krim
”, thotë Malevska.

Një rast i ngjashëm kishte ndodhur disa vite më parë, por atëherë viktima ishte një nxënës shqiptar që ishte therur për vdekje nga një i ri maqedonas, por në atë kohë nuk pati protesta apo dhunë ndëretnike, e cila viteve të fundit ka marrë përmasa shqetësuese.

Sipas një raporti të Komitetit të Helsinikit brenda një viti në Maqedoni janë regjistruar 116 incidente ndëretnike, por organet e rendit dhe të drejtësisë kanë arritur t'i zbardhin vetëm 27 prej tyre.
XS
SM
MD
LG