Ndërlidhjet

Eksporti mbulon importin vetëm me 11.4 për qind


Kultivimi i patates, Pestovë, Kosovë.

Kultivimi i patates, Pestovë, Kosovë.

Mosefikasitetit i instrumenteve të politikës ekonomike, ka bërë që Kosova në vazhdimësi të përballet me deficit të lartë tregtar. Të dhënat e fundit zyrtare të muajit mars, tregojnë për një deficit të lartë tregtar prej 179.3 milionë eurosh.

Importi në Kosovë kalon shifrën prej 2 miliardë eurosh në vit, derisa kontributi i eksporteve në volumin tregtar është shumë i ulët, rreth 200 milionë euro.

Eksporti i mallrave në muajin mars 2014, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës kap vlerën e 23.1 milionë eurove, ndërsa importi 202.4 milionë euro.

Eksporti mbulon importin vetëm me 11.4 për qind.

Këto të dhëna, sipas përfaqësuesve të bizneseve, tregojnë se Kosova nuk ka prodhim dhe rrjedhimisht nuk ka edhe zhvillim ekonomik.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se derisa në Kosovë nuk është prioritet zhvillimi ekonomik, nëpërmjet të cilit do të ngritej prodhimtaria, vendi do të vazhdojë të ketë këtë pozitë të pafavorshme tregtare.

“Deficitet tregtare që nga paslufta, janë të larta dhe kjo është një ndër problemet më të mëdha ekonomike që, për fat të keq, institucionet e Kosovë nuk e kanë parë këtë si dobësi shtetërore, për të krijuar politika më të mira për të ulur këtë deficit dhe për të ngritur konkurrencën vendore. Kjo ka bërë që ne të varemi nga importi dhe të ballafaqohemi me inflacion të lartë që po importohet. Kosova ka deficiti negativ tregtar me të gjitha vendet që ka raporte ekonomike tregtare”, thotë Shahini.

Kosova është shndërruar në treg konsumues duke importuar mbi 80 për qind të produkteve të ndryshme.

Sipas statistikave të tregtisë së jashtme për muajin mars, Serbia vazhdon të jetë importuesi kryesor në Kosovë, pasur nga Gjermania, Turqia, Italia, Kina , Greqia, Maqedonia e vende të tjera.

Në bazë të disa hulumtimeve të bëra nga shoqëria civile në Kosovë thuhet se deficiti i lartë tregtar mund të thellohet edhe më tej në të ardhmen, pasi që autoritetet e Kosovës kanë bërë lirime nga taksa për shumë produkte që vijnë nga vendet evropiane dhe hyjnë në Kosovë, por nuk kanë krijuar politika të favorshme për prodhimtarinë vendore.

Berat Thaçi nga Instituti për Hulumtime të Avancuar (GAP), në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se përgjegjës për deficitin e lartë tregtar në Kosovë, janë kushtet e vështira për të bërë biznes.

“Përgjegjës për deficitin e lartë tregtar është niveli i ulët i prodhimit në Kosovë, e kjo gjendje ka ardhur si pasojë e ambientit të pafavorshëm për të bërë biznes. Kosova vazhdon të ketë korrupsion të lartë dhe joformalitet që e dëmton konkurrencën e lirë. E gjithë kjo ka bërë që bizneset në Kosovë të dëmtohen dhe të mos jenë në funksion të zhvillimit ekonomik”, thekson Thaçi.

Krahasuar me vitet e para luftës Kosova kishte eksport shumë më të lartë se sa tani. Industria në Kosovë ishte në funksion të ekonomisë dhe kjo bënte që vendi të kishte çfarë të eksportonte.

Por, pas luftës, politikat ekonomike, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike në Prishtinë, nuk kanë qenë në favor të riindustrializimit në Kosovë.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG