Ndërlidhjet

Në Afganistan sulmohet konsullata indiane


Ilustrim

Ilustrim

Policia afgane ka njoftuar se së paku tre persona të armatosur e kanë sulmuar konsullatën e Indisë që gjendet në krahinën perëndimore Herat.

Sulmuesit, sipas policisë, kanë përdorur mitralozë dhe granata-hedhës.

Policia thotë se dy sulmuesit janë vrarë nga forcat afgane të sigurisë menjëherë pas fillimit të sulmit, derisa i treti ka vazhduar të gjuajë në drejtim të forcave afgane deri në orët e para të ditës së sotme.

Zyrtarët afganë bëjnë me dije se të gjithë punëtorët e konsullatës indiane ishin të sigurtë gjatë sulmit.

Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

India e ka ndihmuar Afganistanin në përmbysjen e regjimit talebanë ndërsa është dhuruesi më i madh i ndihmave humanitare në këtë shtet si dhe i rindërtimit të vendit.

India e ka të vendosura katër konsullata në tërë Afganistanin dhe atë në Herat, Mazar Sharif, Kandahar e Jalalabad.

Pakistani e akuzon Indinë se po i përdorë tërë këto konsullata kinse për projekte ndërtimi, me qëllim që të mbulohen operacionet e spiunimit.
XS
SM
MD
LG