Ndërlidhjet

logo-print

Jahjaga: Drejtësia të jetë e pandikuar politikisht


Atifete Jahjaga, foto nga arkivi

Atifete Jahjaga, foto nga arkivi

Institucionet e Kosovës duhet ta kthejnë besimin e qytetarëve, kurse drejtësia duhet të jetë e pandikuar politikisht, ka deklaruar presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, gjatë takimit të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, i cili drejtohet pikërisht nga shefja e shtetit.

Presidentja ka thënë me këtë rast se Kosova në parim është përcaktuar për tolerancë zero ndaj dukurive negative, siç janë krimi i organizuar dhe korrupsioni, ndërkaq ka theksuar se ka ardhur koha që ky përkushtim të tregojë rezultate përmes zbatimit të plotë të ligjeve.

Jahjaga ka kërkuar edhe zbatimin e reformave në sistemin e drejtësisë duke potencuar se askush në Kosovë nuk mund të jetë mbi ligjin.

Me gjithë përkushtimet e shprehura deklarativisht, Jahjaga ka thënë po ashtu se Kosova nuk ka arritur ende të tregojë se ka tolerancë zero ndaj dukurive negative, siç është krimi i organizuar dhe korrupsioni, e të cilat mbeten pengesat kryesore të integrimeve evropiane.

"Kemi kërkuar shumë mënyra për të vendosur parimin e tolerancës zero për korrupsionin, por ende nuk kemi treguar rezultat të bollshëm në këtë fushë. Luftimi i korrupsionit mbetet një ndër pengesat më të mëdha në përparimin drejt integrimeve euroatlantike. Sistemi i drejtësisë mbetet hallka më e rëndësishme në këtë proces", është shprehur Jahjaga.

Zonja Jahjaga ka ftuar të gjitha institucionet përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme të 8 qershorit që të dëshmojnë se mund të organizojnë zgjedhje të lira e demokratike, ngjashëm siç ishte vepruar në zgjedhjet komunale të vitit të kaluar.

"Ne sot jemi në një periudhë kur na duhet më shumë punë dhe veprim për të treguar jo vetëm gatishmërinë por edhe efektshmërinë e parandalimit të korrupsionit edhe në procesin zgjedhor".

"Vlerësoj se standardin e përcaktuar në shoqërinë tonë që prej zgjedhjeve komunale, duhet ta dëshmojmë edhe kësaj radhe, në zgjedhjet e 8 qershorit, për të garantuar një proces demokratik",
ka theksuar Jahjaga.

Për rëndësinë e organizimit të zgjedhjeve të lira e demokratike ka folur edhe ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracy Ann Jacobson. Ajo ka kërkuar që të gjithë ata që provojnë të cenojnë procesin zgjedhor të marrin dënimin e merituar dhe të përfundojnë nëpër burgje.

"Mendoj se kështu njerëzit do të besonin që qeveria e Kosovës është serioze në ndëshkimin e shkelësve të zgjedhjeve, duke i parë këta njerëz jo të lirë dhe jo me gjoba të vogla, por nëpër burgje dhe shpresoj që kjo do të ndodhë gjatë mandatit tim këtu", ka thënë Jacobson.

Ndihmën për organizimin e zgjedhjeve nga aspektet e sigurisë e kanë premtuar edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë. Shefi i misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX, Bernd Borchardt, ka premtuar ndihmën e misionit të BE-së për institucionet e Kosovës për çështjet që mund të kenë nevojë, përderisa komandanti i forcave paqeruajtëse në përbërje të KFOR-it, Salvadore Farina, ka thënë se forcat shumëkombëshe do të jenë të pranishme ditën e zgjedhjeve në pikat më të ndjeshme, duke nënkuptuar pjesën veriore të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG