Ndërlidhjet

logo-print

Fillon Java e Tolerancës dhe Pajtimit në Kosovë


Mbi 150 mysafirë nga afërsisht 50 shtete do të mblidhen në qytetin e Prizrenit nga 23 deri më 25 maj në konferencën e dytë vjetore ndërfetare që shënon fillimin e Javës së Tolerancës dhe Pajtimit në Kosovë, e cila do të realizohet nga 23 deri më 30 maj.

Respekti i vazhdueshëm dhe mirëkuptimi ndërmjet komuniteteve është prioritet për Kosovën duke u bazuar në historinë e gjatë të diversitetit fetar në vend të asaj të konfliktit të fundit, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Punimet e konferencës do të hapen nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga sot në mbrëmje.

Presidentja pritet të flasë lidhur me angazhimin e vazhdueshëm të Kosovës për harmoni në mes komuniteteve të ndryshme

Konferenca është organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës me përkrahjen e donatorëve ndërkombëtarë dhe partnerë nga shoqëria civile.

Gjithashtu, pritet të marrin pjesë mysafirë të ndryshëm, si Kardinali Renato Raffaele Martino, Kardinali Deacon në Vatikan, Budimir Loncar, ish-Ministër i Punëve të Jashtme i Jugosllavisë dhe Faisal Bin Abdul Rahman Bin Muaammar, Sekretar i Përgjithshëm i Qendrës për Dialog Ndërkulturor dhe Ndër fetar i Mbretit Abdullah Bin Abdulaziz.

Kjo ngjarje shënon fillimin e një serie të aktiviteteve gjatë Javës së Tolerancës dhe Pajtimit për të promovuar dialogun e vazhdueshëm dhe mirëkuptimin në Kosovë dhe më gjerë.
XS
SM
MD
LG