Ndërlidhjet

Maqedoni: Optimizëm për anëtarësim në NATO në shtator


Njohësit të proceseve integruese thonë se porositë e drejtpërdrejta të sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, drejtuar autoriteteve të Maqedonisë se “tani është koha për në NATO”, lidhen me disa zhvillime të kohës së fundit në vend dhe më gjerë.

Analisti Rizvan Sulejmani thotë se partitë politike, VMRO-DPMNE dhe BDI, të cilat shënuan fitore të thellë në zgjedhjet e fundit, kanë siguruar kontroll pothuajse absolut në të gjitha pushtetet, andaj dhe duhet të bartin përgjegjësi për zhbllokimin e procesit të integrimit.

“Ky pozicion i partive politike si VMRO-DPMNE dhe BDI u krijon hapësirë që të merren me këtë çështje, duke marrë përsipër sjelljen e çfarëdo vendimi dhe njëherësh mos të kenë frikë se opinioni publik nuk do t`i përkrahë".

"Aq më shumë kur kemi parasysh se opozita është në gjendje deliriumi në kuptimin se nuk është e konsoliduar dhe nga ana tjetër nuk pritet të ketë zgjedhje gjatë tre vjetëve të ardhshëm. Me këtë, çfarëdo rënie eventuale që mund të pësojë partia e kryeministrit Gruevski, do të ketë kohë të mjaftueshme për konsolidim të partisë”
, thotë Sulejmani.

Ndërkaq, Dimitar Mirçev, ish-diplomat dhe aktualisht këshilltar i presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, thotë se nuk sheh tone qortuese në fjalorin e sekretarit të NATO-s, përkundrazi, sipas tij, porositë e Rasmusenit paraqesin nxitje që gjatë muajve të ardhshëm derisa të mbahet samiti i NATO-s në Kardiv, shtatorin e sivjetmë të bëhen disa hapa pozitivë në favor të integrimit të Maqedonisë në strukturat euro-atlantike.

“Është evidente mbështetja në rritje e disa anëtarëve të NATO-s që kjo çështje të zgjidhet. Njëherësh, është krijuar një klimë pozitive edhe në BE, sa i përket fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në familjen evropiane. Personalisht, jam optimist se gjatë muajve të ardhshëm, deri në shtator, mund të aktivizohet ftesa për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO”, vlerëson Mirçev.

Nga ana tjetër, Rizvan Sulejmani thekson se thirrja e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, për lidership të guximshëm dhe vendosmëri nga ana e autoriteteve maqedonase, paraqet mesazh të qartë për Qeverinë edhe për aspektin e sigurisë së vendit.

“Ngjarjet në Ukrainë paraqesin një mesazh të qartë se shtetet multi-etnike që nuk janë të mbuluara në aspektin e sigurisë me një organizatë siç është NATO, shumë shpejt mund të bëhen pre e qendrave të caktuara të ndikimit, që në formë direkte ose indirekte shprehin interesa për ndikimin e tyre madje edhe në Ballkan”, tërheq vërejtjen Sulejmani, ligjërues i Marrëdhënieve Ndërkombëtarë në Fakultetin Juridik të Universitetit Shtetëror të Tetovës.

Ndryshe, të enjten, gjatë qëndrimit në Shkup, sekretari i NATO-s, u ka bërë një porosi të qartë autoriteteve të vendit se Maqedonia do të marrë ftesë për t’u anëtarësuar në aleancë atëherë kur do të gjendet zgjidhje e përbashkët për çështjen e emrit.

Rasmusen njëherësh ka inkurajuar autoritetet qeveritare që të vazhdojnë përpjekjet drejt gjetjes së zgjidhjes së kontestit për çështjen e emrit duke thënë se “koha është tani për në NATO”, si dhe duke u bërë thirrje të gjithë liderëve politikë të promovojnë dialog gjithëpërfshirës demokratik.
XS
SM
MD
LG