Ndërlidhjet

Abdixhiku: Derdhje parash dhe jotransparencë gjatë fushatës


 Lumir Abdixhiku
Lumir Abdixhiku
Qysh para fillimit të fushatës, shpenzimet e partive politike janë marramendëse dhe për këtë partitë politike duhet t’i bëjnë publike financat e tyre, thotë për Radion Evropa e Lirë, Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv në Institutin “Riinvest”.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Abdixhiku, jemi në prag të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme. Po vërehet se për dallim nga premtimet e fushatave të mëhershme, partitë politike zhvillimin ekonomik e kanë vendosur prioritet në programet e tyre. Pse po ndodh kjo?

LUMIR ABDIXHIKU
Fillimisht, është lajm i mirë që temat ekonomike po bëhet temë e debateve paraelektorale për dallim nga vitet e shkuara për kur çështjet politike, ato të integrimeve evropiane, apo për integrimeve në organizatat ndërkombëtare, shumë herë të parealizueshme, ishin temë qenësore e debateve politike.

Tash temat ekonomike kam përshtypje se bëhen prioritare për dy arsye: sepse partitë politike e kanë kuptuar se ekonomia është thelbi kryesor i problemeve në Kosovë - dhe sepse ka interes të qytetarëve për zgjidhjen e problemeve ekonomike.

Pra, zgjidhja e problemeve të papunësisë, varfërisë dhe të standardit të jetesës janë problemet kyçe, me të cilat ballafaqohen qytetarët kosovarë çdo ditë, më shumë se çështjet tjetra politike, ndërkombëtare që po ashtu janë të rëndësishme, çështjet ekonomike janë prioritare.

RADIO EVROPA E LIRË
Është koha e fundit për krijimin e vendeve të reja të punës, po deklarojnë thuajse të gjithë liderët e subjekteve politike, duke premtuar 150 - 200 mijë vende të reja të punës në katër vjetët e ardhshëm. Megjithatë, sa janë të realizueshme këto premtime?

LUMIR ABDIXHIKU
Pse ka premtime ekonomike, nuk do të thotë se ka edhe ide të mira ekonomike në këto zgjedhje nacionale. Pjesa më e madhe e partive politike bën mirë që orientohet në diskutime ekonomike, por shpeshherë këto diskutime ekonomike vijohen me eufori dhe me ngritje të premtimeve në përmasa që janë të parealizueshme për standardin ekonomik të Kosovës.

Pothuajse të gjitha partitë politike premtojnë 200 mijë vende të reja të punës, në një mandat katërvjeçar. Sado që duket një numër premtues dhe një numër i mirë, thjesht është i parealizueshëm për ekonominë e Kosovës.

Për të pasur një zhvillim ekonomik në përmasa që të krijojmë 200 mijë vende të punës, Kosova atëherë duhet të ndërrojë radikalisht, dhe ndërrimi radikal i Kosovës për këto 200 mijë vende të punës, do të thotë se ekonomia e vendit duhet të rritet 20 deri 25 për qind çdo vite. Kjo është e paarritshme, sepse asnjë vend tjetër në botë, asnjëherë në asnjë pjesë të historisë se njerëzimit nuk ka pasur rritje ekonomike për katër vjet nga 20 deri 25 për qind.

Dhe, ky premtim për 200 mijë vende të reja të punës, praktikisht është i parealizueshëm. Por, unë kam përshtypjen se partitë politike më tepër janë futur në një cikël të repetacionit të premtimeve, në të cilin premtimi bëhet valid vetëm nëse mund ai paraprak - pra ai (premtimi) i partisë tjetër. Dhe, në këtë mënyrë ky numër ka filluar me 70 mijë, është ngritur në 120 mijë, 150 mijë dhe ka përfunduar në 200 mijë. Një qasje e tillë elektorale kam përshtypjen se vetëm devalvon premtimet, jo se krijon ndonjë ide.

Meqenëse një llogaritje normale ekonomike, për secilin njohës ekonomik, por edhe për secilin qytetar, këto premtime janë të parealizueshme. Prandaj, nëse kemi ndonjë ide të mirë ekonomike brenda këtij diskutimi, shpeshherë bie brenda vrullit të euforisë së premtimeve dhe bëhet joserioz në sytë e votuesit.

RADIO EVROPA E LIRË
Përveç krijimit të vendeve të reja të punës, partitë politike po premtojnë rritje të pagave qind për qind. Me këtë zhvillim ekonomik sa ka mundësi të ketë një rritje të tillë?

LUMIR ABDIXHIKU
Fillimisht, për të rritur pagat, duhet të ketë produktivitet. Pra, për të rritur pagat duhet të ketë rritje të zhvillimit ekonomik. E dyta, për të bërë rritjen e pagave nuk mjafton vetëm përmirësimi i situatës në sektorin publik. Kosova ka rreth 85 mijë të punësuar në sektorin publik, por ka edhe deri 250 mijë në sektorin privat. Pra 60 për qind e të punësuarve në Kosovë janë të punësuar në sektorin privat. Dhe, sektori privat nuk i rrit pagat pse ka premtim qeveritar, por i rrit pagat sepse duhet të ketë një produktivitet, pra duhet të ketë rritje, performancë më të mirë ekonomike. Prandaj po them se të gjitha këto janë premtime paraelektorale, euforike, tingëllojnë bukur, 200 mijë vende punës, pagë mesatare 1000 euro... Premtime të tilla të natyrës së zbukurimeve ekonomike, duken bukur, por në thelb janë të thata, fatkeqësisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Po vërehet edhe një aderim nga komuniteti i biznesit në parti të ndryshme politike. Prisni ndryshime në aspektin ekonomik, ashtu siç po deklarojnë ata, apo diç tjetër...?

LUMIR ABDIXHIKU
Çështja e aderimeve në partitë politike është lajm i mirë, meqenëse do të ishte fatkeqësi nëse këto parti politike nuk do të hapeshin ndaj të tjerëve dhe këto hapje do të ndodhin ndaj komunitetit të biznesit, ndaj mediave dhe ndaj shoqërisë civile. Këto tri grupe, kam përshtypjen, janë grupet kryesore, me të cilat ushqehen partitë politike gjatë këtyre zgjedhjeve. Është shumë më mirë se sa herëve tjera kur politikanët punë të parë kishin politikën, së paku këta kanë një përvojë.

Inkuadrimi i njerëzve të biznesit është esencial, por duhet pasur kujdes që këta njerëz të mos inkuadrohen në politikë për t’i ndihmuar bizneset e veta, por duke hequr dorë nga bizneset e veta, sepse në qoftë se një biznesmen lidh politikën dhe shtetin, fuqinë e shtetin me gjithë mekanizmat e tij, me fatin e biznesit të tij, atëherë ai bën një keqpërdorim klasik të pushtetit për përfitime personale.

Fatkeqësisht, shumica e ideve të biznesmenëve që vijnë në fushatën paraelektorale janë të ndërlidhura me fatin e ndërmarrjeve të tyre - ata thonë unë do të vij në pushtet dhe do të menaxhoj me ndërmarrjen time, dhe do të bëj vende të reja të punës – ky është me të vërtetë keqpërdorim klasik.

Gjithsesi, bizneset kanë përvojë të mirë. Biznesmenët dinë të menaxhojnë njerëz, dinë të krijojnë vlerë dhe është mirë që këtë vlerë ta ngrenë në nivelin makro të Kosovës në mënyrë që të krijohen vende të reja të punës te bizneset tjera, e jo te bizneset e këtyre individëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, ne jemi dëshmitarë të asaj se biznesmenët e inkuadruar në politike kanë favorizuar bizneset e tyre dhe njëherësh kanë krijuar monopol në treg. Ka mundësi të ndodhë kjo?

LUMIR ABDIXHIKU
Ka një lidhje evidente ndërmjet politikës dhe bizneseve, partive politike dhe bizneseve. Pra, bizneset financohen nga pushteti nëpërmjet prokurimit publik dhe nëpërmjet tenderëve, ndërkaq partitë politike financohen nga këto biznese, rrjedhimisht krijohet një cikël i interesave të dyanshme. Natyrisht, nëse ky interes i dyanshëm vazhdon të jetë qenësor në relacionet e inkuadrimeve të bizneseve në politikë, atëherë do të ketë frikë për keqpërdorime të mëdha dhe krijime jo vetëm të monopoleve po edhe të konkurrencës së padrejtë në gjithë tregun kosovar. Këtë nuk duhet lejuar gjithsesi. Por secili rast duhet të trajtohet individualisht, dhe secili individ duhet të përgjigjet për bëmat e tij në inkuadrimin ose keqpërdorimin e fuqisë. Sa më larg biznesi prej të bërit pushtet, është më mirë të gjithë shoqërinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ende pa filluar fushata në mënyrë zyrtare, partitë politike kanë shpeshtuar aktivitetet e tyre në vende të ndryshme të Kosovës. Këto aktivitete kërkojnë shpenzime. Nga kush financohen partitë?

LUMIR ABDIXHIKU
Pjesa më e madhe e partive financohen nga bizneset e tyre. Nuk është çudi që Kosova në nivelin më të lartë të korrupsionit në Evropë, të mos ketë një financim indirekt të bizneseve të partive politike. Pra, të gjitha këto shpenzime që i shihni, pjesa më e madhe janë financime të bizneseve për shërbimet e marra më herët nga këto parti politike dhe kjo formë e klientalizmit, të themi, në mes të bizneseve dhe të partive politike shërben që paratë të jepen për parti me shpresën se të njëjtat do të mbesin në pushtet ose do të vijnë në pushtet në mënyrë që financuesit nesër të fitojnë.

Shpenzimet janë marramendëse. Gjithsesi do të ishte mirë që partitë politike të bënin publike financat e veta dhe kjo tregon ndoshta edhe shkallën e mosdemokratizimit të këtyre partive, fillimisht brenda vetes, përderisa premtojnë demokratizim të gjithë shoqërisë dhe shtetit kur të marrin pushtet.

Pra, është një fatkeqësi mbyllja e tillë e partive politike dhe deklarimi i mangët i financimit përderisa bëjnë shpenzime marramendëse gjatë fushatës dhe para fushatës zgjedhore. Kur kthehet prapë te një biznes i lidhur ngushtë me partinë politike ose me pushtetin ose me partinë në opozitë, le të themi, është keqpërdorim i pasurisë së qytetarëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Abdixhiku, pavarësisht premtimeve paraelektorale, sipas jush, ku duhet të orientohen politikat ekonomike të Qeverisë së re, për një zhvillim të përgjithshëm ekonomik?

LUMIR ABDIXHIKU

Duhet thënë se pjesa më e madhe e premtimeve orientohet te projektet madhore e tash projektet madhore, sado që janë të mira në aspektin e ngritjes së kapitalit, nuk janë të mira sa i përket ngritjes së vendeve të reja të punës, e që është problemi kryesor i qytetarëve të Kosovës. Pra, mund të investojmë në Trepçë , mund të investojmë në termocentralin e ri, në autostradë - të gjitha këto janë projekte madhore, por nuk sjellin vende të reja të punës. Të tria së bashku mund të sjellin diku rreth 15 mijë vende të reja të punës, e që është sa gjysma e të papunëve që ne krijojmë brenda një viti.

Pra, zgjidhja e vetme është orientimi drejt sektorit privat dhe drejt ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Kosovë, të cilat janë forca gjeneruese e secilit shtet modern. Ne mund të zvogëlojmë papunësinë nëpërmjet përkrahjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat sado që janë të vogla, me rritjen potenciale të një pjese të tyre, mund të krijohen vende të reja të punës.

Gjithashtu, ne duhet orientuar drejt sektorëve, në të cilët kemi potencial dhe përparësi krahasuese me vendet tjera dhe këta sektorë mund të jenë sektorët e përpunimit të ushqimit, bujqësia gjithsesi, sektori i IT-së dhe sektori i veshmbathjes. Këta, pra, janë sektorët, me të cilët Kosova mund të dallohet nga vendet tjera.
XS
SM
MD
LG