Ndërlidhjet

Shpejt marrëveshja për sigurimin e automjeteve


Edita Tahiri

Edita Tahiri

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës thonë se nga takimet e fundit, të cilat janë zhvilluar në Bruksel, lidhur me sigurimin e automjeteve në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shpejt mund të arrihet marrëveshje midis dy vendeve.

Zëvendëskryeministrja në largim e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, tha se qëndrimet e palëve janë përafruar, porse ende nuk ka marrëveshje konkrete.

“Gjërat janë afruar shumë, jemi shumë afër marrëveshjes. Unë pres që diku në pjesën e dytë të qershorit të kemi një takim trepalësh, ku do të marrë pjesë edhe pala serbe, dhe pres që të arrijmë marrëveshje apo një memorandum bashkëpunimi në mes të byrosë së Kosovës dhe të Serbisë, me garantimin e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Byrove Evropiane”, tha për Radion Evropa e Lirë zonja Tahiri, duke sqaruar se një marrëveshje e tillë do të krijojë kushte që sigurimi i automjeteve kufitare të zgjidhet sipas modeleve që ka Kosova me shtetet fqinje.

Kryesuesja e delegacionit nga Kosova, Edita Tahiri, tha se një marrëveshje tillë do të lehtësonte tarifat për sigurimin e automjeteve.

Ajo po ashtu tha se të pakënaqur me këto çmime janë si qytetarët e Kosovës, ashtu edhe ata të Serbisë.

“Unë jam optimiste se do të arrihet marrëveshja për sigurimet kufitare, e cila synon lehtësimin e tarifave për sigurimin e automjeteve, sepse deri tash tarifat janë shumë të larta për qytetarët e shtetit tonë dhe qytetarët e shtetit fqinj, Serbisë”, tha Tahiri.
XS
SM
MD
LG