Ndërlidhjet

Raportimi selektiv dhe joprofesional, nxit incidente ndëretnike


Ilustrim

Ilustrim

Raportimi selektiv dhe joprofesional i mediave për incidentet që po ndodhin viteve të fundit në Maqedoni, reflektohet në masë të madhe ndaj stabilitetit dhe raporteve ndëretnike në vend.

Kështu vlerësojnë ekspertët për çështjen të mediave duke komentuar raportimin e njëanshëm lidhur me incidentin e fundit në lagjen “Gjorçe Petrov” në Shkup, por edhe për incidentet tjera të kësaj natyre që kanë ndodhur periudhën e fundit.

Gjatë raportimeve mbi vrasjen e një 19-vjeçari, mediat shumë pak, për të mos thënë fare, nuk kanë informuar mbi shkaqet e vrasjes, por në plan të parë kishin përkatësinë etnike të vrasësit, që në këtë rast ishte shqiptar dhe të viktimës që ishte maqedonas.

Informimi i këtillë joprofesional që edhe çështjet më banale të trajtohen në prizmin e raporteve ndëretnike, sipas ekspertëve, reflektohet ndaj sigurisë së përgjithshme në vend dhe kjo u dëshmua me rastin e fundit kur për tri ditë me radhë pati protesta të dhunshme, demolime dhe sulme ndaj banorëve shqiptarë.

“Qasja ndaj çdo incidenti apo vrasje që ndodh në Maqedoni, është një qasje etnike. Pra, edhe kur raportohet për një krim shumë banal, siç ishte ky i fundit në ‘Gjorçe Petrov’, mediat në radhë të parë kanë parasysh atë se cilit etnitet i takon vrasësi, e cilit viktima".

"Mendoj se një raportim i tillë flet për nevojën që kanë mediat të edukohen dhe trajnohen se si të raportojnë në këto mjedise dhe si të raportojnë në përgjithësi në Maqedoni si shtet me shoqëri shumetnike dhe shumë-kulturore
”, thotë Xhelal Neziri, njohës i çështjeve politike dhe drejtues i Qendrës për gazetari hulumtuese.

Se mediat raportojnë në mënyrë selektive dëshmon edhe një rast tjetër me një familje shqiptare në një lagje tjetër të Shkupit, e cila në vazhdimësi sulmohet nga persona të entitetit maqedonas.

Për këtë rast, në vazhdimësi raportojnë mediat në gjuhën shqipe, por jo edhe ato në gjuhën maqedonase.

Biljana Petkovska nga Instituti maqedonas i mediave thotë se raportimi i këtillë i mediave është i dëmshëm dhe aspak informues, ndërsa në gjithë këtë, sipas saj, qëndron politika, e cila tashmë ka vendosur nën kontroll thuajse gjitha mediat në vend.

“Mendoj se bëhet fjalë për agjendë, të cilën ato po tentojnë që në mënyrën e tyre ta realizojnë. Kjo dëmton shumë informimin e drejtë të qytetarëve, të cilët duke u bazuar në raportime të tilla, edhe mund të marrin vendime që do të ishin të dëmshme dhe që mund të sjellim edhe më shumë dhunë, trazira e kështu me radhë”.

“Situatat e tilla normalisht që nxiten dhe shfrytëzohen nga parti të caktuara për realizimin e interesave të tyre, duke mos marrë parasysh pasojat nga një sjellje e tillë e papërgjegjshme”
, vlerëson Petkovska.

Edhe Xhelal Neziri thotë se politika ndikon në forma të ndryshme mbi kontrollin e mediave dhe raportimet e tyre në vend se të jenë në shërbim të qytetarëve ato vendosen nën diktatin e qendrave të caktuara politike.

“Vrasja që ndodhi në lagjen ‘Gjorçe Petrov’ në Shkup, u fut në agjendën politike, në agjendën e destabilizimit të Maqedonisë dhe kjo vrasje në atë mënyrë edhe u trajtua. Nga ana tjetër, kemi raportimin e mediave dhe të portaleve, që duke vrapuar pas ekskluzivitetit që të marrin vesh se kush është viktima e kush është vrasësi, ato publikuan të dhëna që mendoj se në shoqëritë shumetnike siç është Maqedonia, ku stabiliteti është lehtë i thyeshëm, duhej të kishin pak më tepër sens lidhur me situatën që do të krijohej”, vlerëson Neziri.

Në raportet e të gjitha organizatave ndërkombëtare Maqedonia kritikohet për liri të kufizuar të medieve, duke e radhitur në grupin me disa shtete afrikane dhe aziatike.
XS
SM
MD
LG