Ndërlidhjet

logo-print

Dizajnuesi i turpëruar i modës rikthehet në Rusi

  • Claire Bigg

Pasi është larguar nga qendra e vëmendjes për shkak të një videoje anti-semitike, dizajnuesi britanik i modës, John Galliano, është duke shënuar një rikthim.

Dizajnuesi i poshtëruar ka zgjedhur të rikthehet në sytë e publikut në Rusi, vendin që vetë është nën sulme të vazhdueshme të Perëndimit për shkak të aksioneve në Krime.

Galliano është emëruar formalisht drejtor i L’Etoile, një zinxhir rus i kozmetikës, gjatë një ceremonie më 22 maj, në një nga lagjet më ekskluzive të Moskës.

L’Etoile ka njoftuar për punën e re të Gallianos përmes një njoftimi për media, të titulluar “John është rikthyer”.

Kompania ka thënë se Galliano do të jetë përgjegjës për zhvillimin e brendit të saj brenda Rusisë.

Por, emërimi i Gallianos ka shkaktuar reagime të përziera. Disa komentatorë kanë vënë re vendosjen e dikujt me të kaluar antisemitike në Rusi, vendin që tani thotë se është mburojë kundër rigjallërimit të supozuar të fashizmit në Ukrainë dhe në Perëndim.

Rusia, e cila është përballur me kritika thumbuese nga Perëndimi për shkak të ndalimit të së ashtuquajturës propagandë homoseksuale, po ashtu duket zgjedhje e çuditshme për një homoseksual të hapur siç është Galliano.

L’Etolie, edhe pse është zinxhiri më i madh i kozmetikës në Rusi, me 850 degë në gjithë vendin, është ende larg shtëpive franceze të modës, që dikur kanë punësuar Gallianon.

Por, pas skandalit antisemitik që ka ndërprerë karrierën e tij 15-vjeçare në Christian Dior, dizajnuesi i turpëruar duket mirënjohës për punën e re.

“Kjo është një mundësi dhe një sfidë e madhe për mua. Mendoj se rezultatet do të jenë të bukura dhe frymëzuese”, ka thënë Galliano për agjencinë Itar-Tass.

Galliano, i cili konsiderohet si një nga dizajnuesit më të talentuar që janë gjallë, është kapur i dehur në një video, duke lavdëruar diktatorin nazist, Adolf Hitler, dhe duke fyer dy gra hebraike në një kafene në Paris.

“Unë e dua Hitlerin. Njerëzit si ju do të ishin të vdekur sot”, u ka thënë ai grave në incidentin e dhjetorit 2010.

Galliano më pas ka kërkuar falje për komentet e tij, duke thënë se kanë qenë rezultat i stresit të punës dhe abuzimit me drogë.

Franca i ka marrë atij medaljen e nderit, me të cilën e ka shpërblyer në vitin 2009.

Në një intervistë vitin e kaluar, ai ka thënë se është “mirënjohës” për turpin e tij, sepse e ka detyruar të luftojë varësinë nga droga dhe alkooli.

Kështu, derisa lidhjet e saj me Perëndimin po përkeqësohen me shpejtësi, Rusia ka marrë në mbrojtje perëndimorët që kanë probleme me qeveritë e tyre.

Aktori francez, Gerard Depardieu, ka marrë shtetësinë ruse vitin e kaluar, pas problemeve me taksa që ka pasur me autoritetet franceze.

Ish-kontraktori i inteligjencës amerikane, Edward Snowden, i kërkuar në vendin e tij për publikimin e mijëra dokumenteve të klasifikuara, ka gjetur po ashtu strehim në Rusi.

Por, derisa Snowden jeton në një vend të fshehtë në Rusi, John Galliano nuk duket se ka hequr dorë nga mënyra ekstravagante e jetesës në vendin e ri.

Dizajnuesi po qëndron në një hotel luksoz të Moskës, duke paguar një shumë jomodeste prej gati 12,000 dollarësh për një natë.

Për ironi, hoteli quhet “Ukraina”. (v.tela)
XS
SM
MD
LG