Ndërlidhjet

logo-print

Poroshenko shpall fitoren



Biznesmeni ukrainas, Petro Poroshenko, ka shpallur fitoren në zgjedhjet presidenciale në Ukrainë, të mbajtura të dielën.

Sipas exit-polleve, Poroshenko, i njohur si "mbreti i çokollatave", ka fituar më shumë se 55 për qind të votave në rrethin e parë.

Duke deklaruar fitoren, biznesmeni 48-vjeçar ka thënë se do të ndërtojë lidhje më të afërta me Bashkimin Evropian dhe se do të rivendosë paqen në rajonet e trazuara lindore.

Separatistët pro-rusë kanë penguar votimet në këto pjesë. Rreth 20 persona kanë vdekur në përleshjet e ditëve të fundit.

Në rajonet lindore të Donjeckut dhe Luhanskut është hapur një numër fare i vogël i qendrave të votimit.

Duke iu adresuar mbështetësve në Kiev, Poroshenko ka thënë se do të mbështesë zgjedhjet parlamentare që do të mbahen gjatë këtij viti.

Ai po ashtu ka thënë se nuk do të njohë kurrë "pushtimin rus" të Krimesë. Ky rajon është aneksuar nga Moska në muajin mars.

I pyetur për marrëdhëniet me Rusinë, ai ka deklaruar se për të ka rëndësi sovraniteti dhe integriteti territorial i Ukrainës.

Poroshenko është pronar miliarder i firmës së çokollatave Roshen dhe i një stacioni televiziv.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se zgjedhjet janë një hap i rëndësishëm në përpjekjet e Qeverisë së Ukrainës për të bashkuar vendin.

Zgjedhjet e së dielës janë thirrur pas përmbysjes së ish-presidentit Viktor Yanukovych në muajin shkurt nga protestat antiqeveritare.

Në zgjedhjet presidenciale kanë garuar 18 kandidatë, në mesin e tyre edhe ish-kryeministrja Yulia Tymoshenko. (v.tela)
XS
SM
MD
LG