Ndërlidhjet

Partitë ekstreme përfitojnë në zgjedhjet evropiane


Ilustrim, foto nga arkivi
Ilustrim, foto nga arkivi
Partitë radikale të krahut të djathtë dhe të majtë të spektrit politik duket se do t’i dyfishojnë përfaqësuesit e tyre në Parlamentin Evropian, që me gjasë, mund t’i forcojë zërat pro-rusë në PE.

Sipas rezultateve të para preliminare të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, që u shpallën të dielën vonë, partitë ekstreme nga e majta dhe e djathta, pritet se do t’i kenë deri në 160 vende në parlamentin me 751 ulëse, që paraqet një rritje në krahasim me vitin 2009, kur kishin 98 vende.

Megjithqë, partitë kryesore ende e kanë shumicën e rëndësishme për t’i miratuar legjislacionet, rritja e numrit të europ-arlamentarëve nga partitë ekstreme, duket se mund ta krijojë një platformë për më tepër mbështetje në zemër të Bashkimit Evropian për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Nëse këto parti ia dalin të formojnë parti politike, në spektrin e djathtë dhe të majtë, atëherë ato do të përfitojnë edhe financiarisht nga Parlamenti Evropian, duke fituar më tepër se një milion euro në vit.

Rezultatet preliminare tregojnë se partitë euro-skeptike të së djathtës ekstreme kanë fituar në Danimarkë, Francë dhe Britani, ndërsa ato nga e majta ekstreme kanë triumfuar në Greqi, që është e goditur nga kriza e rëndë financiare.

Në Francë, partia Fronti Kombëtar i lideres, Marine Le Pen, mund t’i fitojë 25 vende, që është përparim i madh në krahasim me zgjedhjet e vitit 2009, kur kishte fituar vetëm tri vende. Ky zhvillim mund të dërgojë valë shokuese shumë më larg se në Paris.
Marine Le Pen
Marine Le Pen

Marine Le Pen, që ka folur me admirim për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, ishte e entuziazmuar derisa shpalleshin rezultatet e para preliminare.

“Francezët më nuk duan që të drejtohen nga jashtë, t'u nënshtrohen ligjeve për të cilat nuk kanë votuar ose t’i respektojnë komisionarët evropianë, që nuk janë subjekt i legjitimitetit universal të votimit".

"Por, francezët tash e kanë bërë hapin e parë të ecjes së gjatë, por të domosdoshme kah liria, e cila do t'ua lejojë atyre ta ri-zbulojnë sovranitetin e tyre, do t’i çlirojnë ata nga kufizimet e kursimeve, krijimin e identitetit të tyre, i cili ishte abuzuar, dhe përfundimisht ta ri-zbulojnë vetveten si ata që kanë ardhur të parët në vendin e tyre”
, tha Marine Le Pen.

Në Britani, Partia e Pavarësisë e Mbretërisë së Bashkuar (UKIP) vlerësohet se do të fitoj para partive konservatore dhe laburiste dhe mund t’i trefishojë ulëset e veta në Parlamentin Evropian. Deri tash kjo parti i kishte tetë vende.

Lideri i kësaj partie, Nigel Farage, dëshiron që Britania të tërhiqet nga Bashkimi Evropian dhe, poashtu, ka deklaruar se BE-ja ka gjak në duart e veta, pas krizës në Ukrainë.

Pas shpalljes së rezultateve të para preliminare, ai përsëri e ka sulmuar ashpër perëndimin për mangësitë në lindje.

Nigel Farage
Nigel Farage
“Ajo që realisht më brengos është se ne kemi paraqitje të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian dhe, o Zot, unë nuk kam parë se kjo ka pasur ndikim në Ukrainë, për shkak të kursit të 10 viteve të fundit dhe unë nuk e fajësoj Brukselin, pasi politikanët britanikë e kanë mbështetur këtë, poashtu".

"Por, mesazhi që ka shkuar te populli i Ukrainës nga Brukseli dhe NATO-ja, është se ata dëshirojnë që Ukraina të bëhet pjesë e BE-së dhe e NATO-s dhe ndjenja ime është se aktualisht, BE-ja ka dërguar mesazh të gabuar të shpresës,veçanërisht në Ukrainën perëndimore, që është me më tepër komuniteti të krishterë”,
tha Farage.

Duke e reflektuar pozicionin e disa partive të djathta dhe të majta, Farage tha se BE-ja pa nevojë e ka provokuar Moskën lidhur me zhvillimet aktuale.

“Besoj se BE-ja në mënyrë direkte ka luajtur rol në përmbysjen e qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike të Ukrainës, e cila ndoshta ka qenë e korruptuar, dhe sinqerisht nëse ju e trazoni ariun rus me shkop, mos u befasoni kur ai të reagojë”, tha Farage.

Grupi kryesor i qendrës së djathtë, Partia Popullore Evropiane, do t’i ketë 212 vende, ndërsa grupi i qendrës së majtë i socialistëve dhe demokratëve, do t’i ketë 185 vende.

Por, rezultati për Partinë Popullore Evropiane paraqet rënie, pasi ajo deri tash i kishte 275 euro-parlamentarë.

Kjo parti mund të luajë rol vendimtar lidhur me zgjedhjen e presidentit të Komisionit Evropian, të cilin aktualisht e synon ish-kryeministri i Luksemburgut, Jean-Claude Juncker.

“Ndjej të drejtë të plotë që të bëhem president i ardhshëm i Komisionit Evropian. Kjo nuk ishte e vetmja çështje për të cilën evropianët dolën në zgjedhje, por ishte një çështje e veçantë, e cila ka shkaktuar interesim, dhe unë jam shumë i lumtur për këtë”, tha zoti Juncker.

Pjesëmarrja në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, që u mbajtën prej 22 e deri më 25 maj, ishte 43.1%, që është për pak më e lartë se ajo në vitin 2009, kur dalja në votime ishte 43%. (f.bujupi)
XS
SM
MD
LG