Ndërlidhjet

Ditët e fundit, Prishtina është “vërshuar” nga mushkonjat, nga pickimi i të cilave po vuajnë më së shumti fëmijët.

“Mushkonjat më shumë në mbrëmje po lajmërohen, nuk po na lejojnë ta bëjmë as gjumin, por po duhet me i mbyll dyert dhe dritaret, e tash është vera me i mbyll edhe dyer edhe dritaret”, thotë Hilmije Tyrbedai, derisa flet për mushkonjat të cila janë bërë të padurueshme kohëve të fundit në kryeqytet.

Sipas ekspertëve, mushkonjat preferojnë vende me ujë dhe që janë të pasur me gjelbërim.

Në shtimin e numrit të tyre, thuhet se ka ndikuar edhe temperatura relativisht të larta gjatë stinës së dimrit dhe reshjet e fundit.

Përfaqësuesit e Komunës së Prishtinë thonë se për ketë vit ende nuk kanë nis dezinsektimin në kryeqytet, pasi që tenderi për një çështje të tillë, ende nuk ka përfunduar.

Drejtori për Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Arben Vitia tha për Radion Evropa e Lirë, se komisioni vlerësues nga e hëna do të nis punën e vlerësimit të ofertuesve.

Sipas tij, të mërkurën, do të përcaktohet fituesi dhe pas kalimit të fazës se ankesave (tetë ditë), do të fillojë dezinsektimi.

“Ne po presim maksimumi për 10 ditë të fillojmë më ketë proces i cili do ta përfshijë Komunën e Prishtinë, me 1 mijë hektar më shumë se sa viteve të tjera, kur është bërë dezinsektimi. Është ligji i cili neve na përcakton se duhet të ndiqen këto procedura patjetër dhe ne jemi të obliguar të respektojmë proceduarat”, tha Vitia.

Ai ka sqaruar se gjithmonë dezinsektimi ka nisur në muajin qershor dhe se sipas tij, deri sa ka të reshura edhe nëse kryet ky proces nuk ka efekt.

Nga ana tjetër, infektologu Izet Sadiku, mjek në Kliniken Infektive në Prishtinë, thotë se autoritete komunale të Prishtinës është dashur me kohë t’i ndërmarrin masa preventive lidhur me dezinsektimin në kryeqytet.

“Do të duhej me kohë të merren të gjitha masat me qëllim që dezinsektimi të kryet në kohën e duhur e jo tash të vonohet dhe nëse ai bëhet në kohë e verës, atëherë efektet e tij do të jenë shumë më të vogla”, tha Sadiku.

Mushkonjat, sipas doktor Sadikut, mund të bartin sëmundje dhe mund të paraqesin problem për njeriun.

“Sëmundjet të cilat i bartin mushkonjat e që janë karakteristike, është malaria. Kjo sëmundje nuk ekziston te ne. Mirëpo, rreziku më i madh nga mushkonjat është mundësia e krijimit, ne e quajmë një si portë hyrëse për bartjen e infeksioneve të tjera. Dëmit i lëkurës që i bëjnë ato mund të shkaktojnë predispozita për zhvillimin e infeksioneve të tjera bakteriale në vendin ku është bërë pickimi”, ka sqaruar Sadiku.

Ndryshe, në vitin 2012 në Kosovë ka vdekur një grua nga virusi i Nilit Perëndimor, që konsiderohet se origjinën e ka nga mushkonjat. Virusi bartet nga zogjtë dhe te njerëzit përhapet nga mushkonjat.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG