Ndërlidhjet

logo-print

DV: Partitë politike shkelin Ligjin zgjedhor


Ilustrim

Ilustrim

Partitë politike në Kosovë kanë nisur fushatë të hershme parazgjedhore dhe kjo bie ndesh me Ligjin zgjedhor aktual, kanë vlerësuar të hënën përfaqësuesit e Koalicionit të Organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”.

Ata i kanë cilësuar si para-fushatë aktivitetet e subjekteve politike, të cilat kanë nisur rreth dy apo tre muaj më parë dhe kanë shfaqur shqetësimet lidhur me situatat që po krijohen si pasojë e, siç e kanë quajtur ata, para-fushatës.

Petrit Zogaj nga Lëvizja Fol, anëtar i bordit të koalicionit “Demokracia në Veprim”, ka theksuar se për zgjedhjet e parakohshme, të cilat pritet të mbahen më 8 qershor, fushata zgjedhore zyrtare është 10 ditë, por siç ka thënë ai, fushata tashmë ka nisur me muaj të tërë.

“Thuajse pa përjashtim, të gjitha partitë politike janë duke e bërë këtë fushatë. Fushata, aktualisht, është shndërruar në një model ku ne shkelim ligjin në fuqi dhe ky është shqetësimi ynë i parë. Sigurisht që shqetësim i dytë dhe jo më pak i rëndësishëm është se vëzhguesit e ‘Demokracisë në Veprim’ kanë vërejtur që partitë politike në pushtet, qendror dhe lokal, shfrytëzojnë resurset publike për të bërë kampanjën që, në mënyrë jozyrtare, që kanë filluar. Kjo bie ndesh me Kodin e mirësjelljes dhe me ligjet tjera në fuqi që specifikojnë ndalimin e përdorimit të resurseve publike”, ka thënë Zogaj.

Ai, gjithashtu ka shtuar se vëzhguesit e “Demokracisë në Veprim” kanë raportuar se në disa qytete, punëtorët e administratës publike, gjegjësisht shërbyesit civilë kanë ndërprerë punën me qëllim të pjesëmarrjes së tyre në një aktivitet elektoral të caktuar.

Një veprim i tillë, siç ka theksuar ai, duhet të ndërpritet, sepse bie ndesh me ligjet e aplikueshme në vend.

Ai, gjithashtu, ka theksuar se “Demokracia në Veprim”, e cila e mbikëqyr punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) , ka shprehur shqetësim se kjo e fundit ka një vonesë në fillimin e informimit të publikut për fushatën, mënyrën se si duhet të votohet dhe gjithçka tjetër që ndërlidhet me procesin zgjedhor.

Kjo, siç ka thënë Zogaj, ka ndodhur për shkak ankesave të disa operatorëve lidhur me tenderin për informimin publik, për të cilin pritet vendimi i Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Ne kërkojmë që KQZ-ja dhe OSHP-ja të përshpejtojnë procedurat e informimit të publikut, sepse, siç e dini, ne jemi në kohë fushatash dhe tashmë të gjitha partitë politike kanë për të dhënë reklamimet e ndryshme. Edhe pse KQZ-ja është institucion i ndarë, përsëri është problem që qytetarët ta kenë pasqyrën e qartë se si është procesi i votimit”, ka sqaruar Zogaj.

Valmir Ismaili
nga Instituti Kosovar për Demokratizim, pjesë e sekretariatit të “Demokracisë në Veprim”, ka theksuar se ky koalicion organizatash joqeveritare, tash e 10 ditë i ka në terren 60 vëzhgues afatgjatë, që bëjnë monitorimin e para-fushatës së partive politike, monitorimin e punës së Komisioneve komunale zgjedhore dhe trajnimin e anëtarëve të komisioneve të vendvotimeve.

Vëzhguesve afatgjatë të deritashëm të “Demokracisë në Veprim”, sipas Ismailit, që nga dita e martë do t’u shtohen edhe 30 të tjerë.

“Duke filluar nga nesër (të martën), këtyre 60 vëzhguesve afatgjatë, do t’iu bashkohen edhe 30 vëzhgues tjerë afatgjatë, të cilët, kryesisht, vijnë nga organizatat e personave me nevoja të veçanta. Për herë të parë, ‘Demokracia në Veprim’ ka arritur që t’i përfshijë në një shkallë kaq të gjerë këto organizata, përkatësisht, përfaqësuesit e tyre”, është shprehur Ismaili.

“Demokracia në Veprim” ka paralajmëruar se në ditën e zgjedhjeve do t’i ketë të angazhuar 2 mijë e 800 vëzhgues, me të cilët synon të mbulojë çdo vendvotim në të gjithë territorin e vendit.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG