Ndërlidhjet

logo-print

Kush është Petro Poroshenko?

  • RFE /RL

 Petro Poroshenko

Petro Poroshenko

Petro Poroshenko, pasuria e të cilit llogaritet në 1.3 miliard dollarë, është njëri nga njerëzit më të pasur në Ukrainë. Ai është shumë i njohur si pronar i fabrikës së çokollatave Roshen.

Por, presidenti i ardhshëm 48-vjeçar është edhe një politikan me përvojë, i cili ka mbajtur poste ministrore në disa qeveri të Ukrainës në 15 vjetët e kaluar.

Në vitin 2000, Poroshenko ka qenë anëtar themelues i Partisë së Rajoneve, makinës politike që ka sjellë në pushtet presidentin tashmë të përmbysur, Viktor Yanukovych.

Një vit më vonë, megjithatë, Poroshenko ka prishur lidhjet me presidentin Leonid Kuchma dhe është bërë mbështetës financiar i partisë Ukraina Jonë, të Viktor Yushchenkos.

Ai ka përkrahur Revolucionin e Portokalltë më 2004-05 dhe ka shërbyer në Qeverinë e Yushchenkos. Në vitin 2009-10, ai ka qenë ministër i Jashtëm.

Poroshenko është emëruar ministër i Tregtisë dhe Ekonomisë në Qeverinë e presidentit Yanukovych në vitin 2012. Ai ka mbajtur postin për tetë muaj, para se të rikthehej në parlament si deputet i pavarur nga qyteti Vinicia.

Edhe pse besohet se ka mbështetur financiarisht protestat e Euromaidanit, ai nuk ka luajtur ndonjë rol udhëheqës në demonstrata.

Ndoshta pika më e lartë e performancës së Poroshenkos në krizën e fundit politike është shënuar më 12 mars.Atë natë, Poroshenko ka vizituar kryeqytetin e Krimesë, Simferopol, në përpjekje për të ndaluar gadishullin nga mbajtja e referendumit për bashkim me Rusinë. Pamjet amatore kanë treguar Poroshenkon duke ecur nëpër rrugët e errëta të qytetit, duke u ndjekur nga qindra demonstrues pro-rusë.

Ajo natë në Simferopol mund ta ketë ngritur Poroshenkon në sytë e shumë ukrainasve, thotë Andreas Umland, profesor i shkencave politike në Kiev.

“Duke u ndjekur nga milicitë pro-ruse dhe ushtarët rusë, ai është shndërruar në një politikan të besueshëm dhe serioz dhe jo vetëm një oligark”, thotë Umland.

Poroshenko ka qenë mbështetës i vazhdueshëm i integrimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian. Ai ka fituar simpatinë e publikut kur Rusia u ka vënë embargo çokollatave Roshen. Kur ka qenë ministër i Jashtëm, Poroshenko ka mbështetur anëtarësimin e Ukrainës në NATO, edhe pse këtë pozicion nuk e ka bërë pjesë të fushatës së tij presidenciale.(v.tela)
XS
SM
MD
LG