Ndërlidhjet

logo-print
Një parafushatë me premtime të pastra elektorale ka karakterizuar skenën politike të Kosovës këto javët e fundit.

Ndonëse zyrtarisht fushata zgjedhore hapet më 28 maj, partitë politike tashmë kanë shpalosur disa nga aspektet kryesore programore si ofertë për votuesit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit.

Marrë parasysh faktin që Kosova paraqitet si një nga vendet më të pazhvilluar dhe me shkallë të lartë të papunësisë, partitë politike kanë një lloj emëruesi të përbashkët në kuadër të premtimeve parazgjedhore dhe ai është programi ekonomik dhe punësimi.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, njëherësh kryeministër në largim, por i cili po synon edhe mandatin e tretë, premton një fond prej 1.5 miliard eurosh pikërisht për qëllim të zbutjes së papunësisë dhe zhvillimit ekonomik.

"Misioni im i ri është që të vazhdojmë ndryshimet në Kosovë duke fuqizuar një ekonomi të zhvilluar, duke krijuar vende të reja të punës dhe rritje të mirëqenies së qytetarëve. Kjo është zgjedhja me të cilën përballet çdo qytetar dhe çdo familje", ka thënë Thaçi.

Si rrallëherë më parë, kryeministri në largim Thaçi po sfidohet nga liderët opozitarë.

Krahas programeve zhvillimore, opozitarët u premtojnë votuesve edhe një shtet ligjor, ku krimi e korrupsioni do të pësonin goditje.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pretendent për postin e kryeministrit vlerëson se partitë politike, sidomos LDK-ja, i ka borxh Kosovës që të ndërtojë një shtet ligjor e të zhvilluar ekonomikisht.

"Është një borxh që ne do t'ia lajmë Kosovës në mënyrë që ta shkëpusim këtë qeverisje e cila ka degraduar dhe Kosovës t'i sigurojmë një qeverisje të mirë, një qeverisje për qytetarin, një qeverisje e cila do ta zhvilloj Kosovën dhe një qeverisje e cila do të eliminoj korrupsionin dhe do ta forcoj shtetin ligjor", është shprehur Mustafa.

Gjatë mandatit të fundit të institucioneve, Lëvizja Vetëvendosje ishte ajo që kryesisht dalloi në koncept dhe pozicionime politike për shumë çështje, madje edhe ato të cilësuar si madhore politike krahasuar me pjesën tjetër të spektrit politik.

Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti, premton se nëse ai dhe Vetëvendosje marrin në dorë qeverinë e re atëherë krimi dhe korrupsioni duhet të goditeshin brenda institucioneve qeveritare.

"Këta kriminelët nuk janë jashtë ndërtesave shtetërore e qeveritare. Praktikisht të gjithë janë brenda. E keqja e Kosovës është te koka. Automatikisht me ardhjen e Vetëvendosjes në qeverisje korrupsioni i madh qeveritar bie në zero sepse korrupsionin nuk po e bën populli por po e bën qeveria", ka theksuar Kurti.

Ofertën e vet për këto zgjedhje e ka shpalosur nëpër shumë tubime me qytetarët edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Lideri i saj Ramush Haradinaj, i cili po ashtu synon edhe postin e kryeministrit, beson se Kosovës i nevojitet një energji e re duke përfshirë rininë në qeverisje e cila edhe përbën numrin më të madh të popullatës së Kosovës.

"Nevojitet një energji. Kush e jep këtë energji? - besoni që rinia. Për me ndodhë ajo qeverisje ashtu siç e mendoj unë, e që është shumë dinamike, energjike dhe që duhet të ndodhë menjëherë, atë ditë e jo të nesërmen a dikur më vonë, atëherë duhet energjia e juaj. E të rinjve. Nuk do të jeni ju ata që do të planifikoni një të ardhme, por ata që keni me ndërtua një të tashme", ka deklaruar Haradinaj.

Për dallim nga premtimet nga proceset paraprake zgjedhore, gjatë kësaj parafushate janë dëgjuar fare pak premtime që ndërlidhen me problemet tjera si veriu i Kosovës apo edhe aspektet integruese të Kosovës në strukturat evropiane.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG