Ndërlidhjet

logo-print

Lucas: Ukraina ka bërë avancim

  • RFE /RL

Edward Lucas

Edward Lucas

Vëzhguesi i çështjeve ruse, Edward Lucas, thotë se zgjedhja e Petro Poroshenkos për president të Ukrainës ka qenë një zgjedhje e vërtetë politike.

Sipas tij, Poroshenko ka dërrmuar partitë e ekstremit të djathtë dhe, në këtë mënyrë, ka hedhur poshtë idenë se Ukraina udhëhiqet nga fashistët.

Zgjedhjet presidenciale janë mbajtur të dielën dhe ato janë thirrur pas përmbysjes së ish-presidentit ukrainas, Viktor Yanukovych, në muajin shkurt, si rezultat i protestave antiqeveritare.

Në rajonet lindore të Ukrainës, zhvillimi i procesit zgjedhor është sfiduar nga separatistët pro-rusë.

Në Donjeck dhe Luhansk është hapur një numër fare i vogël i qendrave të votimit. Lucas, megjithatë, thotë se një gjë e tillë nuk dëmton legjitimitetin e zgjedhjeve.

“Është vetëm një pjesë e lindjes. Nëse e merrni Krimenë si kauzë të humbur, ju keni edhe dy provinca ku gjërat janë ndërprerë seriozisht. Atje bëhet fjalë për rreth një të dhjetën e popullsisë. Pra, në 90 për qind të Ukrainës, gjërat janë zhvilluar normalisht. Por, unë mendoj se me gjithë ndërprerjet në këto provinca, pjesëmarrja ka qenë më e lartë se në shumicën e zgjedhjeve amerikane”, thotë Lucas.

Pas pjesëmarrjes mbresëlënëse, sipas Lucasit, do të jetë shumë e vështirë për Rusinë që të flasë për grushtshtet fashist.

Ai thotë se Ukraina ka shënuar hapa të vegjël përpara.

Sipas tij, është e qartë se shumica e ukrainasve, me të drejtë, nuk e kanë pëlqyer mënyrën se si është udhëhequr vendi i tyre, por shumica kanë treguar tani se nuk duan të jenë pjesë e Rusisë dhe nuk duan ta shohin vendin e tyre të ndarë.

“Mendoj se ideja se Ukraina është e shkatërruar si shtet për shkak të ndarjeve gjuhësore, është hedhur poshtë. Keni një vend të natyrshëm dygjuhësorë, ku njerëzit janë të lumtur teksa flasin gjuhën ruse dhe atë ukrainase. Zgjedhja gjuhësore nuk reflekton asgjë më të rëndësishme sesa rrethanat familjare”, thotë Lucas.

Ai po ashtu thekson rëndësinë që Ukraina të kthehet në këmbët e veta.

“Kemi një situatë të tmerrshme ekonomike, çështje të shumta kushtetuese, zgjedhje parlamentare dhe pas tyre përpjekje për formimin e një qeverie efektive. Andaj, jemi në hapat e parë, jo më shumë se kaq”, shprehet Lucas.

I pyetur se cili mund të jetë hapi i ardhshëm i presidentit rus, Vladimir Putin, në lidhje me situatën në Ukrainë, Lucas thotë:

“Mendoj se ai do të luajë me kartën e gazit. Ai mund të thotë se Ukraina duhet të paguajë çmimin e plotë për gazin dhe nëse nuk e bën një gjë të tillë, ai do t’ia ndërpresë”, thotë Lucas, duke mos përjashtuar edhe separatistët në Donjeck dhe Luhansk si problem të vazhdueshëm.

“Makina e propagandës ruse është ende shumë efektive dhe, në kundërshtim me logjikën dhe faktet, do t’i mbajë gjërat të tendosura. Ukrainasit do të vazhdojnë ta kenë problem: ose përdorimin e forcës për të rimarrë kontrollin e territorit të tyre sovran, ose lejimin e milicive, banditëve që të ngrenë entitete kuazi-shtetërore”, thotë Lucas.(v.tela)
XS
SM
MD
LG