Ndërlidhjet

Premtimet e partive, në shpërputhje me rritjen ekonomike


Ilustrim

Ilustrim

Rritja ekonomike prej 3.5 për qind për Kosovën në vitin 2014 që parashikohet nga Banka Botërore, hedh poshtë të gjitha premtimet që po i bëjnë partitë politike gjatë fushatës parazgjedhore sa i përket zhvillimit ekonomik të Kosovës, vlerësojnë njohësit e çështjeve ekonomike.

Nëse partitë politike po premtojnë deri në 200 mijë vende punë, sipas ekonomistëve, kjo nuk mund të arrihet me një rritjet ekonomike 3.5 për qind.

Eksperti i Bankës Botërore Agim Demukaj ka theksuar se rritje ekonomike prej 3 për qind në vitin 2013 kishte qenë e pamjaftueshme për krijimin e vendeve të reja të punës.

“Trendi vazhdon që rritja ekonomike të jetë e pamjaftueshme dhe pa krijimin e vendeve të duhura të punës”
, tha Demukaj.

Kosova edhe pse është në prag të fillimit të fushatës zyrtare parazgjedhore, partitë politike tashmë kanë shpalosur disa nga aspektet kryesore programore, si ofertë për votuesit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit.

Marrë parasysh faktin që Kosova paraqitet si një nga vendet më të pazhvilluara dhe me shkallë të lartë të papunësisë, partitë politike kanë një lloj emëruesi të përbashkët në kuadër të premtimeve parazgjedhore dhe ai është programi ekonomik dhe punësimi.

Duke folur për raportin e fundit të Bankës Botërore dhe premtimet e partive politike,
eksperti i ekonomisë Ibrahim Rexhepi shprehet:

“Kur kemi parasysh situatën reale që është në Kosovë, atëherë me i besueshme është raporti i Bankës Botërore. Kjo për faktin se Banka Botërore, problemeve ju qaset në një mënyrë jo emotive, në mënyrë shumë më analitike i trajton problemet se sa ajo që po dëgjojmë nga partitë politike”.

Megjithatë, Rexhepi konsideron se jo të gjitha ato që thonë dhe premtojnë partitë politike duhet të hidhen poshtë. Sipas tij, ato plane të partive politike, mund të realizohen por jo në një afat të shkurtër kohor ashtu siç premtojnë ato.

“Përkundër të gjitha premtimeve, qoftë në planin e zhvillimit ekonomik apo të çështjet sociale, partitë sikur harrojnë se për këto zgjidhje duhet investime, duhen para dhe thuajse se në asnjë program i partive politike nuk sqaron këtë problem”, shprehet Rexhepi.

Edhe eksperti tjetër, Lekë Musa, ish-drejtor i Odes Ekonomike Amerikane në Prishtinë thotë se ndërmjet asaj që konstaton Banka Botërore dhe premtimet e partive politike janë një shpërputhje me gjendjen faktike ekonomike.

“Këto premtime të cilat janë duke u dhënë nga partitë politike nuk kanë një mbështetje të analizave të mirëfillta të ekonomisë apo edhe në fakt ndoshta edhe nuk janë ato çfarë i duhen në këtë moment Kosovës për të arritur një zhvillim. Më shumë janë mund të themi dëshira apo në fakt janë premtime populiste”, tha Musa.

Ndryshe, raporti i fundit i Bankës Botërore i publikuar të hënën nëpërmes disa analizave ekonomike të bëra kishte treguar se ekonomia e Kosovës kishte stagnuar gjatë pesë viteve të fundit në aspektin ekonomik.

Sipas këtij raporti, Kosova që nga viti 2009 nuk ka arritur që të ketë rritje ekonomike më shumë se 3.5 për qind e që konsiderohet të jetë e pamjaftueshme.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG