Ndërlidhjet

Heshtja e një viktime të dhunës seksuale


Vdekja është shumë më e lehtë sesa të jetosh pas një tragjedie të tillë dhe për të, të mos flasësh me askënd, thotë Jeta (emri dhe identiteti i saj është i njohur për redaksinë), një grua viktime e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Jeta, është pesëdhjetë vjeçe, por duket më e vjetër e lodhur dhe e pashpresë.

Ajo dhe tri vajzat e saj, më e reja 13 vjeç, ishin dhunuar nga pjesëtar të forcave serbe në shtatorin e vitit 1998 në rajonin e Drenicës.

Ajo si zakonisht edhe ditën e kësaj ngjarje të tmerrshme po e kalonte në kuzhinë, duke përgatitur për familjen e saj disa anëtarëshe. Atë ditë shtatori, ajo kishte në plan të gatuante një bukë të posaçme.

Por, tanket serbe kishin hyrë në fshat, ndërkohë që shumica aty, gra e fëmijë, po bëheshin gati t'i lëshonin shtëpitë e tyre dhe fshatin. Burri i Jetës dhe djali më i madh i saj, ishin fshehur në mal.

Megjithatë, atë ditë, Jeta kishte menduar se asaj dhe vajzave nuk do t'u ndodhte asgjë. Por, kur kishte parë forcat serbe të cilat ishin ndalur tek dera e shtëpisë, mbase kishte kuptuar se mund të gabohej.

"Kërcyen nga tanket në oborr. Hynë në shtëpi me pushkë automatike. Me kujtohet që menjëherë i vendosen maskat e zeza. I thirra vajzat hajdeni te unë. U bëmë të gjitha bashkë, por ata na than të shkojmë në bodrum, ku edhe ndodhi ajo tragjedia. Më së shumti mu ka dhimtë kjo e vogla. Ajo veç 13 vjeç i ka pas", thotë Jeta, teksa po dridhej ende nga trishtimi.

Pas ngjarjes së tmerrshme, Jeta kishte vendosur që askujt asgjë të mos i tregonte asnjëherë. Në Qendrën Rehabilituese për viktimat e torturave, ku ruhet identiteti i viktimave, ajo i kishte vendosur të shkonte tek në vitin 2013.

Ndërkaq rrëfimi i saj, vjen për herë të parë para mikrofonit të Radios Evropa e Lirë.

"Aty në bodrum ndodhi ajo më e keqja. Na maltretonin, na shkelmonin ...edhe na dhunuan seksualisht. Unë nuk e humba vetëdijen. Dëgjoja se çka po ndodhte. Por, për një çast unë nuk po mendoja më për veten. Ndihesha si një dru. Vetëm prisja të shihja se çka do të na ndodhte. A do të vdesim?... apo qohemi .. a do të na vrajnë? Nga vdekja nuk kisha frikë. Madje, më shumë doja që të ndodhte ashtu. Ia dëgjoja zërin të madhes (vajzës) e cila bërtiste dhe kërkonte të na vrisnin. 'Na vrani, mos na lini gjallë', bërtiste ajo. Ajo edhe sot e kësaj ditë është me trauma psikike dhe vazhdon të kërkoj shërim. Kurse vajzës së dytë i kanë nxjerrë krahun e dorës së majtë nga vendi. Nuk dija çka dhe vetëm u thosha bollni, mos bërtisni... nuk dija se si t'ua heq frikën", thotë Jeta.

Kur flet për tragjedinë që i kishte ndodhur, Jetës i vjen shumë rëndë të rrëfehet, ndërsa nuk i ndal ofshamat. Tutje ajo thotë se pas disa orësh, kur njerëzit me maska ishin larguar, ishte kthyer te vajzat e saj.

Aty i kishte porositur ato që kurrë asnjëherë me askënd të mos flisnin për atë që u kishte ndodhur. Kjo, sipas ishte një tragjedi më e madhe sesa vrasja apo vdekja.

Madje, ajo kishte vendosur që për këtë tragjedi të mos i tregonte as burrit të saj, i cili me kohë kishte treguar jotolerancë kur ishin në pyetje femrat e dhunuara. Andaj edhe ishte frikësuar se mund të ndodhte një tragjedi tjetër, kështu që e kishte mbajtur të fshehur këtë ngjarje.

"Më shumë do të doja të më kishin vra sesa që kam mbet gjallë. Nuk e ndjej kënaqësinë e jetës. Kur t'i e di se çka të ka ndodhur kurse burri yt nuk di asgjë...nuk jen ë gjendje që para tij me u shpreh për diçka dhe kështu t'i kurrë nuk mund të ndihesh mirë. Edhe po të jenë momentet më të mira, t'i ndihesh shumë keq dhe kjo është ajo më e keqja që na ka ndodhë", thotë Jeta.

E frikësuar nga zbulimi i të vërtetës, Jeta jeton ende me drojën se dikush mund t'i zbulojë tragjedinë, të cilën ajo nuk e ndanë dot me burrin e saj, i cili e konsideron edhe dhunimin si një turp familjar.

Jeta është vetëm një nga afërsisht 20 mijë femra sa llogaritet të jenë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Në fund të mandatit të kaluar, Kuvendi i Kosovës, pas 15 vjetësh, kishte miratuar edhe Ligjin për të rënët, invalidët, luftëtarët e UÇK-së dhe viktimat dhunës seksuale të luftës. Veç tjerash, atyre u siguronte edhe një pension prej 300 eurosh.

Jeta, ka nevojë për paratë, por që të përfshihet në regjistrin e pensioneve, mendon se do të duhet të detyrohet që fillimisht të "trillojë" diçka për të arsyetuar burimin e parave. Që t'i tregon burrit të saj tash pas më shumë se 15 vjetëve se çka kishte ndodhur gjatë luftës, sipas saj, nuk mund të vijë në shprehje.

"Do të jepja çdo gjë sikur burrat të bisedonin me gratë e tyre të cilat ishin në duart e armikut. Nëse unë nuk fitoj asgjë nga kjo, do të doja që të tjerat fitojnë diçka. Nëse unë jam në humbje, nuk do të doja që edhe gratë e tjera të jenë njësoj', thotë ajo.

Viktimat e dhunës seksuale, thotë jeta, kanë nevojë për përkrahjen e shoqërisë dhe shtetit.
Përgatiti: Zijadin Gashi
XS
SM
MD
LG