Ndërlidhjet

Në Kosovë ka filluar edhe zyrtarisht fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit.

Pas një para-fushate me elemente të pastra të fushatës elektorale që subjektet politike zhvilluan këto javët e fundit, ato tani kanë hyrë edhe në 10 ditshin final sa do të zgjasë kjo fushatë.

Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse. Por, paraprakisht 20 ulëse janë të garantuara për pakicat, 10 për serbët dhe po aq për komunitetet tjera jo serbe. Kështu që gara do të zhvillohet për 100 ulëset tjera në Kuvend.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 30 subjekte pjesëmarrëse, prej tyre, 18 Parti Politike, 7 Iniciativa Qytetare, 1 kandidat të pavarur dhe 4 Koalicione me gjithsej 1 mijë e 235 kandidat për deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Qysh nga mesnata, disa nga partitë politike kanë nisur aktivitetet. Fjalimet e para ishin tipike për fushatat të mbizotëruara me deklaratat për fitore në zgjedhje.

Partia Demokratike e Kosovës, përmes zëvendëskryetarit Kadri Veseli ka porositur partitë tjera se vendi i tyre do të jetë sërish në opozitë.

"Partia Demokratike e Kosovës pas 8 qershorit do të jetë një shumicë solide në Parlamentin e Republikës së Kosovës, një fitore e cila i drejtohet të mirës së Kosovës dhe e cila i respekton të gjithë oponentët tanë politik dhe iu uron një opozitë të shëndoshë e të suksesshme për katër vite", ka thënë Veseli.

Ndërkohë, me synimet e njëjta për të fituar këto zgjedhje hyn edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Lideri i saj, Isa Mustafa ka thënë se mandati i ardhshëm qeverisës do të udhëhiqet nga ai personalisht dhe partia që drejton.

"Hyjmë në këto zgjedhje me bindje të plotë se LDK do të jetë fituese e zgjedhjeve dhe se ne në mëngjesin e 9 qershorit do të fillojmë punën për themelimin e kabinetit qeveritar i cili do ta qeverisë Kosovën jo vetëm për katër vitet e ardhshme por edhe për më gjatë", është shprehur Mustafa.

Në aktivitetet parazgjedhore është përfshi edhe Lëvizja Vetëvendosje. Gjatë një takimi me qytetarët, lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti ka folur për aspektet e tatimin progresiv, duke premtuar ulje të tatimeve.

"Ne parashohim tatim të përshkallëzuar edhe në regjistrin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, kështu që për gjërat elementare ushqimore, si buka mielli, vaji sheqeri, kripa, qumshti si edhe arsimi në përgjithësi, ne këto do t'i përjashtojmë nga TVSH-ja. Kësisoj shporta e konsumatorit kosovar do të jetë më e rëndë për nga pesha e më e lehtë për nga çmimi", ka deklaruar Kurti.

Përderisa në pjesët tjera të Kosovës fushata po rrjedh normalisht, problemet e para sërish janë shfaqur në katër komunat veriore. Atje, kryetarët e katër komunave me shumicë serbe bashkë me përfaqësuesit politik të asaj pjese kanë vendosur që të ngrijnë të gjitha aktivitetet e tyre zgjedhore.

Pakënaqësitë e tyre ndërlidhen me fletëvotimet, ku figurojnë edhe simbolet e shtetit të Kosovës. Nisur nga ky fakt, serbët verior kërkojnë që fletëvotimet të përmbajnë vetëm logon e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Gjithashtu, veriu kundërshton edhe formën e organizimit dhe përbërjes së këshillave votues.

Nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk i përfillë kërkesat e tyre, serbët e veriut, përmes një komunikate për media, kanë paralajmëruar se do të rishqyrtojnë pozicionin e tyre në lidhje me pjesëmarrjen në zgjedhjet e 8 qershorit.

Përndryshe, zgjedhjet e 8 qershorit do të monitorohen dhe vëzhgohen nga organizata vendore e ndërkombëtare, përfshi edhe Bashkimin Evropian.

Ndërkaq nga aspektet e sigurisë, për mbarëvajtjen do të përkujdesen Policia e Kosovës, ajo e EULEX-it si dhe pjesëtarët e KFOR-it, nëse do të paraqitet nevoja.

Fushata për zgjedhjet e sivjetme po karakterizohet me përqendrimin e vëmendjes tek liderët e partive më të mëdha të cilët tashmë kanë shpallur edhe kandidaturat e tyre për postin e kryeministrit të ardhshëm.

Po ashtu, kjo pritet të jetë një fushatë më dinamike sesa të kaluarat, ngaqë kohëzgjatja e saj do të jetë vetëm 10 ditë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG