Ndërlidhjet

Obama: Terrorizmi, kërcënimi më i madh


 Barack Obama
Barack Obama
Gjatë fjalimit të tij për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara, presidenti Barak Obama ka theksuar se kërcënimi më i madh për SHBA-në sot vjen nga terrorizmi.

Obama, në fjalimin e tij në Akademinë Ushtarake West Point, i ka bërë thirrje kongresit që ta çojnë përpara fondin anti-terrorizëm prej 5 miliardë dollarësh.

Ky fond, sipas presidentit amerikan, do të kontribuojë në ndërtimin e kapaciteteve dhe do të ua lehtësojë vendeve partnere, ballafaqimin me terrorizimin.

“Me këto burime shtesë, ne do t’i ndihmojnë fqinjët e Sirisë – Jordaninë dhe Libinë, Turqinë dhe Irakun, si shtete që kanë refugjatë nga Siria, si të përballen me terroristët që punojnë jashtë kufijve sirianë”, ka thënë Obama.

Ai ka theksuar se në qoftë se është e nevojshme, Shtetet e Bashkuara do të përdorin edhe forcën ushtarake në mënyrë të njëanshme.

Por, presidenti amerikan ka shtuar se përdorimi i forcës ushtarake do të bëhet atëherë kur të shteren të gjitha mundësitë tjera.

“Vetëm për shkak se ne e kemi çekiçin më të mirë, nuk do të thotë se secili problem është një gozhdë”, është shprehur presidenti amerikan.

Obama ka shtuar se Shtetet e Bashkuara i kanë larguar trupat nga Iraku, po e përfundon luftën në Afganistan, “udhëheqja e Al-Kaidës në rajonin kufitar mes Pakistanit dhe Afganistanit është asgjësuar dhe Osama Bin Laden, nuk është më”.

Teksa ka folur për veprimet e Shteteve të Bashkuara karshi Rusisë, Obama ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar në marrjen e një qëndrimi të përbashkët edhe me partnerët e tjerë që Rusia të izolohet për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.

“Për shkak të udhëheqjes amerikane, bota menjëherë i dënoi veprimet ruse në Ukrainë”, ka thënë Obama,

Duke folur për Iranin dhe programin bërthamor të këtij shteti, Barak Obama, ka deklaruar se për herë të parë gjatë një dekade, tashmë ekziston një mundësi e vërtetë që do të nënshkruhet marrëveshje mes këtij shteti dhe gjashtë fuqive botërore.

Obama ka theksuar se do të vazhdojë me presionin për mbylljen e burgut në Guantanamo, ngase, sipas tij, “vlerat amerikane dhe traditat ligjore nuk lejojnë paraburgimin e pacaktuar të qytetarëve përtej kufijve tanë”.(s.bajrami)
XS
SM
MD
LG