Ndërlidhjet

Shpallen të pafajshëm për krime lufte


Iustrim
Iustrim
Një gjykatës i misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX, në Gjykatën Themelore të Mitrovicës ka shpallur të pafajshëm katër të akuzuar për krime lufte: Sylejman Selimin, Ismet Haxhën, Nexhat Qubrelin dhe Shefki Hysenin.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë zëdhënësja e misionit EULEX, Dragana Nikolliq Solomon.

Sipas saj, vendimi është lirues për katër të dyshuarit, të cilët kanë qenë të akuzuar në një rast të krimeve të luftës.

Por, pavarësisht këtij aktgjykimi lirues, Sylejman Selimi e Ismet Haxha do të vazhdojnë të qëndrojnë në paraburgim, ngase janë të akuzuar në lëndën e njohur si “Grupi i Drenicës”.

Aktakuza për këtë rast është ngritur para aktakuzës e cila sot është hedhur poshtë nga ana e gjykatës.

Mbrojtësi i Sylejman Selimit, ish komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, avokati Tomë Gashi ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se nuk është vërtetuar pretendimi i prokurorisë.

Gashi ka thënë se gjatë shpalljes së vendimit lirues “gjykatësi i rastit disa herë e ka përmendur faktin se dy dëshmitaret e mbrojtura të prokurorisë, asnjëherë nuk kanë qenë në Drenicë, respektivisht në Likoc, ku Sylejman Selimi ka qenë komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

“Kjo aktakuzë është ngritur pas aktakuzës për ‘Grupin Drenica’ dhe sot vetëm është vërtetuar një padrejtësi e qëllimshme që është bërë nga ana e prokurorit Maurizio Salustro”
, ka thënë avokati Gashi.

EULEX-i në një komunikatë për media ka bërë të ditur se rasti që morri fund sot, "ka qenë një rast i vështirë dhe i ndjeshëm".

"Duhet ta kemi të qartë se në këtë rast nuk u gjykua UÇK-ja, por të pandehurit."

"Është jashtëzakonisht me rëndësi ta kuptojmë se fajësia është individuale e jo kolektive", thuhet mes tjerash në komunikatë.

Mbrojtësi i Nexhat Qubrelit , avokati Bajram Tmava ka thënë në anën tjetër se klienti i tij, por edhe Shefki Hyseni, janë liruar ngase janë të akuzuar vetëm në këtë rast.

“Aktakuza ka qenë e ndërtuar si rezultat i dëshmisë së dy dëshmitareve A dhe B dhe katër të akuzuarit kanë qenë të akuzuar me nga dy vepra penale të krimeve të luftës”, ka thënë avokati Tmava.

Selimi e Hyseni, sipas avokatit Tmava janë të akuzuar në lëndën e njour si “Grupi i Drenicës” në të cilën janë të përfshirë pesëmbëdhjetë persona, përfshirë këtu edhe kryetarin e komunës së Sëknderajt, Sami Lushtaku dhe disa pjesëtarë të tjerë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga rajoni i Drenicës.

Gjykimi për “Grupin e Drenicës” pritet që të vazhdojë më 12 qershor. (s.bajrami)
XS
SM
MD
LG