Ndërlidhjet

Të dhënat e Policisë së Kosovës tregojnë se numri i aksidenteve në komunikacion gjatë periudhës katërmujore, janar - prill 2014, është mjaft i madh dhe shqetësues.

Sipas autoriteteve të rendit, në këtë periudhë kohore kanë vdekur 44 persona e që është një rritje prej 37.5 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se prej 44 personave të vdekur si pasojë e aksidenteve në komunikacion, një numër i tyre janë edhe këmbësorë.

“Bazuar në statistikat e evidentuara në Policinë e Kosovës, mund të themi se ato janë shumë shqetësuese, dhe kryesisht është në rritje numri i aksidenteve me pasoja fatale. Mu për këtë, Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa shtesë duke implementuar një plan të quajtur ‘Java e sigurisë’. Në këtë javë toleranca nga ana e Policisë së Kosovës ka qenë zero, që nënkupton që janë marrë masa ndëshkuese ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, qoftë në cilësinë e pjesëmarrësve të ngasësve të automjeteve, po ashtu edhe të këmbësorëve”.

“Statistikat krahasuese nga janari deri në prill 2014, mbesin shqetësuese - kanë humbur jetën 44 persona, prej tyre edhe një numër i këmbësorëve. Është një ngritje e statistikave me aksidente fatale për rreth 37.5 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë me vitin e kaluar”, ka deklaruar Kelani.

Ai, gjithashtu, ka shtuar se aksidentet në komunikacion gjatë periudhës janar-prill të këtij viti, kanë shënuar rënie, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, por ato me fatalitet kanë shënuar ngritje. Kelani përmend gjithashtu edhe gjobat e shqiptuara nga ana e autoriteteve të rendit.

“Statistikat tregojnë se ka rënie të aksidenteve për 13.73 për qind krahasuar me periudhën janar-prill të vitit të kaluar, por mbetet shqetësues fakti se ka rritje të aksidenteve me pasoja fatale. Gjithashtu, policia ka vazhduar me gjoba për shkelësit e ligjit dhe janë shqiptuar rreth 100 mijë gjoba prej janarit deri në prill”, ka shtuar Kelani.

Në anën tjetër, Gëzim Mustafa, mjek në Qendrën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka bërë të ditur se numri i personave të aksidentuar që kërkojnë ndihmë, është çdo ditë në rritje. Ai, ,gjithashtu ka potencuar se edhe numri i këmbësorëve që aksidentohen e kërkojnë ndihmë në Qendrën Emergjente, është i madh.

“Gjatë sezonit të verës vërehet një fluks më i madh i të aksidentuarve, ku ndikojnë shumë faktorë, si infrastruktura rrugore, defektet në automjete, etj. Është evidente që kohëve të fundit është në rritje numri i të aksidentuarve. Këmbësorë të lënduar në komunikacion ka shumë”.

“Mendoj se te ne nuk ka kujdes të veçante ndaj këmbësorëve, por edhe vetë këmbësorët nuk kalojnë në vendet ku duhet kaluar rrugën. Një prej faktorëve në rritjen e numrit të aksidenteve është edhe fakti se me ardhjen e bashkatdhetarëve tanë, po rritet numri i aksidenteve, meqë po dallon infrastruktura rrugore e Kosovës krahasuar me atë të Evropës”,
ka bërë të ditur Mustafa.

Sipas autoriteteve të rendit, për periudhën janar - prill të këtij viti katër mijë aksidente kanë qenë vetëm me dëme materiale.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG