Ndërlidhjet

Sharif kërkon masa kundër vrasjes me gurë


Vrasja me gurë e Farzana Parveen
Vrasja me gurë e Farzana Parveen
Kryeministri i Pakistanit, Navaz Sharif, ka thënë se vrasja me gurë e një gruaje nga familja e saj, përpara një gjykate në Lahore, është “krejtësisht e papranueshme”.

Farzana Parveen, e cila ishte shtatzënë, është qëlluar me gurë nga të afërmit, pasi ishte martuar kundër dëshirës së tyre.

Burri i saj ka thënë se policia nuk ka vepruar gjatë sulmit.

Shefi i policisë në Lahore ka mohuar këtë dhe ka thënë se Parveen është vrarë në kohën kur policia ka arritur në vendin e ngjarjes.

Në Pakistan, çdo vit, ndodhin qindra të ashtuquajtura “vrasje për nder”.

Ky incident ka shkaktuar zemërim të veçantë pasi ka ndodhur në mes të ditës, ndërsa policia dhe kalimtarët raportohet se kanë vështruar pa bërë asgjë.

Kryeministri Navaz Sharif ka urdhëruar ministrin kryesor të provincës Punxhab që të ndërmarrë “masa të menjëhershme” dhe të paraqesë një raport të enjten mbrëma.
XS
SM
MD
LG