Ndërlidhjet

Kriza e re parlamentare në Maqedoni


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Pas vendimit të deputetëve të opozitës për të kthyer mandatet e fituara në zgjedhjet e fundit parlamentare, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve do të nisë procedurat që vendet e lira t’i plotësojë me kandidatët e radhës nga lista e partive opozitare.

Edhe pse të gjithë 120 kandidatët e opozitës janë deklaruar se nuk do të pranojnë mandatet, KSHZ-ja do të vazhdojë me procedurat teknike deri në kandidatin e fundit, dhe më pas do të vendosë për zgjedhje të parakohshme për vendet e lira.

Sipas KSHZ-së, e gjithë procedura mund të zgjasë rreth tre muaj dhe më pas Kuvendi do të vendosë për zgjedhjen e 33 deputetëve, aq sa kishin fituar partitë opozitare në zgjedhjet e 27 prillit.

Por, një variant i tillë ka shkaktuar reagime të ndryshme, nëse mundet apo jo të shpallen zgjedhje për këto mandate.

Osman Kadriu, ekspert për çështje juridike, thotë se zgjedhje mund të shpallen në rrethana tjetër, por jo edhe për rastin konkret, pasi vendimi i opozitës është politik.

“Në rastin konkret, kemi të bëjmë me vendim politik që një parti politike të mos marrë pjesë në Kuvend dhe kjo ka të bëjë me të gjithë kandidatët tjerë të listës së po kësaj partie për të mos marrë pjesë. Mendoj se për këtë rast nuk mund të organizohen zgjedhje plotësuese”, thotë Kadriu.

Sipas tij, pas vendimit të fundit të opozitës për kthimin e mandateve, Maqedonia ndodhet në një krizë politike, që mund të kapërcehet vetëm me formimin e një qeverie teknike.

“Kuvendi, juridikisht, e ka shumicën e thjeshtë, por edhe shumicën e absolute, që do të thotë se ai mund të punojë dhe t’i sjell të gjitha vendimet që janë nën kompetencë të tij, por nga ana tjetër, nga aspekti politik, Kuvendi me këtë përbërje dhe pa opozitën, politikisht nuk mund të veprojë. Vendimet e tij do të kontestohen, si brenda, ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar. Mendoj se Kuvendi duhet të zgjedhë një qeveri të përkohshme teknike dhe ajo të krijojë një ambient për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, thekson Kadriu.

Edhe partitë opozitare kanë kundërshtuar njoftimet se mund të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare për vendet e deputetëve që ato nuk i pranojnë.

“Nuk do të marrim pjesë në një Kuvend, i cili nuk reflekton vullnetin e vërtetë të qytetarëve dhe askush nuk mund të ndikojë në këtë vendim të opozitës. Me këtë akt qartë ia bëjmë me dije Nikolla Gruevskit dhe pushtetit të tij se nuk mundet që me dhunë ta sjell opozitën në Kuvend. Ai duhet të marrë përgjegjësinë për zgjedhjet kriminale dhe për problemet që pasuan“, ka deklaruar kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Partia e tij, menjëherë pas mbylljes së votimit më 27 prill, doli me njoftimin se zgjedhjet, si ato parlamentare, ashtu edhe ato presidenciale, që u mbajtën të njëjtën ditë, kanë qenë të manipuluara, andaj edhe nuk njohin rezultatin e tyre.

Ndërkohë, nga VMRO DPMNE-ja në pushtet vlerësojnë se vendimi i LSDM-së është i padrejtë dhe i dëmshëm për interesat e Maqedonisë.

Nga partia e Nikolla Gruevskit thonë se vendimi mund të rezultojë me humbjen e rekomandimit të Komisionit Evropian për nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe se përgjegjësia për këtë do të bie mbi LSDM-në.
XS
SM
MD
LG