Ndërlidhjet

LOL mbush 25 vjet


Ju pëlqeu apo jo, LOL, mbush 25 vjet. Dhe pikërisht me këtë përvjetor merret sot e përditshmja britanike “The Guardian”, duke ofruar edhe një kronologji të përdorimit të kësaj shprehjeje, të mirat dhe të këqijat e saj.

Në fakt, përdorimi i parë u shënua në maj të vitit 1989 dhe tani ka transformuar jetën e përditshme. Sot, shkruhet në mesazhe telefonike, në përshkrime të fotografive dhe me raste, ndonëse shumë rrallë, përdoret edhe në të folur.

LOL është akronim për shprehjen në gjuhën angleze "laughing out loud", që në përkthim i bie e “qeshur me zë”.

Më 1989 thuhet të jetë përdorur në një etiketë talljeje, të vendosur në faqen 11 të një reviste mujore të Asociacionit Ndërkombëtar FidoNet, në të cilën ishte një shkrim për UFO-t, akronim për jashtëtokësorët.

Dhe ndonëse përdoret si përgjigje me të qeshur ndaj një ngjarjeje, fjalie, fotografie...LOL-i shpesh edhe keq-përdoret.

Shumëkush ka menduar se LOL është në fakt shkurtesë për “lots of love” [shumë dashuri], dhe përdorimi më i njohur me këtë kuptim, natyrisht të gabueshëm, është bërë nga ana e një nëne, kur njofton fëmijën e vet se i ka vdekur një anëtar i familjes.

E ëma njoftimin e përmbyll me LOL.

Një gabim të tillë e ka bërë edhe vetë kryeministri britanik, David Cameron, gjatë një komunikimi me një përfaqësues mediash. Zoti Cameron mesazhet e tij i përmbyllte me idenë se po përshëndeste me dashuri, kur në fakt po e bënte duke qeshur me zë për çështje serioze.

Që nga viti 2011, LOL është futur edhe në fjalorët e Oxfordit.
XS
SM
MD
LG