Ndërlidhjet

Katër të arrestuar për “vrasjen për nder”

  • RFE /RL

Policia pakistaneze ka arrestuar katër persona në lidhje me rastin e një gruaje shtatzënë, e cila është vrarë me gurë nga familja e saj.

Në mesin e të arrestuarve janë xhaxhai i viktimës, dy kushërinj dhe një burrë tjetër.
Farzana Parveen, 25 vjeçe, është vrarë më 26 maj jashtë një gjykate në Lahore nga anëtarë të familjes së saj, përfshirë babain dhe vëllezërit.

Babai i Parveenit është arrestuar në vendin e krimit. Policia është duke bërë bastisje për të arrestuar vëllezërit dhe ish-të fejuarin e saj.

Familja e Parveenit ka thënë se ajo i ka çnderuar ata pasi është martuar me Muhammad Iqbalin, 45 vjeç, kundër dëshirës së tyre.

Rasti ka fokusuar vëmendjen ndërkombëtare në të ashtuquajturat vrasje për nder në Pakistan. Kyreministri pakistanez, Navaz Sharif, ka kërkuar të enjten “aksione të menjëhershme”.

Rasti po ashtu ka shkaktuar kritika ndërkombëtare për qasjen e policisë, pasi Iqbal i ka thënë Radios Evropa e Lirë dhe mediave të tjera se disa policë në Lahore kanë qëndruar pranë vendit të ngjarjes, duke mos bërë asgjë.

Iqbal kërkon drejtësi edhe ndaj vrasësve, edhe ndaj policisë.

“Policia ka qëndruar shumë afër dhe ka parë gjithë këtë. Kërkoj nga qeveria të më japë drejtësi”, shprehet Iqbal.

Ai thotë se familja e Parveenit ka tërhequr mbështetjen për martesë, pasi babai i saj ka kërkuar më shumë para për të drejtën për t’u martuar me të, sesa fillimisht.

Tani, në një lajm tronditës, policia ka thënë se Iqbal është arrestuar për vrasjen e gruas së tij të parë, Ayshea Bibi, në tetor të vitit 2009.

Zuliqar Hameed, zyrtar i lartë policor që është duke hetuar vdekjen e Parveenit, ka thënë se autoritetet do t’i dorëzojnë një raport qeverisë, në të cilin do të detajizojnë të kaluarën e Iqbalit.

Hameed e ka përshkruar Iqbalin si një njeri famëkeq, i cili ka vrarë gruan e tij të parë.
AFP raporton se Iqbal ka pranuar më 29 maj se ka vrarë gruan e parë, por është kursyer nga burgu, pasi është falur nga djali i tij.

“Kam qenë i dashuruar në Farzanan dhe kam vrarë gruan e parë për hir të kësaj dashurie”, ka thënë Iqbal në një interviste telefonike për AFP-në.

Rasti dëshmon se sa e komplikuar mund të jetë drejtësia në Pakistan dhe sa e rrezikshme është jeta për gratë atje.

Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Jen Psaki, ka thënë se të ashtuquajturat vrasje për nder janë akte të neveritshme dhe të pajustifikueshme.

“Dënojmë fuqishëm vrasjen e një gruaje jashtë Gjykatës së Lartë në Lahore. I mirëpresim komentet nga liderët e lartë pakistanezë, që dënojnë këtë krim të urryer dhe kërkojnë që ai të trajtohet me shpejtësi. Shpresojmë që autorët e krimit të sillen shpejt para drejtësisë, në përputhje me ligjet e Pakistanit”, ka thënë Psaki.

Sekretari i jashtëm britanik, William Hague, ka lëshuar një deklaratë, duke thënë se “nuk ka fare nder në vrasjet për nder”.

Hague po ashtu i ka bërë thirrje Qeverisë së Pakistanit që të bëjë gjithçka të mundur “për të çrrënjosur këtë praktikë barbare”.

Sipas Komisionit të pavarur të të Drejtave të Njeriut në Pakistan, 869 gra janë “vrarë për nder” në vitin 2013.(v.tela)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG