Ndërlidhjet

Ligji kundër duhanit, pjesërisht i zbatueshëm


Ilustrim
Ilustrim
Duhani është shkaktari i dytë i vdekjeve në botë. Çdo vit në botë vdesin rreth 5 milionë njerëz si pasojë e pirjes së duhanit. Studimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, flasin për atë, se nga 5 infarkte, 4 shkaktohen nga pirja e duhanit.

Nga data 22 maj e vitit 2013, Ligji për kontrollin e duhanit ka hyrë në fuqi.
Vullneti i qytetarëve për ta zbatuar ligjin nuk ka munguar. Sipas zyrtarëve që merren me këtë çështje, ky ligj me të hyrë në fuqi ishte zbatuar në masë të madhe.

Por, Dita Botërore Kundër Duhanit, këtë vit po shënohet me moton “Ngritni taksat e duhanit, zvogëloni vdekjet dhe sëmundjet’’

Ibrahim Tërshnjaku, inspektor sanitar, thotë për Radion Evropa e Lirë se në periudhën njëvjeçare, prej kur edhe ka hyrë në fuqi Ligji për kontrollin e duhanit janë kryer 3500 kontrolle, janë shqyrtuar 598 ankesa dhe 80 fletëparaqitje janë dërguar në gjykatë. Por, sipas Tërshnjakut, puna e tyre po dekurajohet pasi që asnjë fletëparaqitje që është dërguar në gjykatë, nuk është shqyrtuar.

“Jemi në vazhdim të zbatimit të ligjit dhe në këtë sezon nuk kemi shumë shkelje të ligjit. Por, gjatë sezonit të dimrit ku kemi kryer 3500 kontrolle, kemi shqyrtuar 598 ankesa dhe 80 fletëparaqitje i kemi dërguar në gjykatë, mirëpo asnjë nuk është shqyrtuar. Është shumë dekurajuese për institucionet dhe për organet e kontrollit që me devotshmëri kanë kryer detyrat zyrtare”.


“Çështja e zbatimit të ligjit është edhe një hap përpara në nivel vendi me një ndryshim kulturor, ku në këtë fazë jemi të kënaqur edhe pse ka shumë punë dhe sfida për t’u bërë në terren edhe për vetëdijesimin që nuk duhet konsumojnë duhan aty ku është e ndaluar me ligj”, thotë Tërshnjaku.

Në anën tjetër, zyrtarë nga Qendra për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë (KADC), qendër kjo që merret me monitorimin e zbatimit të Ligjit kundër duhanit, deklarojnë se në Ditën Botërore Kundër Duhanit, janë pjesërisht të kënaqur.

Shkumbin Spahiu nga KADC, jep hollësi të tjera:

“Pjesërisht jemi të kënaqur. Ka përparime. Jemi në një gjendje shumë më të mirë krahasuar me periudhën e para një viti prej kur ka hyrë në fuqi ligji. Sa i përket inspektorëve, ka një rënie të punës së tyre krahasuar me muajt e parë me hyrjen në fuqi të ligjit. Gjatë periudhës së dimrit është parë se ka pasur shkelje në shumë lokacione”.

Udhëheqësi i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Skënder Syla, bën të ditur se Ligji për kontrollin e duhanit nuk ka asnjë arsye që të mos zbatohet.

“Zbatimi i Ligjit për kontrollin e duhanit do të dëshmohet me faktin që do të shpëtohen me mijëra jeta të njerëzve, me mijëra sëmundje dhe do të kursehet buxheti i limituar i Ministrisë së Shëndetësisë për trajtimin e këtyre sëmundjeve, sepse dihet që vdekjet e parakohshme që ndodhin në Kosovë, janë të këtyre stileve. Andaj, nuk ka asnjë arsye të vetme që ligji të mos zbatohet në Kosovë", thekson Syla.

Ministria e Shëndetësisë, Qendra për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë, si dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë do ta shënojnë Ditën botërore kundër duhanit me disa aktivitete, ku ndër të tjera do të ketë edhe ecje si shenjë simbolike “Merr frymë shlirë”, si dhe për ta shënuar njëvjetorin e hyrjes në fuqi të Ligjit kundër duhanit.
XS
SM
MD
LG