Ndërlidhjet

logo-print

Jabllanoviq: Politikë të sigurt dhe ide të reja për ekonominë


 Aleksandar Jabllanoviq

Aleksandar Jabllanoviq

Ofrimi i një politikë të sigurt dhe serioze, e bazuar në interesat e serbëve, si dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve në aspektin ekonomik, janë planet që Lista Serbe premton se do t’i realizojë, nëse fiton në zgjedhjet parlamentare të Kosovës, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Aleksandar Jabllanoviq, kryetar i Listës Serbe.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Jabllanoviq, përfaqësuesit e serbëve në veri kanë thënë se i ngrijnë aktivitetet zgjedhore për shkak të vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me përbërjen e këshillave zgjedhorë, por edhe simboleve të shtetësisë së Kosovës në listat e votimit për zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit. A e rrezikon kjo pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet parlamentare?

ALEKSANDAR JABLLANOVIQ

Përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës janë plotësisht të vetëdijshëm se në interesin tonë është dalja në këto zgjedhje. Por, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në momentin e fundit, në prag të fillimit të fushatës zgjedhore po zbaton disa veprime, të cilat në masë të madhe e pengojnë rrjedhën e zgjedhjeve. Do të thotë, rregullat e lojës ndryshojnë në fillim të fushatës. Ato rregulla të lojës nuk janë fare në favor të daljes masive në zgjedhje të serbëve në veri të Kosovës, së pari, për shkak se logoja, e cila ka qenë mjaft e diskutuar edhe në zgjedhjet e kaluara lokale, kësaj radhe po imponohet përsëri si çështje.

Vetë esenca e imponimit të kësaj çështjeje nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sipas nesh, ka qëllim që të na e devijojë vëmendjen nga fushata dhe t’i shpenzojmë këto shtatë apo tetë ditë, të parapara për fushatë, në bisedime me KQZ-në dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë rreth pamjes së fletëvotimeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, megjithatë, nëse nuk ndryshon pamja e fletëvotimit, çfarë do të ndërmerrni?

ALEKSANDAR JABLLANOVIQ
Në qoftë se nuk ndryshon pamja e fletëvotimit, ndonëse unë thellësisht besoj në arsye, si dhe në disponimin që edhe në veri të Kosovës të mbahen këto zgjedhje, atëherë vendimi se çfarë dhe si do të veprohet lidhur me këtë çështje, do të sillet bashkërisht në kuadër të bashkësisë serbe në veri të Kosovës.

Personalisht, shpresoj që argumentet që i kemi paraqitur, do të dëgjohen dhe respektohen dhe në fund do të mbretërojë arsyeja, ashtu siç ka qenë edhe më 3 nëntor 2013, kur KQZ-ja, pas mjaft tentimeve, megjithatë i ka shtypur fletëvotimet neutrale ndaj statusit për veriun e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Jabllanoviq, Lista Serbe është e unifikuar nga tri subjekte politike. Cila është platforma e juaj zgjedhore dhe çfarë ju ofroni qytetarëve?

ALEKSANDAR JABLLANOVIQ
Fillimisht, ajo që dëshirojmë t’ju ofrojmë qytetarëve, së pari atyre të nacionalitetit serb, por edhe votuesve të tjerë potencialë, është mundësia që të votojnë për një listë dhe në këtë mënyrë të mos i shpërndajnë votat e tyre në listat tjera. Ne jemi të sigurt që me atë korpus të forcave serbe dhe votave në Kosovë, do të realizojmë fitore të bindshme.

Presim pjesëmarrje në votime, në qoftë se mundësohen kushtet për një gjë të tillë, ndërkaq qytetarëve ju ofrojmë një politikë të sigurt dhe serioze, e cila do të bazohet në interesat e popullatës serbe, përgjithësisht në Kosovë dhe jo ashtu siç ka qenë deri më tash, kur përfaqësuesit serbë, në masë të madhe, në Kuvendin e Kosovës, kanë qenë të udhëhequr me interesa personale dhe të ngushta partiake.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju, më parë, keni theksuar se Lista Serbe do të angazhohet në dy aspekte, politike dhe ekonomike. Çfarë për njërën dhe çfarë për tjetrën?

ALEKSANDAR JABLLANOVIQ
Në aspektin politik - për t’u zbatuar një politikë, fatkeqësisht krijohet nevoja. Megjithatë, të gjithë neve na ka ardhur në majë të hundës politika, edhe serbëve, edhe shqiptarëve, romëve, goranëve dhe të tjerëve. Kësaj radhe, për ne është shumë më i rëndësishëm aspekti ekonomik, sepse ai vendos përditshmërinë tonë dhe të qytetarëve tanë. Mendoj se në politikë kemi parë shumëçka, kemi dëgjuar shumëçka, por nuk kemi bërë gjë dhe kësaj radhe mendoj se rastin duhet ta fitojnë njerëzit që kanë ide ekonomike, sepse të gjithë neve na është bërë mjaft politika dhe politikanizmi.

Ne dëshirojmë që t’i ndryshojmë disa gjëra dhe nga ato ndryshime që do të dalin pas zgjedhjeve, të kenë dobi të barabarta serbët, shqiptarët dhe të gjitha bashkësitë etnike në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, çfarë janë ato ide për përmirësimin ekonomik?

ALEKSANDAR JABLLANOVIQ

Njerëzit duhet ta kuptojmë se nuk do të ketë pozitë më të mirë ekonomike të qytetarët e Kosovës, të regjionit dhe të gjithë Ballkanit, pa bashkëpunim të mirë dhe të ngushtë. Në qoftë se ia vëmë njëri-tjetrit pengesat në rrugën e tregtisë dhe ekonomisë, nuk do të arrihet deri te përmirësimi i standardit ekonomik.

Plani ynë është lidhja dhe rrjetëzimi i të gjithë faktorëve ekonomikë relevantë në regjion, në mënyrë që qarkullimi i mallrave, kapitalit dhe produkteve të zhvendosen aty ku ekziston interesi real. Do të thotë, të mos jemi rob të ndonjë konkurrence jolojale të mallrave, të cilat vijnë nga tregjet e ndryshme të Evropës dhe botës, por thjesht, atë që e shpenzojmë vetë dhe që e blejmë për çdo ditë, të përpiqemi pak dhe ta prodhojmë vetë. Se a do të ndodhë kjo në hapësirën e Kosovës, të Serbisë qendrore apo në Bosnje, është krejtësisht e parëndësishme.

Me rëndësi është që të angazhojmë numër sa më të madh të të rinjve, ta zvogëlojmë përgjithësisht papunësinë në regjion, sepse nuk mund të keni një treg të qëndrueshëm në qoftë se afër tij ekzistojnë dy apo tri tregje jo të qëndrueshme... Pra, rrëfimi duhet të niset në një masë më të gjerë dhe duhet inkuadruar të gjithë regjionin e Ballkanit, në mënyrë që ta krijojmë një pasqyrë më të mirë ekonomike.

Përgjegjësia e jonë, kryesisht do të jetë që të provojmë që biznesmenët nga Serbia qendrore, në masë të mirë dhe në mënyrë serioze, t’i lidhim me biznesmenët në Kosovë dhe të përpiqemi që në të ardhmen të pengojmë që në Kosovë të kalojnë aksionet, siç i organizonte Lëvizja Vetëvendosje, për bojkotimin e mallrave serbe. Gjithsesi, me siguri të plotë mund t’ju bindi se konsumatorët serbë në Kosovë nuk bëjnë dallime lidhur me mallrat, se a janë ato të prodhuara në firma serbe, shqiptare apo maqedonase.

RADIO EVROPA E LIRË
Lista Serbe edhe më herët ka potencuar se do t’i mbrojë interesat e serbëve në Kosovë. Për çfarë interesash bëhet fjalë dhe a i përjashton kjo bashkësitë tjera?

ALEKSANDAR JABLLANOVIQ

Lista Serbe së pari ka përgjegjësi ndaj votuesve të saj, por edhe ndaj qytetarëve tjerë të Kosovës. Në qoftë se në mënyrë serioze ngrihen disa çështje në Kosovë, atëherë, shikuar në mënyrën më serioze, është e pamundur të përjashtohen bashkësitë tjera. Qëllimi ynë themelor është që sa më parë dhe në mënyrë sa më të organizuar të ndodhë kthimi i serbëve të Kosovë të zhvendosur brenda vendit dhe që ky kthim të jetë i qëndrueshëm.

Për atë kthim, përgjegjësi të madhe do të ketë kryeministri i ardhëm i Kosovës, kushdo që të jetë dhe pas këtij kthimi, presim që të qëndrojë edhe bashkësia ndërkombëtare dhe Republika e Serbisë. Tjetër që është e rëndësishme të thuhet për votuesit tanë dhe që kanë nevojë ta dinë, është se Lista Serbe do të angazhohet fuqishëm për kthimin e pasurisë së manastireve, gjegjësisht, kthimin e pasurisë që i është marrë manastireve serbe qysh në kohën e komunizmit. Mbi të gjitha, do të shohim që sistemi arsimor, i cili ekziston sipas plan-programit të Ministrisë së Arsimit të Republikës së Serbisë, në Kosovë të vazhdojë që të zbatohet me shtrirje të plotë dhe që sistemi i shëndetësisë të funksionojë në mënyrë të papenguar edhe në të ardhmen.

Duhet folur realisht që është një numër i madh i shqiptarëve të Kosovës që i shfrytëzojnë shërbimet e qendrave mjekësore në tërë Serbinë qendrore, në secilin rast kur për shërim nuk mund të gjendet zgjidhja në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Kushtetuta e Kosovës i garanton resorët për pakicat. A do të pranoni që të jeni pjesë e Qeverisë së Kosovës dhe a ekziston ndonjë afri ndaj ndonjë subjekti politik të shqiptarëve?

ALEKSANDAR JABLLANOVIQ

Se a do të jemi ose jo pjesë e qeverisë së ardhshme, kjo tërësisht varet nga rezultati i zgjedhjeve dhe nga mënyra se si do të zbatohen ato. Gjithsesi, ne nuk ikim nga përgjegjësia, të cilën e nënkuptojnë vendet në qeveri. Do të thotë, vetë pjesëmarrja në ndonjë qeveri, nuk nënkupton në vete privilegj, por edhe përgjegjësi të madhe. Jetojmë në kohën e krizës së madhe ekonomike, në kohën kur janë të mundura tensionet e mëdha në mesin e popullatës, jo në bazat etnike, por në ato ekonomike dhe shtresimi është maksimal.

Do të thotë, e rëndësishme është se bashkësia serbe në asnjë moment nuk do të pranojë diçka që kandidatët dhe njerëzit e saj nuk do të mund ta paraqisnin në punën që duhet ta kryejnë në Qeverinë e Kosovës. Kush do të jetë kryeministër dhe si do të kalojmë në zgjedhje, këto do ta definojnë të ardhmen e Listës Serbe për pjesëmarrje në Qeverinë e Kosovës. Ne nuk i kemi favoritët tanë, sa u përket shqiptarëve të Kosovës dhe liderëve të tyre politikë. Për neve është favorit kryesor që në zgjedhje të dalim me kushte të njëjta për të gjithë dhe të nxjerrim numër sa më të madh të votuesve, në mënyrë që të arrijmë rezultatin më të mirë të mundur për Listën Serbe.

RADIO EVROPA E LIRË
Në fund, zoti Jabllanoviq, a do të votojë Lista Serbe për themelim e Forcave të Armatosura të Kosovës?

ALEKSANDAR JABLLANOVIQ
Qëndrimi i Listës Serbe është që koha e luftërave dhe konflikteve, shpresojmë, është larg pas nesh. Mendoj se leksionet i kanë nxjerrë edhe serbët, edhe shqiptarët, por edhe të gjithë popujt e Ballkanit nga konfliktet që i kemi pasur gjatë viteve ‘90. Me mësimet nga të gjitha ato konflikte, mendojmë se ndërmjet nesh nuk ka nevojë që të krijojmë kurrfarë struktura dhe forca, të cilat do të kenë karakteristikat e forcave të armatosura.

Prej më herët, ekzistojnë armata në regjion. Republika e Serbisë ka armatë. Shqipëria dhe Maqedonia gjithashtu. Mendoj se ka përfunduar koha e formimit të armatave në hapësirën e Ballkanit dhe se armatat që ende ekzistojnë janë sjellë në minimumin e tyre.

Qëllimi ynë parësor është që të forcohet struktura policore në Kosovë, në kuptimin që të përgatitet më mirë teknikisht dhe të profesionalizohet më tepër. Jemi dëshmitarë që Policia e Kosovës shpeshherë i pengon disa hetime. Policia e trafikut është e prirë ndaj marrjes së mitos. Ky është një problem, me të cilin do të merret bashkësia serbe në Kuvendin e Kosovës. Ndërkaq, lidhur me Forcat e Armatosura, mendoj se nuk ka nevojë që të formohen, sepse nuk shoh asnjë rrezik potencial se ne jemi të rrezikuar ushtarakisht nga ndokush.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG