Ndërlidhjet

Obama takohet me Poroshenkon para inaugurimit të tij

  • RFE /RL

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se presidenti amerikan, Barack Obama, do të takohet me presidentin e zgjedhur të Ukrainës, Petro Poroshenko, më 4 qershor në Varshavë të Polonisë, tri ditë para inaugurimit të liderit të ri të zgjedhur ukrainas.

Ky është një hap i pazakonshëm për presidentin amerikan, që të takohet me liderin i cili ende nuk është inauguruar në postin e shefit të shtetit.

Barack Obama parashihet që në Varshavë të qëndrojë më 3 dhe 4 qershor, ndërsa Poroshenko do të inaugurohet në Kiev në postin e presidentit të Ukrainës, më 7 qershor.

“Presidenti do të mbajë një takim bilateral me presidentin e zgjedhur Poroshenko të Ukrainës. Ky është një moment i rëndësishëm për presidentin Obama, që ta afirmojë përkushtimin tonë për popullin e Ukrainës direkt te presidenti i zgjedhur Poroshenko”, tha Ben Rhodes, nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë.

Ai të premten vonë, ka theksuar se Polonia, në Varshavë gjatë javës së ardhshme, po ashtu, i ka ftuar disa liderë nga komuniteti i tatarëve në Krime të Ukrainës, dhe se ata, do të jenë “pjesë e zhvillimeve” në të cilat merr pjesë presidenti Obama.

“Ne jemi shumë të shqetësuar për të drejtat e tatarëve të Krimesë dhe kemi qenë tejet të shqetësuar për raportet se të drejtat themelore njerëzore të tyre nuk janë respektuar; për shembull kufizimet që u janë bërë disa prej liderëve të tyre”, theksoi Ben Rhodes.

Në këto kufizime përfshihet edhe ndalesa e kthimit të liderëve të tatarëve në Krime nga viset e tjera të Ukrainës.

Prej aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë, Kombet e Bashkuara kanë dokumentuar raste të keqtrajtimit fizik, kufizime të mediave të tatarëve të Krimesë, frikësime për ndjekje fetare të myslimanëve, dhe kërcënime nga Prokuroria e Krimesë, se puna e Parlamentit të Popullit Tatar të Krimesë ndoshta mund të shpallet ilegal dhe të mbyllet.

Në Varshavë, presidenti i Polonisë, Bronislaw Komorowski, dhe presidenti amerikan, Barack Obama, do të jenë mikpritës të një takimi me liderët e shteteve lindore dhe qendrore të Evropës, përfshirë Bullgarinë, Kroacinë, Republikën Çeke, Estoninë, Hungarinë, Letoninë, Lituaninë, Rumaninë dhe Sllovakinë.

Rhodes tha se takimet e këtilla janë pjesë e përpjekjeve më të gjëra për shprehjen e përkushtimit të NATO-s dhe për të theksuar garantimet e sigurisë nga ana e Shteteve të Bashkuara për aleatët, pas krizës në Ukrainë.

Derisa raportet ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë janë përkeqësuar për shkak të aneksimit të Krimesë së Ukrainës nga ana e Moskës, dhe për rolin e Rusisë në krizën aktuale në pjesën lindore të Ukrainës, Shtëpia e Bardhë thotë se nuk ka plane që Obama të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë vizitës së presidentit amerikan në Evropë, javën e ardhshme. Megjithatë, të dy zyrtarët e lartë planifikohet të marrin pjesë në shënimin e 6 qershorit të vitit 1944, Ditën e zbarkimit të forcave aleate në Normandi të Francës. Javën e ardhshme shënohet 70-vjetori i kësaj date të rëndësishme historike.

Pos Polonisë dhe Francës, presidenti Obama merr pjesë edhe në Samitin G7 në Bruksel, më 4 dhe 5 qershor, së bashku me liderët nga Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Japonia dhe Italia.

Fillimisht, ishte planifikuar që takimi i grupit G8 (me përfshirje edhe të Rusisë) të mbahej në pushimoren e Detit të Zi, në Soçi.

Por, samiti në Soçi të Rusisë u anulua për shkak të aneksimit të Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë.

Obama dhe liderët e tjerë botërorë, po ashtu, kanë vendosur ta përfundojnë rolin e Rusisë në këtë grup, si përgjigje direkte kundër aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë.

Për shkak të lëvizjes kah reformat politike dhe ekonomike në Rusi, gjatë viteve të 90-ta, Grupi G7 në vitin 1998, e ka shtuar edhe Rusinë në këtë grup të shteteve udhëheqëse industriale.

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, pat thënë se përjashtimi nga grupi nuk ishte “fatkeqësi e madhe” dhe “ndoshta, për një vit ose dy, do të jetë një eksperiment për Rusinë për të parë se si jeton pa të”. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG