Ndërlidhjet

Incidentet e pazbardhura ndëretnike, keqësojnë raportet


Protestat e fundit në Shkup, pas vrasjes së maturantit
Protestat e fundit në Shkup, pas vrasjes së maturantit
Zvarritja e hetimeve për incidentet e fundit në Shkup, ku u shkatërruan prona të shqiptarëve, por edhe moszbardhja e shumë incidenteve tjera me prapavijë etnike, nuk i ndihmojnë ruajtjes dhe forcimit të raporteve ndëretnike. Për më tepër, me mosveprimin e duhur, institucionet edhe më shumë ndikojnë në përkeqësimin e raporteve ndëretnike në vend, vlerësojnë analistët dhe ekspertët e çështjeve ndëretnike.

Ata kërkojnë nga organet kompetente mbylljen e të gjitha incidenteve që nga ato më banalet, me qëllim që të mos u jepen konotacione ndëretnike.

Edhe dhjetë ditë pas dhunës në lagjen “Gjorçe Petrov” të Shkupit ku gjatë protestave pas vrasjes së maturantit maqedonas, u shkatërruan shumë dyqane të shqiptarëve, Ministria e brendshme nuk ka dalë me një raport të saktë, nëse dikush do të përgjigjet ose jo për këto akte dhune.

Thuhet se po hetohen dhjetëra persona, por kjo sipas njohësve të rrethanave politike, është e mjaftueshme, meqë duke marrë parasysh natyrën e incidenteve, nevojiten masa urgjente.

“Ajo çfarë tani duhet të bëjë shteti, është që të punojë shumë në tolerancën ndëretnike, por unë nuk shoh se ka vullnet për një gjë të tillë, apo aktivitete që do të ishin në drejtim të forcimit të këtyre marrëdhënieve. Nevojiten veprime konkrete që do të ndihmonin në uljen e tensioneve”,
thotë Uranija Pirovska, nga Komitetit i Helsinkit.

Ndërkohë, Xhabir Deralla nga shoqata joqeveritare “Civil“, që merret kryesisht me projekte të marrëdhënieve ndëretnike, thotë se tensionet do të shmangeshin nëse do të kishte interes nga institucionet, e që në rastin konkret ai, si duket, mungon.

“Ne kemi situata kur një numër i madh i qytetarëve mund të dalin në rrugë, të demolojnë, të shkatërrojnë gjithçka para vetes, e madje edhe të vrasin, varësisht se çfarë komande kanë marrë nga qendra të caktuara dhe asgjë të mos ndërmerret. Këto situata munden shumë lehtë të kontrollohen, vetëm nëse dikujt nga pushteti nuk i konvenon”, vlerëson Deralla.

Albert Musliu, njohës i çështjeve politike dhe drejtues i shoqatës “Iniciativa Demokratike“, e cila po ashtu merret me projekte që kanë për qëllimin afrimin e komuniteteve, thotë se në Maqedoni mungojnë institucionet e posaçme që do të merreshin me menaxhimin e krizave ndëretnike, ashtu siç ka edhe në vendet më të zhvilluara evropiane ku janë të pranishme probleme të kësaj natyre.

“Marrëdhëniet ndëretnike janë me rëndësi të madhe për vendin dhe me to institucionet tona duhet të merren në mënyrë konstante, por kjo fatkeqësisht nuk ndodh. Marrëdhëniet ndëretnike komentohen vazhdimisht kur kemi ndonjë incident, por ato nuk trajtohen në mënyrë institucionale”.

“Ne kemi shtete edhe shumë më të zhvilluara evropiane, të cilat pas incidenteve apo tensioneve, veprojnë menjëherë me mekanizma, që iu kanë ndihmuar të evitojnë tensionet e mundshme ndëretnike. Te ne kjo nuk ndodh, pavarësisht prej strukturës etnike që ka vendi, pra nuk kemi qasje institucionale, por gjithçka trajtohet rastësisht
“, konsideron Musliu.

Marrëdhëniet ndëretnike kanë qenë dhe janë aktualisht në fokusin e anketave të ndryshme që bëhen nga agjencitë ndërkombëtare. Në ato anketa ato paraqiten si një nga problemet kryesore, me të cilat duhet të përballen institucionet.

Ekspertët e kësaj sfere dhe njohësit e çështjeve politike, sugjerojnë masa afatgjate për afrimin e dy komuniteteve më të mëdha në vend, por derisa masat e këtilla të fillojnë të japin rezultate, nga elitat politike kërkojnë që, të paktën, raportet ndëretnike të mos i shfrytëzojnë për qëllime politike.
XS
SM
MD
LG