Ndërlidhjet

Hagel në Afganistan, pas lirimit të ushtarit amerikan


Chuck Hagel
Chuck Hagel
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel, thotë se shpreson se marrëveshja, me të cilën është arritur lirimi i të vetmit ushtar të Shteteve të Bashkuara, që mbahej nga talibanët, ndoshta mund të çojë në një kthesë të rëndësishme në përpjekjet për pajtueshmëri me militantët në Afganistan.

Marrëveshja, e cila e siguroi lirimin e ushtarit, Bowe Bergdahl, po ashtu, ka mundësuar që edhe pesë talibanë të burgosur në burgun ushtarak amerikan në Guantanamo Bay në Kubë, të transferohen në Katar.

Hagel tha se Qeveria e Shteteve të Bashkuara për një kohë të gjatë ka synuar lirimin e ushtarit Bergdahl.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes ka arritur në Afganistan, një ditë pasi ushtari Bergdahl u lirua pasi ishte mbajtur për pesë vite nga talibanët.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, tha se ushtari amerikan, Bowe Bergdahl, është liruar në kuadër të marrëveshjes me të cilën transferohen të burgosurit e nivelit të lartë të talibanëve nga burgu amerikan në Guantanamo Bay të Kubës, nën kujdesin e qeverisë së Katarit.

Ne jemi të përkushtuar që përfundimisht ta përfundojmë luftën në Afganistan dhe ne jemi të përkushtuar ta mbyllim Gitmon. Por, ne po ashtu, kemi bërë përkushtim të fuqishëm për sjelljen e të burgosurve tanë të luftës në shtëpi”, tha Barack Obama, në Shtëpinë e Bardhë.

Ai shpjegoi se Qeveria e Katarit i ka dhënë Uashingtonit “siguri se do të ndërmarrë masa për ta mbrojtur sigurinë kombëtare” të Shteteve të Bashkuara.

Sekretari i Mbrojtjes, Chuck Hagel, u tha gazetarëve që udhëtonin me të në aeroplan për në Afganistan, se Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar t’i shfrytëzojnë mundësitë për lirimin e ushtarit Bergdahl, madje edhe pasi kryengritësit u tërhoqën nga bisedimet në vitin 2012.

Por, Hagel vlerësoi se lirimi u bë kur “koha ishte e drejtë, dhe gjërat erdhën në vendin e vet”.

Militantët talibanë e kanë dorëzuar ushtarin Bergdahl te forcat për operacione speciale të Shteteve të Bashkuara, në pjesën lindore të Afganistanit.

Sekretari Hagel arriti në bazën ushtarake Bagram, afër kryeqytetit Kabul, vetëm disa orë pasi Bergdahl ishte dërguar jashtë Afganistanit.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se ai do dërgohet në bazën ushtarake amerikane në Gjermani për trajtim dhe për fillimin e “procesit të riintegrimit”.

Një komandant taliban tha se Bergdahl, kohën më të madhe, ishte mbajtur në hapësirat fisnore ndërmjet Pakistanit dhe Afganistanit, prej vitit 2009, kur ishte zënë.

Pesë talibanët e transferuar në Katar, janë disa prej figurave kryesore nga ish-regjimi i talibanëve në Afganistan, dhe një person afgan, për të cilin mendohej se kishte lidhje me rrjetin militant Haqqan.

Në Afganistan, talibanët e kanë publikuar një deklaratë, në të cilën e mirëpresin transferin e pesë të burgosurve afganë në Katar me “gëzim të madh”.

Nuk ka pasur komente të menjëhershme nga qeveria e presidentit afgan, Hamid Karzai, për të cilin Hagel tha se nuk ishte i njoftuar paraprakisht për marrëveshjen për lirimin e ushtarit Bergdahl.

Gjatë vizitës së tij në Afganistan, Hagel theksoi se do të diskutojë me komandantët ushtarakë amerikanë për progresin që po e bëjnë forcat afgane, derisa Shtetet e Bashkuara planifikojnë tërheqjen e pjesës më të madhe të afro 10 mijë ushtarëve nga Afganistani, deri në fund të këtij viti. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG