Ndërlidhjet

Mbi 200 qytetarë do të punësohen brenda një dite?


Ilustrim
Ilustrim
Mbi 200 eventualisht 125 është numri i qytetarëve që do të punësohen për çdo dite pune, pa përfshirë festat, pas zgjedhjeve të përgjithshme, nëse partitë politike përmbushin premtimet e dhëna gjatë fushatës elektorale, për punësimin e 50 mijë, respektivisht 30 mijë punëtorëve në vit.

Për dallim nga zgjedhjet e vitit 2010, kur partitë politike kanë pasur në fokus zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës, gjatë kësaj fushate, të gjitha subjektet politike kanë dal më numra për krijimin e vendeve të punës.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaqi, njëherësh kryeministër në largim, përmes një fondi prej 1.5 miliard eurosh po synon të zbusë papunësinë.

Ai ka premtuar krijimin e 200 mijë vendeve të reja të punës nga 50 mijë për katër vite.

Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërkaq ka premtuar 120 mijë vende pune, pjesa më e madhe në bujqësi dhe veprimtari prodhuese.

Subjekti tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, gjithashtu ka premtuar 200 mijë vende pune, përderisa Aleanca Kosova e Re 70 mijë vende të reja të punës.

Kurse Lëvizja Vetëvendosje, përveç se ka premtuar 10 mijë vende pune në bujqësi, nuk ka dhënë ndonjë shifër të përgjithshme.

Sidoqoftë, sipas disa projekteve të Ministrisë se Punës dhe Mirëqenies Sociale, thuhet se në katër vitet e fundit janë punësuar 26 mijë qytetarë.

Hafiz Leka, nga kjo ministri, thotë se ky numër është i punësuar në sektorë të ndryshëm, por numri më i madh është përqendruar në sektorin privat.

“Ndërmjetësimet në punësim që janë bërë nga shërbimet publike të punësimit të Kosovës apo zyrës se punësimeve të Kosovës janë 26,692 persona”, thekson Leka.

Por, duke u bazuar në të dhënat e Trustit, kontribut pagues aktiv në fondin e kursimeve pensionale deri në fund të vitit 2013 janë 277 mijë punëtorë, thotë për Radion Evropa e Lirë, Agron Demi, drejtor në Institutin për Studime të Avancuara.

Nëse për këto 14 vjet që nga paslufta, Kosova nuk ka arritur të ketë as 300 mijë punonjës në tregun formal, as për katër vite nuk do të mund të arrihet.

Për këtë arsye, Demi nuk i beson premtimeve të subjekteve politike për krijimin e 200 mijë, eventualisht 120 mijë vendeve të punës për katër vitet e ardhshme.

Siç thotë ai, nëse për një vit punësohen 50 mijë qytetarë, për çdo ditë, duke përfshirë edhe vikendet, i bie të punësohen nga 136 punëtorë. Kjo është e pamundur dhe gjendja ekonomike nuk mundëson që dëshirat e subjekteve politike të bëhen realitet.

“Nëse llogariten edhe ditët e vikendit, i bie që rreth 137 vende të reja të punës do të hapën për çdo ditë në katër vitet në vijim. Premtim ky i parealizueshëm. Qeveria e Kosovës krejt çka ka mundur të bëhet në këto shtatë vitet e fundit, apo pas shpalljes se pavarësisë së Kosovës, e ka rritur numrin e të punësuarve në sektorin publik, sidomos në ato që financohen nga buxheti i Kosovës".

"Ku janë krijuar rreth 4,000 vende te reja në sektorin publik. Të dhëna zyrtare nuk ka se sa është numri i të punësuarve, por që thuhet se për shtatë vite në sektorin e bujqësisë janë punësuar 7,000 qytetarë”, bën të ditur Demi.

Edhe Lumir Abdixhiku, drejtor ekzekutiv në Institutin “Riinvest” në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë për të punësuar 200 mijë punëtorë, ekonomia e Kosovës duhet të rritet 20-25 për qind, që sipas tij, kjo është e pamundshme.

“Unë kam përshtypjen se partitë politike më tepër janë futur në një cikël të repetacionit të premtimeve, në të cilin premtimi bëhet valid vetëm nëse mundet ai paraprak - pra ai (premtimi) i partisë tjetër. Dhe, në këtë mënyrë ky numër ka filluar me 70 mijë, është ngritur në 120 mijë, 150 mijë dhe ka përfunduar në 200 mijë. Një qasje e tillë elektorale kam përshtypjen se vetëm devalvon premtimet, jo se krijon ndonjë ide”, thotë Abdixhiku për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, papunësia mbetet problem më tepër se një dekadë. Në të gjitha zgjedhjet, qoftë të përgjithshme apo lokale, subjektet ekonomike kanë premtuar uljen e shkallës se papunësisë dhe varfërisë, por në realitet gjithmonë ka mbetur njëjtë.

Të dhënat që kanë dalë nga regjistrimi i popullsisë të realizuar në vitin 2011, thuhej se gati gjysma e popullatës e aftë për punë, apo 44.9 për qind, janë të papunë.

Por, sipas një ankete të realizuar nga Agjencia Statistikave të Kosovës në vitin 2012 thuhet se shkalla e papunësisë është 30. 9 për qind, përqindje kjo që vazhdimisht është dyshuar nga organizatat të ndryshme joqeveritare.
XS
SM
MD
LG