Ndërlidhjet

Pacolli: Jemi me program origjinal ekonomik


Behgjet Pacolli

Behgjet Pacolli

Programi origjinal të cilin do ta zbatojë Aleanca për Kosovën e Re në rast se fiton zgjedhjet parlamentare, është program krejtësisht ekonomik, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, lideri i kësaj partie, Behgjet Pacolli.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Pacolli, pse qytetarët duhet t'ju votojnë juve?

BEHGJET PACOLLI
Qytetarët duhet ta votojnë AKR-në për arsye se është alternativa e vetme sot, e cila shkon me një bagazh të suksesit. Së pari, ne jemi njerëz të pastër, me duar të pastra. Asnjë nga kandidatët e AKR-së nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë objekt i hetuesisë, as i dënuar. E kanë një CV jashtëzakonisht të pastër.

E dyta, shkojmë me një kandidaturë jashtëzakonisht profesioniste dhe njerëz të punës, njerëz të sukseseve.

E treta, kemi program ekonomik dinjitoz, një program 100% origjinal ekonomik, jemi autorë të këtij programi, dhe e shohim se partitë tjera kanë kopjuar shumë gjëra nga ne, dhe sot tentojnë t'i shtjellojmë para qytetarëve me premtime bosh dhe ju them se është një kopje e gabuar, për arsye se është një kopje e keqe, origjinali është te ne dhe mënyra, logjistika dhe projeksioni si të implementohet ky projekt është te ne dhe ne dimë ta bëjmë atë.

Unë personalisht kam krijuar një ndërmarrje ndërkombëtare të globalizuar, që punon më 30 monedha e ku fliten mbi 40 gjuhë, që punon në shumë vende të botës, një kompani që menaxhon një buxhet, sa dy herë buxheti i Kosovës.

Dhe, nëse unë kam ditur ta bëj këtë, në mënyrë dinjitoze, në qendër të Evropës të civilizuar, do të thotë sigurisht që unë jam i kualifikuar që të shkoj para qytetarëve dhe të kërkoj votën e tij.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Pacolli, ju edhe më herët keni thënë se partitë tjera politike ua kanë kopjuar programin. Çfarë në fakt kanë kopjuar, dhe çfarë ofron ky program?

BEHGJET PACOLLI
Në programin tonë origjinal flitet për bashkimin kombëtar, që fillon nga ekonomia dhe këtë e kemi dëshmuar për arsye se gjatë bashkëpunimit tonë me partnerin e madh qeverisës, kemi vu si kusht implementimin e kësaj ideje. Projekti që është duke u implementuar është projekti i 400 kilovatëshit mes Shqipërisë dhe Kosovës. E dyta, format agro-ekonomike, parashohin futjen në funksion të zinxhirit agro-ekonomik prej fermerit më të thjeshtë, deri te raftet ku është prodhimi i gatshëm.

Ne kemi thënë edhe atëherë së në çdo platformë agro-ekonomike ne krijojmë mundësi punësimi deri në 70 mijë vende të punës. Dhe ne këtë e bëjmë se çdo pronari të tokave, livadheve ose maleve do t'i jap gratis projektin, ku ai aty do të punësojë të papunët që i ka në familjen e vetë, do të shfrytëzojë në mënyrë racionale atë tokë që e ka.

Nëse nuk e ka atë tokë ai, ne do t'i themi se ai mund të shkojë te fqinji i vetë, i cili e ka tokën por nuk e ka fuqinë punëtore, dhe ai do të punojë dhe në fund të ditës atij i garantohet shitja e prodhimit të tij. Ky prodhim vjen në platformën agro-ekonomike ku janë investitorët tjerë që kanë investuar në vijat e procesimit, qofshin të frutave të maleve ose të sallatave, ose të qumështit, mishit, apo diçka tjetër.

Dhe nga kjo platformë është siguruar brendi i cili i përballon ekonomisë së globalizuar, ne e bëjnë funksionalizimin total të platformës agro-ekonomike, dhe në Kosovë do të kemi dy platforma të mëdha, dhe një platformë grumbullimi të frutave të maleve diku në Shalë të Bajgorës. Me krejt këtë, ne krijojmë mundësi për krijimin e vendeve të punës, vetëm bujqësi, diku 140-150 mijë vende të punës.

Dhe, këtu tani duhet të jetë njëfarë harmonizimi me zonat e lira ekonomike. Ne për këtë kemi krijuar parakushte, d.m.th Zonat e Lira Ekonomike edhe në Komunën e Mitrovicës edhe në Komunën e Gjakovës, dhe nëse shihet krejt kjo, partnerëve të mi ju mungon kjo.
RADIO EVROPA E LIRË
Edhe në fushatën e zgjedhjeve të kaluara parlamentare keni premtuar rreth 70 mijë vende të reja të punës, gjë që në fushatën e tashme po përsëriten premtimet e tilla. Si do ta zbatoni këtë premtim, kur dihet që rritja ekonomike në vend aktualisht është 35.%?

BEHGJET PACOLLI
Nëse e keni parë projektin tonë, gjithmonë është nëse AKR-ja është në krye të Qeverisë. Normalisht është një parakusht, nëse bëhet premtimi, duhet ta kesh edhe timonin në dorë, ta drejtosh atë. Të mos ndodh ajo që ndodhi në qeverisjen e shkuar me partnerin e madh, ku ne kishim vetëm një fuqi relative në këtë qeveri, dhe nuk kemi mundur as njëherë t'i drejtojmë ose t'i përkryejmë punët deri në fund.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Pacolli, kohëve të fundit ju në mjaft raste keni kritikuar qeverinë e cila tashmë është në largim, ndërkohë që keni qenë pjesë e kësaj qeverie. Cffarë nënkupton kjo, a do të thotë që keni kritikuar veten apo ka shpjegim tjetër?

BEHGJET PACOLLI
Jo, ka një shpjegim. Pse jo edhe veten, nëse kështu do ta dëgjojë dikush. Unë kam hyrë me një synim në këtë bashkëqeverisje, për t'i kontribuar qytetarit së pari dhe shtetbërjes së Kosovës. Asnjë aspiratë, asnjë synim tjetër nuk e kam. Për arsye se mua personalisht nuk më nevojitet as standardi, as nuk më nevojitet pozita, mua më nevojitet vetëm liria e veprimit.

Hyrja ime në bashkëqeverisje, edhe pse ishte me një partner që kishte krejtësisht ideologji tjetër, jokompatibile, por unë e kam shikuar njëfarë bashkëjetese, duke shpresuar se do të mbajë fjalën e partnerit, që të krijojë hapësirë të veprimit dhe të veprojmë lirshëm. E kemi parë që gjatë bashkëjetesës nuk është ashtu. Ne kemi kryer punën tonë, si për shembull te Marrëveshja për Stabilizim-Asociimin. të gjitha pikat që janë varur prej nesh, 70% ne i kemi përmbullur në kohë ta caktuar.

Tridhjetë për qind e MSA-së nuk është përmbushur pse nuk kanë qenë dikasterët tanë, kanë qenë integrimet, Ministria e Punëve të Brendshme, ato nuk janë përmbushur ose janë përmbushur me vonesë shumë të madhe. Ne në shtator i kemi përkryer punët tona. Dhe e kemi parë se nëse ka qenë një reformë në pyetje, ne e kemi kryer atë.

Dhe në sekretarinë e kryeministrisë ka pritur me muaj që të hyjë në mbledhjen e qeverisë. Bllokada tjetër ka qenë në parlament, se ka munguar fuqia politike e AKR-së. Këto kanë qenë ato problemet që janë krijuar gjatë gjithë kohës. Që asnjëherë nuk do të ndodhë më, nëse hyjmë në bashkëqeverisje me dikë.

RADIO EVROPA E LIRË
A i keni shqyrtuar mundësitë për hyrje në koalicion të mundshëm dhe me kë?

BEHGJET PACOLLI
AKR-ja nuk ka vija të kuqe për askënd, bile as për Vetëvendosjen, për arsye se ne e respektojmë punën e secilit, dhe ka elemente të mira edhe te të tjerët. Do të ketë vija të kuqe për çdokënd i cili e bën të pamundur fushëveprimin, i cili e bën të pamundur implementimin e programit, i cili nuk e pranon programin tonë që të jetë program qeverisës bindës, bile në përmasa 95%.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG