Ndërlidhjet

Nxit debate shkëmbimi i talibanëve me ushtarin amerikan


Siluetë e një ushtari ameirkan...
Siluetë e një ushtari ameirkan...
Qeveria e Afganistanit ka thënë se lirimi i pesë talibanëve nga Shtetet e Bashkuara, në këmbim të lirimit të ushtarit amerikan Bowe Bergdahl, do të duhej të bëhej “pa kushte”.

Ministria e Jashtme afgane ka thënë se “nëse Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka dorëzuar shtetasit afganë në Katar, me qëllim kufizimin e lirisë së tyre, kjo është qartë kundër ligjeve ndërkombëtare”.

“Republika Islamike e Afganistanit, që nga fillimi, ka qenë kundër burgosjes së shtetasve të saj dhe kufizimit të lirisë së tyre në Guantanamo apo në cilindo objekt tjetër të paraburgimit. Lirimi i pesë shtetasve afganë në këmbim me ushtarin amerikan, Bowe Bergdahl, është kundër marrëveshjes që kemi pasur me Qeverinë e SHBA-së dhe transferimi i tyre te Qeveria e Katarit nuk e ka pasur miratimin e Qeverisë afgane”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Afganistanit, Ahmad Shakeeb Mustagni.

Sipas marrëveshjes, pesë talibanët janë dorëzuar në Katar, ku do të jetojnë me familjet e tyre, por do të garantojnë se nuk do të rrezikojnë sigurinë e SHBA-së.

Presidenti në largim i Afganistanit, Hamid Karzai, ka bërë vazhdimisht thirrje për lirimin e shtetasve afganë që mbaheshin në Guantanamo dhe e ka bërë lirimin e tyre kusht për nënshkrimin e një marrëveshjeje të sigurisë me Uashingtonin.

Udhëheqësi afgan i talibanëve, Mullah Mohammad Omar, e ka cilësuar shkëmbimin si një “fitore të madhe”.

“Përgëzoj gjithë shtetin afgan mysliman”, ka thënë ai në një deklaratë të rrallë publike.

Mullah Omar ka lënë Afganistanin në vitin 2001, kur forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë përmbysur talibanët. Ai besohet se fshihet në Pakistan.

Bergdahl, ushtari i vetëm amrikan që mbahej nga talibanët, u është dorëzuar forcave amerikane në Afganistan më 31 maj dhe është dërguar në Gjermani për trajtim.

Një komandant i talibanëve ka thënë Bergdahl është mbajtur kryesisht në zonat fisnore midis Pakistanit dhe Afganistanit që nga kapja e tij më 2009.

Administrata Obama ka mbrojtur shkëmbimin, me gjithë kritikat e Republikanëve, të cilët kanë thënë se marrëveshja i vë amerikanët në rrezik, sidomos nëse të burgosurit e liruar kthehen në luftë.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel, ka thënë se Shtetet e Bashkuara është dashur të veprojnë shpejt për të shpëtuar jetën e ushtarit.

“Fokusi ynë kryesor, besoj se të gjithë e dinë, ka qenë lirimi i rreshterit Bergdahl dhe ne e kemi bërë një gjë të tillë. Ky ka qenë fokusi ynë. Nëse kjo do të çojë në përparime të reja të mundshme me talibanët, unë nuk e di. Shpresojmë që po”, ka thënë Hagel.

Por, senatori republikan, John McCain, ish i burgosur i luftës dhe veteran i Luftës së Vjetnamit, ka thënë se ka dyshime legjitime në lidhje me kushtet, nën të cilat të burgosurit talibanë janë liruar.

Ai i ka përshkruar talibanët e liruar si njerëz me rrezik të lartë.

Sipas raporteve të mediave, pesë talibanët e transferuar në Katar janë: Abdul Haq Wasiq, i cili ka shërbyer si zëvendësministër i inteligjencës në qeverinë talibane; Mullah Morullah Nori, komandant i lartë taliban në qytetin verior Mazar-e-Sharif, në kohën kur talibanët kanë luftuar forcat amerikane në fund të vitit 2001; Khairullah Khairkhwa, i cili ka pasur lidhje direkte me Mullah Omarin dhe liderin e vdekur të Al Kaidës, Osama bin Laden; Mohammed Nabi, i cili ka shërbyer si shef i sigurisë për talibanët në Kalat të Afganistanit, dhe Muhammad Fazl, për të cilin Human Right Watch thotë se ka kryesuar vrasjet masive të myslimanëve shiitë në Afganistan, në periudhën 2000-2001.

Nën kushtet e lirimit, të pestit duhet të qëndrojnë në territorin e Katarit për së paku një vit.(v.tela)
XS
SM
MD
LG