Ndërlidhjet

Komunat e veriut kërkojnë ndryshimin e fletëvotimeve


Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë pritet të mbahen pas pesë ditësh, ndërkohë që simbolet shtetërore të fletëvotime, përsëri janë bërë shkak i mëdyshjes për liderët serbë për pjesëmarrje ose jo në këto zgjedhje.

Kandidatët e Listës Serbe nga gjashtë komuna me shumicë serbe në anën jugore të lumit Ibër, që nga e dita e martë do të vazhdojnë me aktivitetet parazgjedhore, ndërkohë që katër komunat në veri të Kosovës, nuk e ndryshojnë qëndrimin e tyre dhe nuk do të ketë fushatë në këto komuna.

Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Goran Rakiq, kryetar i komunës së Mitrovicës së veriut.

Ai ka theksuar se në komunat veriore nuk do t’i thirrin qytetarët për të dalë në zgjedhjet e ditës së diel, në qoftë se Prishtinë zyrtare mbetet pranë qëndrimeve të saj, ka thënë Goran Rakiq, kryetar i komunës së Mitrovicës së veriut.

“Lista Serbe ka mbajtur një tubim në Graçanicë dhe ajo ka nisur fushatën zgjedhore, do të thotë në komunat e jugut. U ka mbetur edhe pak kohë për këtë dhe ata duhet ta shfrytëzojnë në mënyrën më të mirë të mundshme. Në anën tjetër, ne kryetarët e komunave në veri, ende nuk i kemi thirrur qytetarët tanë që të dalin në zgjedhje dhe nuk do ta bëjmë këtë në qoftë se Prishtina mbetet pranë qëndrimeve të veta".

" Në fletëvotime janë simbolet e shtetit. Ne kemi kërkuar që fletëvotimet të jenë neutrale ndaj statusit. Megjithatë, Prishtina, kot, po i ngulfat të gjitha kërkesat tona. Në asnjë vend të botës nuk ekzistojnë simbolet e shtetit në fletëvotim”
, theksoi Rakiq.

Gjatë ditës së marte, zyrtarët e Beogradit kanë porositur serbët që t’i dëgjojnë kryetarët e komunave të tyre, të cilët po bisedojnë sot në Beograd me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiq.

Ky i fundit, para takimit me kryetarët e komunave të veriut, ka thënë se mosdalja në zgjedhje, nuk është zgjidhje.

"Nuk mendoj se zgjidhja është në mos daljen në zgjedhje, ashtu siç nuk mendoj se vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i Kosovës kanë qenë të mençura, si dhe disa vendime tjera. Por, ne duhet të sillemi përgjegjshëm dhe në përputhje me interesat shtetërore. Vendimin e tillë do ta sjellë edhe shteti i Serbisë dhe ai nuk do të fshihet pas kryetarëve të komunave, të cilët, kuptohet se do të kenë edhe udhëzimin, të cilët ata do të dinë si t’ia përcjellin popullit tonë“, ka thënë Vuçiq.

Ndryshe, pavarësisht nga pjesëmarrja ose jo e serbëve në zgjedhjet parlamentare, bashkësia serbe i ka 10 ulëse të garantuara në Kuvendin e Kosovës.

Lista Serbe e cila i ka tubuar edhe shumicën e atyre serbëve që kanë qenë deri më tash në institucionet e Kosovës, por edhe ata që kanë marrë pjesë në institucionet paralele serbe, i ka ndërprerë aktivitetet parazgjedhore që ditën e parë të fushatës, me 28 maj.

Në anën tjetër, Rangjel Nojkiq, analist i çështjeve politike nga Kosova, konsideron se e gjithë kjo situatë është blerje e kohës nga ana e Beogradit, për shkak se nuk ekziston gatishmëria që serbëve tu tregohet, me kohë dhe qartë, se si të veprojnë në rast se dalin në zgjedhje. Sipas Nojkiqit, e gjithë kjo situatë ka qenë e planifikuar...

"E gjithë kjo fushatë e bojkotimit, siç është thënë, mendoj se ka qenë fushatë e përllogaritur, e cila ka për qëllim seleksionimin e zgjedhjes, gjegjësisht që këtë seleksionim ta bëjnë ata, të cilëve ju konvenojnë kandidatët e caktuar dhe jo seleksionimi të cilin e bëjnë votuesit. Kjo situatë është krejtësisht e panevojshme dhe mendoj se sjell konfuzion shtesë në hapësirën e Kosovës“,tha Nojkiq.

"Në anën tjetër, mendoj se problemi i fletëvotimit është shumë më i vogël në krahasim me problemin që do të pasojë pas zgjedhjeve, gjegjësisht, pas asaj që kandidatët do të duhet ta bëjnë betimin, i cili ka përmbajtje mjaft të qartë dhe krejtësisht të kundërt nga ajo e zgjedhjeve lokale. Kështu që, janë ballafaquar me ato fakte dhe mendoj se ato nuk kanë qenë fare të panjohura as në periudhën e kaluar“, shtoi ai.

Adrijana Hoxhiq, drejtuese e Zyrës Administrative të Qeverisë së Kosovës në Mitrovicën e veriut, thotë se ne veri, me asgjë nuk është lënë të kuptohet se do të ketë zgjedhje parlamentare.

Ajo ka theksuar se numri prej 10 ulëseve të garantuara nuk është i vogël, ndërkaq që çdo vendim vital në Kuvendin e Kosovës, nuk mund të miratohet pa shumicën e dyfishtë.

"A ka rëndësi ose jo për qytetarët që jetojnë në Kosovë se kush do të jenë ata njerëz? Sinqerisht, si qytetare, mendoj se është mjaft e rëndësishme që në ato pozita t’i kemi njerëzit e përgjegjshëm, të cilët do ta kuptojnë seriozisht misionin e tyre, sepse katër vjet nuk janë pak. Paramendoni, që për katër vjet të keni përfaqësuesit që nuk do t’i mbrojnë interesat e juaja, ndërkohë që për këtë do të paguhen dhe do të llogaritet se ata po punojnë për interesat e bashkësisë tënde“, theksoi Hoxhiq.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur të marten se procesi i shtypjes së fletëvotimeve për Zgjedhjet e 8 qershorit ka përfunduar.

Siç thuhet, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në pajtim me nenin 64 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, miratoi procedurën për ndarjen e ulëseve për Kuvendin e Republikës së Kosovës për Zgjedhjet e parakohshme parlamentare -2014.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG