Ndërlidhjet

logo-print
Fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit po merr përmasat e premtimeve që në fazën e tashme të zhvillimit të Kosovës si shtet, do të mund të realizoheshin vetëm nëpër ëndrra, thonë analistët politik në Prishtinë.

Sipas tyre, gara për të dhënë premtime sa më të mëdha tashmë po përqendrohet në fushën e zhvillimit ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Përderisa nuk po përdoren më premtime që kanë të bëjnë me çështjet e ndjeshme politike.

Hapja e 200 mijë vendeve të reja të punës, investimet qindra milionëshe në bujqësi, riaktivizimi dhe rivitalizimi i minierave dhe lulëzimi total ekonomik i Kosovës, tashmë janë bërë pjesë e retorikës politike të fushatës së shkurtër por të bujshme për zgjedhjet e 8 qershorit.

Analisti i Grupit Ballkanik për Politika Zhvillimore, Naim Rashiti e sheh si pozitiv faktin që fushata e sivjetme po dallon nga ato paraprake, për faktin se ka një përqendrim kryesisht tek premtimet nga fusha e zhvillimit ekonomik, sado që këto premtime tashmë po duken enorme.

"Partitë politike e kuptojnë se më nuk mund të grumbullojnë vota në emër të statusit, pavarësisë apo betejës me Serbinë dhe se atyre u kërkohet më shumë të ofrojnë në zhvillimin ekonomik dhe të ofrojnë një alternativë më të mirë. Përkundër këtij ndryshimi. mendoj se partitë politike ende po e shfrytëzojnë këtë si platformë për të grumbulluar, gjeneruar vota dhe se ato ende nuk kanë ofruar diçka substanciale dhe konkrete se si do të mund të ndodhte një zhvillim ekonomik në Kosovë", ka thënë Rashiti për Radion Evropa e Lirë.

Premtimet e mëdha që japin partitë politike, sipas analistit Naim Rashiti janë kuptuar tashmë edhe nga elektorati i cili i sheh ato vetëm si premtime parazgjedhore dhe jo si programe konkrete për zhvillimin e vendit.

Sipas tij, premtimet e mëdha janë përpjekje e partive politike qoftë për të ruajtur elektoratin ekzistues të tyre apo edhe për të siguruar votat e votuesve ende të papërcaktuar.

"Premtimet enorme, astronomike të cilat i bëjnë partitë politike janë kuptuar nga populli si fushatë dhe shihen si të tepruara. Por, të gjitha partitë po përdorin përafërsisht tonin e njëjtë të premtimeve prandaj dekurajimi i votuesve nuk do të kaloj nga një parti në tjetrën, sepse të gjitha partitë i kanë premtimet enorme", ka vlerësuar Rashiti.

Ndërkohë, publicisti dhe analisti Halil Matoshi thotë se kjo fushatë po karakterizohet me heqjen nga fjalori politik të premtimeve të mëdha, siç ishin ato për bashkimin e Mitrovicës apo çështjet e politikave të bashkimit kombëtar shqiptar.

Tani të gjitha partitë politike, sipas Matoshit, po përqendrohen në prioritete të zhvillimit ekonomik dhe punësimit. Por, ajo që karakterizon këto premtime janë hiperbolizimet dhe premtimet pa mbulesë që i bëjnë subjektet politike, pa dallim.

"Në këtë fushatë nuk përmendet më Serbia dhe kjo mendoj se është një karakteristikë e mirë për vendin. Ndërkaq karakteristika tjetër e kësaj fushate, krahasuar me ato paraprake, është fakti se të gjitha partitë politike pa dallim shkojnë kryesisht kah prioritetet e zhvillimit ekonomik, përkatësisht punësimit", ka thënë Matoshi për Radion Evropa e Lirë.

Ndonëse janë përqendruar tek problemi kryesor që ka të bëj me ekonominë dhe punësimin, partitë politike megjithatë po japin shifra enorme të cilat mund t'u kthehen në bumerang.

Analisti Halil Matoshi vlerëson se votuesi kosovar ka dëshirë të dëgjoj fjalë të mira për zhvillimin e vendit, por ai thotë se ky votues mund t'i dallojë premtimet e realizueshme prej premtimeve që vetëm mund të ëndërrohen në këtë fazë të zhvillimit të shtetit të Kosovës.

"Votuesi tipik kosovar ka dëshirë të dëgjojë këso shifra të mëdha për shkak të projektimit të dëshirave. Por në thelb njerëzit e dinë se dëshirat dhe mundësitë janë në shpërputhje por sidoqoftë kanë dëshirë që të dëgjojnë se ky vend më në fund do të lulëzojë. Por, partive të koalicionit qeverisës, mendoj se këto premtime të mëdha dhe të pa mbulesë do t'u kushtojnë me votë ndëshkuese", është shprehur Matoshi.

Një karakteristikë tjetër e kësaj fushate është përqendrimi i saj tek liderët e partive, të cilët qysh në start kanë shpallur edhe kandidaturat e tyre për kryeministër.

Nga ana tjetër, përfaqësues ndërkombëtar në Kosovë ditëve të fundit kanë dhënë mesazhet e tyre duke potencuar se faza e ardhshme qeverisëse në Kosovë do të kërkoj angazhim të shtuar jo vetëm në zhvillimin ekonomik, por edhe në çështjen e sundimit të ligjit.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG