Ndërlidhjet

SHBA: Debat mbi lirimin e rreshterit Bergdahl


Rreshteri Bowe Bergdahl
Rreshteri Bowe Bergdahl
"Zëri i Amerikës"


Ushtria amerikane po i përgjigjet kritikave në rritje në lidhje me marrëveshjen për lirimin e rreshterit Bowe Bergdahl. Ai u lirua të shtunën në Afganistan, pas gati pesë vjetësh si i burgosur i talibanëve, në këmbim të pesë të burgosurve të rrezikshëm talebanë që mbaheshin në burgun ushtarak në Guantanamo Bay në Kubë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jeff Seldin nga Pentagoni, marrëveshja ka ngjallur zemërim nga ata që e quajnë rreshterin Bergdahl një dezertor.

Zemërimi vjen nga njerëz si ish- drejtuesi i ekipit të Bowe Bergdahl-it në Afganistan.

"Njerëzit po e quajnë atë hero apo një ushtar të madh? Kjo është një pështyrje në fytyrë për të gjithë ushtarët që ishin pjesë e ekipit të tij atje".

Ish rreshteri i ushtrisë, Evan Buetow është i kënaqur që Bowe Bergdahl është i sigurt, por ai thotë se nuk mund ta kuptojë se pse po festohet lirimi i një ushtari i cili thjesht u largua në këmbë nga baza e tij.

"Është me rëndësi të theksohet se kjo është ofenduese për ushtarët që vdiqën si rezultat i drejtpërdrejtë i largimit të tij nga baza".

Dje, Sekretari i Ushtrisë John McHugh lëshoi një deklaratë duke e bërë të qartë se përparësia e parë e ushtrisë është trajtimi mjekësor i rreshterit Bergdahl, por nuk dihet se sa kohë do të marrë rimëkëmbja e tij shëndetësore.

Zoti McHugh tha se pas trajtimit mjekësor, ushtria do të bëjë një shqyrtim "të plotë dhe të koordinuar" të rrethanave të zhdukjes së rreshterit Bowe Bergdahl në qershor të vitit 2009 nga baza e tij në Afganistan, përfshirë edhe një bisedë me vetë rreshterin Bergdahl, duke e lënë të hapur mundësinë e përballjes me masa disiplinore.

Ndërkohë, ligjvënësit amerikanë po vazhdojnë kritikat ndaj administratës së presidentit Barack Obama, dhe disa prej tyre kërkojnë një hetim të procesit të shkëmbimit të të burgosurve.

Të tjerë, si Senatori republikan nga Arizona, John McCain, kanë paralajmëruar për pasoja të tmerrshme nga lirimi i udhëheqësve talebanë të rangut të lartë.

"Është e qartë, se ky veprim do të vë në rrezik jetën e shumë amerikanëve të tjerë".

Nuk është e qartë nëse Bowe Bergdahl është i vetëdijshëm për polemikat që ka shkaktuar lirimi i tij.

Zëdhënësi i Pentagonit, koloneli Steve Warren tha se Bowe Bergdahl është ende në Qendrën Mjekësore të Landstuhlit në Gjermani nën kujdesin e psikologëve.

"Pjesë e procesit të riintegrimit është kthimi i aftësive të ushtarit të liruar në kontrollimin e emocioneve, ndjenjave të tij dhe aftësisë për të treguar historinë e tij".

Qasja e rreshterit Bowe Bergdahl në media është e kufizuar, dhe zyrtarët e Pentagonit thonë se dje në mëngjes, ai madje nuk ishte i gatshëm të kontaktonte prindërit e tij.

* Ky artikull u publikua fillimisht në VOA Shqip.
XS
SM
MD
LG