Ndërlidhjet

logo-print

Obama: Nuk do të legjitimohet plaçkitja e tokës së fqinjit


Barack Obama (djathtas) dhe Petro Poroshenko

Barack Obama (djathtas) dhe Petro Poroshenko

Presidenti amerikan, Barack Obama, i dënoi “taktikat e errëta” dhe “agresionin” e Rusisë në Ukrainë, pas takimit me presidentin e zgjedhur të këtij vendi, Petro Poroshenko, në Varshavë të Polonisë, me ç’rast i premtoi atij mbështetje për vite nga ana e Shteteve të Bashkuara.

Duke folur me rastin e 25-vjetorit të zgjedhjeve demokratike në Poloni, presidenti Obama theksoi se Uashingtoni nuk do ta pranojë okupimin e Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë.

“Ditët e perandorisë dhe sferat e interesit kanë përfunduar. Vendet e mëdha nuk duhet të lejohen t’i keqtrajtojnë të voglat, ose ta imponojnë vullnetin e tyre nën barrën e armatimit ose me persona të maskuar, që i okupojnë ndërtesat. Por, lapsi kurrë nuk do ta legjitimojë plaçkitjen e tokës së fqinjit. Pra, ne nuk do ta pranojmë okupimin e Krimesë nga ana e Rusisë, ose shkeljen e sovranitetit të Ukrainës nga ajo”, tha Barack Obama.

Duke folur para turmës së tubuar në Sheshin e Kështjellës në Varshavë, Obama tërhoqi paralele nga koha e para 25 vjetëve në Poloni dhe situatës aktuale në Ukrainë.

“Pas investimit të aq shumë pasurive dhe derdhjes së gjakut për ta sjellë Evropën së bashku, si mund të lejojmë ne që taktikat e errëta të shekullit XX ta definojnë këtë shekull të ri”, theksoi ai.

Më tutje, presidenti Obama shtoi:

“Ukrainës së lirë dhe të pavarur i duhen lidhje të fuqishme dhe tregti në rritje me Evropën, Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara, dhe me pjesën tjetër të botës. Meqë populli i Ukrainës po kërkon liri dhe mundësi të njëjta dhe progresin, të cilin ne e gëzojmë këtu, edhe ata e meritojnë këtë”.

Fjalimin e Obamas e ndoqën afro 6 mijë njerëz, të cilët shpeshherë e ndërprisnin fjalimin me duartrokitje frenetike.

Më herët, gjatë ditës, presidenti Obama u takua me presidentin e zgjedhur të Ukrainës, Petro Poroshenko, me ç’rast theksoi se ai ka shprehur gatishmëri për të punuar me të gjitha rajonet e Ukrainës.

“Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim përpjekjet e Ukrainës. Fakti se ka pasur zgjedhje më 25 maj dhe se tash e kemi presidentin e zgjedhur, mendoj se na jep mundësi për të lëvizur përpara. Presidenti i zgjedhur i Ukrainës ka paralajmëruar vullnetin e tij për të punuar me të gjitha rajonet e Ukrainës, për të krijuar një rregull kushtetues, që i përfaqëson të gjithë popujt”, potencoi Barack Obama.

Ai u shpreh se presidenti i zgjedhur, Petro Poroshenko, është i interesuar për raporte të mira me Rusinë:

“Ai ka thënë se është i interesuar në ushtrimin e raporteve të mira me Rusinë. Por, ajo që ka thënë ai – e që është drejtë të thuhet – është se sovraniteti i Ukrainës nuk duhet të sakrifikohet në atë përpjekje dhe ne plotësisht e mbështesim atë në këtë aspekt”.

Presidenti amerikan u tha gazetarëve se Poroshenko ishte”zgjedhje e mirë” për ta udhëhequr Ukrainën gjatë asaj që Obama e përshkroi si “periudhë të vështirë”.

Barack Obama tha se me Poroshenkon ka diskutuar se si Uashingtoni mund të ndihmojë për ta stërvitur ushtrinë ukrainase, për sundimin e ligjit dhe për mënyrat që Ukraina ta reduktojë varshmërinë e saj energjetike nga Rusia.

Njëherësh me takimin Obama – Poroshenko, Shtetet e Bashkuara kanë shpallur se do t’i dërgojnë Ukrainës pajisje shtesë në vlerë prej 5 milionë dollarësh për të ndihmuar në luftën kundër separatistëve të armatosur pro-rusë në pjesën lindore të Ukrainës. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG