Ndërlidhjet

logo-print

Limaj: Ta kthejmë Kosovën në vend të mundësive


Fatmir Limaj

Fatmir Limaj

"Në tërësi, ne duam që ndaj këtij vendi të ndërtohet qasja ndaj shtetit, qasja ndaj institucionit, të hapen perspektiva të reja dhe mundësi të reja, dhe përfundimisht të fillojmë të merremi me vetveten dhe t'i japim peshë dhe rëndësi punës, mundësive për të punuar njerëzit", thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Limaj, pse qytetarët duhet t'ju votojnë juve?

FATMIR LIMAJ
Janë qindra arsye pse qytetarët duhet të votojnë, qoftë për Nismën, por edhe për vetë ndryshimin. Së pari, gjendja aktuale. Kosova është duke e kaluar një krizë të madhe ekonomike dhe Kosova është duke e kaluar një krizë institucionale për shkak se qasja e deritashme dhe mentaliteti qeverisës ka degraduar institucionet e këtij vendi.

Ju jeni dëshmitarë të kësaj gjendjeje me të cilën po ballafaqohemi. Për katër vite nuk kemi ndonjë lëvizje apo ndonjë ndryshim të gjendjes. Nuk ka hapje të mundësive, njerëzve është duke ju humbur shpresa.

Dhe, të rinjtë tanë, me shumicë, tentojnë të largohen nga vendi për shkak të mungesës së perspektivës. Do të thotë, në tërësi, ne duam që ndaj këtij vendi të ndërtohet qasja ndaj shtetit, qasja ndaj institucionit, të hapen perspektiva të reja dhe mundësi të reja, dhe përfundimisht të fillojmë të merremi me vetveten dhe t'i japim peshë dhe rëndësi punës, mundësive për të punuar njerëzit. Deri tani e kemi pasur një qasje joserioze ndaj shtetit, ndaj të gjithë fenomeneve me të cilët ballafaqohet shoqëria.
RADIO EVROPA E LIRË
Si Nismë, jeni shumë kritik ndaj qeverisjes së deritashme, por deri vonë edhe ju keni qenë pjesë e strukturave të kësaj qeverisjeje. Pse e bëtë tash këtë, pse jo më herët?

FATMIR LIMAJ
Besoj që ju jeni dëshmitarë që ne e kemi bërë këtë qysh në fillimin e mandatit të dytë. Nganjëherë ka keqkuptim të qeverisjes. Qeverisja e mandatit të dytë e ka marrë votën mbi punën që ka bërë në mandatin e parë dhe ka marrë qeverisjen edhe në mandatin e dytë. Ne sot po ja japim notën ose po e vlerësojmë ose po kritikojmë mandatin e dytë të qeverisjes.

Sepse kjo qeverisje përmes mandatit të dytë kërkon ta marrë mandatin e tretë, kështu shkon në demokraci. Dhe ne jemi shumë të pakënaqur ose më mirë të themi kritik ndaj kësaj qeverisjeje të mandatit të dytë, e kemi pasur që nga themelimi i saj.

Në fakt, si rezultat i kësaj qeverisjeje të mandatit të dytë, ne jemi këtu ku jemi sot, me një subjekt dhe alternativë të re politike, duke mos u pajtuar me shumë gjëra që kanë ndodhur atje. Ne thjeshtë po bëjmë një analizë të situatës. Ne nuk jemi të interesuar të bëjmë me gisht, por thjeshtë një analizë të gjendjes aktuale në të cilën gjendet vendi.

Unë e përmenda edhe pak më herët, dhe po e përsëris vendi sot është në një krizë të madhe ekonomike. Një krizë të madhe institucionale. Për katër vite kemi parë një joseriozitet dhe një qasje joserioze ndaj shtetit dhe secilit institucion. Ndaj qasjes në ndërtimin dhe konsolidimin e një shteti ligjor.

Janë këto dhe qindra arsye tjera, të cilat na bëjnë të besojmë që Kosova, më shumë se çdo gjë tjetër sot, ka nevojë për ndryshim. Për një qeverisje ndryshe dhe për largimin e këtij mentaliteti qeverisës, dhe në fakt për futjen në opozitë.

Në demokracitë sikurse që është Kosova, demokracitë e brishta, ka nevojë të bëhet rifreskimi dhe ndërrimi i pushteteve. Shtatë vite janë shumë. Kjo qeverisje ka treguar në këto 4 vite që shkuan që kjo më nuk ka as potencial, as energji, as kreativitet, as ide për të bërë më shumë nga ajo që ka bërë në të kaluarën. Prandaj, është e domosdoshme dhe imediate që në Kosovë të ndodh ndryshimi.
RADIO EVROPA E LIRË
Nëse ju ofrohet mundësia, me kë do të pranonit të hynit në koalicion?

FATMIR LIMAJ
Së pari Nisma për Kosovën u ka ikur këtyre premtimeve megalomane që po i dëgjojmë anekënd Kosovës, të pambështetura; pa asnjë argument dhe tregues ekonomik. Ne kemi dalë me disa objektiva, jo shumë, por ato që i kemi, janë të konsoliduara, dhe po i ftojmë qytetarët që ta mbështesin Nismën, e mbi të gjitha boshti i të gjithë asaj që ne mendojmë që është pjesë e programit tonë, është ndryshimi i qasjes ndaj institucioneve.

Kosova ka nevojë për një mentalitet krejt tjetër qeverisës, ta kthejmë vendimmarrjen, debatin në institucione, ta kthejmë respektimin e secilit institucione, të respektohet kompetenca e secilit institucion veç e veç, t’u jepet hapësira e nevojshme të gjitha institucioneve për ta kryer punën e tyre, të mos pengohen në realizimin e detyrave të tyre të përditshme ose afatgjata. Gjithashtu, të ikim nga politika ditore, të kemi një politikë strategjike për interesa strategjike dhe kështu dalëngadalë të fillojë konsolidimi i shtetit.

Kosova fatkeqësisht ka vazhduar të jetë në tranzicion. Ne duam që ky tranzicion të përfundojë dhe kështu dalëngadalë të fillojë konsolidimi i shtetit dhe nga një situatë e mbijetesës, që është vendi ynë, të kalojë në një situatë të konsolidimit, dhe dalëngadalë edhe të zhvillimit të ekonomik. Këto janë arsyet pse duhet të votohet Nisma për Kosovën.
RADIO EVROPA E LIRË
Keni ndonjë preferencë tash për tash për koalicion?

FATMIR LIMAJ
Ne nuk kemi preferenca. Ne presim verdiktin e popullit, presim qytetarët e Kosovës të vendosin më 8 qershor. Ajo që ne po kërkojmë nga qytetarët, ose po sensibilizojmë, ose po përfaqësojmë është që qytetarët e Kosovës më 8 qershor të dalin masivisht në zgjedhje dhe të votojnë për ndryshimin.
RADIO EVROPA E LIRË
Jeni zotuar se do ta luftoni korrupsionin, krimin e organizuar dhe do të vendosni një formë tjetër qeverisjeje. Cili është hapi i parë që do ta bënit në këtë drejtim?

FATMIR LIMAJ
Gjëja e parë është ndryshimi i qasjes ndaj institucionit dhe sundimit të ligjit. Njerëzit duhet të marrin përgjegjësi, njerëzve duhet t’ju ofrohen hapësirë, kushte, njerëzit nuk duhet të pengohen për të kryer punën e tyre dhe duhet të futet urgjentisht instrumenti i përformancës, matja e punës për secilin veç e veç.

Në shoqëritë demokratike çdo ditë luftohet për vend punë vetëm të ne jo. Ne duam të krijojmë kulturën e punë që nga niveli qendror pavarësisht çfarë institucioni drejton e deri në nivelin më të ulët secili të matet me performancën dhe të vlerësohet mbi bazën e performancës së tij që e ka bërë në institucione qoftë në lokale apo qendrore.

Kjo frymë, unë besoj është ajo që pastaj fillon ndryshimi, pastaj fillon efikasiteti. Në duam që të kemi një administratë të reformuar dhe efikase dhe kjo administratë mund të vij nëse lejoni të punohet sipas kompetencave dhe ligji që e jep. Dy nëse i mateni rezultatet e punës.

Tre ata të cilët nuk e kryej detyrën e vet që i ka të përcaktuar me ligj të ndëshkohen sipas ligjit dhe ata të cilët kryejnë punën si duhet të vlerësohen dhe stimulohen dhe të ngritën në detyrat e tyre. Vetëm një shpirt garues dhe stimulues brenda përbrenda institucioneve mund ta bëjë një administratë efikase.
RADIO EVROPA E LIRË
Cila është sfida më serioze që ju si Nismë shihni përballë shtetit?

FATMIR LIMAJ
Konsolidimi i shtetit ligjor. Duam që shtetit ligjor të funksionojë aty ku duhet në institucione, sundimi i ligjit të jetë aty përmes institucioneve. Gjykimet publike, linçimet publike, dhe çdo gjë që ndodh sot në Kosovë të kthejmë aty ku e kanë vendin, në gjykata në prokurori t’i leni njerëzit të punojnë punën e tyre. Të ndihmohen ata në punë e tyre. Ndihma ma e madhe bëhet kur behet klima, klima e cila nënkupton që njerëzit vlerësohen nga puna që e kanë kryer.

Ajo që besoj që është shumë e rëndësishme të thuhet është; nëse institucionet tona distancohen qartë nga papuna, ka ardhur koha që të ndahet e mira dhe e keqja dhe të mbështetën punëtorët. Ne jemi në një situatë kur nuk dihet se kush punon dhe kush nuk punon. Shpeshherë vlerësojmë njerëzit që nuk punojnë dhe injorojmë dhe i shkelim ata që punojnë.

Ne, duam që të kemi institucione të cilat qytetari i Kosovës e sheh se ai e respekton punëtorin e respekton njërin që e respekton ligjin, e respekton drejtuesin e institucionit i cili me vet mohim kryen detyrat e veta sipas ligjit.

Kjo pamje është kur ju i vlerësoni i privilegjon ose i stimuloni për punë që e kanë bërë dhe kështu dal ngadalë ndahet e keqja nga e mira. I jepet mbështetje punëtorit dhe shmanget pa punëtori. Me një fjalë ta kthejmë vendi tonë në vend të mundësive. Mundësi duhet t’i jepet secilit, ndërsa se ku do të mbërrijë ai secili varet nga përfomanca dhe puna e tij. Kjo është detyra e shtetit.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG