Ndërlidhjet

Bojkoti në veri, rezultat i prapaskenave


Mitrovicë
Mitrovicë
Lista Serbe do të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës, por fushata zgjedhore e këtij subjekti do të zhvillohet vetëm në jug të lumit Ibër, konfirmon për Radion Evropa e Lirë, Aleksandar Jabllanoviq, kryetar i Listës Serbe.

Ai sqaron se në veri nuk do të zhvillohet fushatë dhe nuk do t’ju bëhet thirrje qytetarëve që të dalin në zgjedhje, për shkak se, siç ka thënë ai, në fletëvotimet për zgjedhje qëndrojnë simbolet e shtetit të Kosovës. Por, sipas tij, në garën zgjedhore, janë të gjithë kandidatët e kësaj liste, përfshirë edhe ata të komunave në veri të Kosovës.

Ne po i thërrasim serbët që të dalin në votime dhe serbët në jug të lumit Ibër do t’i përgjigjen kësaj thirrje. Në veri, nuk do ta bëjmë këtë, por gjithashtu në veri, ne nuk i pengojmë zgjedhjet. As kandidatëve të veriut nuk iu ndalohet, nëse dëshirojnë të garojnë në zgjedhje”.

“Ata janë të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si kandidatë dhe ata mund të marrin pjesë pa problem. Ata edhe do të jenë në listën zgjedhore dhe secili do ta ketë numrin e tij, të cilin ia ka caktuar KQZ-ja. Por, çështja është se votuesit nuk do të dalin në zgjedhje, në masë të madhe”, thekson Jabllanoviq.

Ndaj gjithë kësaj situate, e cila është krijuar me vendimet e Listës Serbe për fushatë zgjedhore vetëm në jug dhe jo në veri, ka reaguar kandidatja e kësaj liste nga Graçanica, Rada Trajkoviq. Ajo edhe më parë pati theksuar se në zgjedhjet parlamentare, fletëvotimet duhet të jenë të njëjta për të gjithë serbët.

Sipas saj, situata e tanishme është rezultat i prapaskenave, në të cilat lojtarë janë ata që veprojnë në dëm të zgjedhjeve dhe në dobi të taborit që ka bojkotuar zgjedhjet lokale dhe parlamentare në Kosovë.

“Unë mendoj se largimi i Vulinit dhe pamundësia që ai ta lë njeriun e tij, Nikiqin, në krye të Zyrës për Kosovën, në fakt ka rezultuar me këtë situatë. Në këtë mënyrë Vulin po dëshiron që ta komprometojë, mendoj unë, edhe politikën e Vuçiqit në veri”.

“Me mosdaljen e serbëve në zgjedhje, si dhe me refuzimin që t’i thirrin ata që të dalin në zgjedhje, në esencë, ata po e rehabilitojnë Marko Jakshiqin. Fitues nga e gjithë kjo është Marko Jakshiq dhe strategjia e tij e bojkotimit të gjithë asaj që është e ndërlidhur me institucionet në Prishtinë”, thotë Trajkoviq.

Sipas saj, shumicën e Listës Serbe e kanë krijuar njerëzit e Aleksandar Vulinit, ish-ministër pa portofol në Qeverinë e Serbisë për Kosovën, aktualisht ministër i Punës dhe politikës sociale në qeverinë e Vuçiqit.

Në anën tjetër, Jabllanoviq thotë se janë të gatshëm t’iu bëjnë thirrje serbëve të veriut të dalin në votime, në qoftë se Komisioni Qendror i shtyp 60 mijë fletëvotime për veriun e Kosovës, pa simbole shtetërore dhe neutrale ndaj statusit.

Jabllanoviq thekson se serbët në jug të lumit Ibër kanë votuar në zgjedhjet e kaluara lokale me fletëvotime, të cilat kanë pasur simbolet e shtetësisë së Kosovës, ndërkohë që serbët e veriut jo. Kjo sipas tij, duhet të përsëritet edhe në zgjedhjet parlamentare.

Por, e gjithë kjo situatë a po krijon ndasi qoftë brenda Listës Serbe, qoftë ndërmjet votuesve serbë në jug dhe veri të Kosovës?

Jabllanoviq e mohon këtë, por megjithatë, sipas tij, duhet të respektohen specifikat që i ka veriu i Kosovës:

“Specifika, e cila ekziston në terren, duhet të respektohet. Veriu nuk po kërkon asgjë specifike brenda territorit të Kosovës, por vetëm neutralitetin ndaj statusit”.

Por, Trajkoviq thotë se me gjithë këtë situatë, serbëve nuk po iu bëhet ndonjë shërbim që do të ishte në të mirën e tyre dhe i bën thirrje publike kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të ushtrojë autoritetin e tij te drejtuesit e Listës Serbe nga veriu, që të ata të sillen në përputhje me interesat e serbëve të Kosovës, në përgjithësi, pa dallime rajonale.

“Në këtë mënyrë, serbëve po u bëhet, siç thuhet ‘shërbim nga ariu’ dhe në qoftë se zoti Vuçiq, gjatë këtyre dy ditëve, nuk do të jetë i qartë dhe i rreptë në atë që serbët t’i nxjerrë në zgjedhje dhe këtë situatë ta zbusë deri diku, atëherë unë mendoj se e gjithë kjo është papërgjegjësi ndaj serbëve të Kosovës”, shprehet Trajkoviq.

Ndryshe, Lista serbe i pati ndërprerë aktivitetet parazgjedhore që ditën e parë të fushatës, më 28 maj. Të martën, më 3 qershor, ajo mori vendimin që fushatën zgjedhore ta bëjë në jug të lumit Ibër, por jo edhe në veri.
XS
SM
MD
LG