Ndërlidhjet

Bujqësia do të "lulëzojë" pas zgjedhjeve


Ilustrim
Ilustrim
Zhvillimi i bujqësisë dhe blegtorisë po konsiderohet një nga prioritetet kryesore në programet e partive politike që po paraqesin për zgjedhjet e përgjithshme të tetë qershorit.

Të gjitha subjektet politike kanë dhënë premtime nga më të ndryshmet, për zhvillimin e këtij sektori.

Partia Demokratike do të ketë prioritet edhe vitet e ardhshme sektorin e bujqësisë nëse arrin që të fitojë zgjedhjet e qershorit.

Për këtë, ky subjekt është zotuar se do të investojë 500 milionë euro, gjatë katër viteve, duke hapur 50 mijë vende të reja të punës. Përmes përkrahjes së zhvillimit rural dhe bujqësisë do të ulet importi i produkteve të importuara nga jashtë.

Por, nëse fiton Lidhja Demokratike, kryetari i saj Isa Mustafa, ka premtuar se gjatë qeverisjes së tij, në këtë sektor do të investohen 1.2 miliard euro dhe do të krijohen 120 mijë vende pune.

Lëvizja Vetëvendosje, ndërkaq, për tri vite ka premtuar 270 milionë euro, kurse kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes platformës për bujqësi nga “Drejtimi i Ri” ka premtuar se 7 për qind e buxhetit do të dedikohet për sektorin e bujqësisë.

Me gjithë disa përmirësime që janë bërë viteve të fundit, ky sektor vazhdimisht është konsideruar i harruar dhe shkatërruar nga përfaqësuesit e organizatave joqeveritare dhe ekspertë të kësaj fushe.

Drejtori Ekzekutiv i Iniciativës për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës (IADK), Zenel Bunjaku, për Radion Evropa e Lirë thotë se ka pasur investime në bujqësi, por premtimeve aktuale të partive politike nuk i beson.

“Premtimet e dhëna nëse llogariten vetëm nga buxheti i Kosovës janë të parealizuara, sepse ka kapacitete të limituara të buxhetit për të ndarë këto fonde për bujqësi. Nëse qeveria ka buxhetin 1.5 miliard euro, do të thotë se nuk ka bazë 1.2 miliard euro të investohen për katër vitet e ardhshme në bujqësi. Por edhe 500 milionë euro është shifër e dyshimitë. Mund të jetë premtim jo real, nëse i shikojmë vendet e punës”, thekson Zeneli.

Në anën tjetër, profesori në Fakultetin e Bujqësisë, Halim Gjergjizi, për Radion Evropa e Lirë, thotë se partitë politike premtojnë investime, krijimin e vendeve të reja të punës, por nuk janë premtimet kryesore që kërkohen nga bujqit aktiv.

Ai, vlerëson se partia që do të qeverisë vendin në vitet e ardhshme duhet të punojë shumë edhe në ngritjen e cilësisë se ushqimit, problem ky që sipas tij, nuk vërehet në programet e partive politike.

“Këto premtime nuk janë ato qenësore çka kërkon sot dikush që merret me bujqësi. Interesi i fermerit është se nga puna e vetë a mund të sigurojë të hyra për familjen e tij dhe për të vazhduar biznesin. Pra, sot aktiviteti bujqësor në Kosovë nuk ofron këtë mundësi, pasi kostoja e prodhimit në Kosovë është më e lartë se çmimi i shitjes së produkteve finale në tregun e Kosovës. Pra, shumica e fermerëve punojnë me humbje”, thekson Gjergjizi.

Ndërkaq, Zenel Bunjaku, thekson se sektori i bujqësisë ka nevojë të madhe për investime në infrastrukturën bujqësore, si në akumulimin e ujërave, kurse sektorët më prioritet sipas tij është sektori i hortikulturës.

“Unë mendoj se sektori që ka perspektivë të mirë, është sektori i hortikulturës, posaçërisht duhet të përmenden pemët e imëta, mjedra, manaferra, dredhëza të cilat ka mundësi të bëhen investime shumë, sepse këto produkte shumë lehtë mund të plasohen në treg".

"Sektor tjetër me prioritet është sektori i qumështit, që deri më tani është treguar shumë stabil, por është mirë mos të lihet anash sektori i frutave aromatike të çajrave, edhe pse duket sektorë i vogël ka një perspektiv të sigurt për shkak se eksportohen edhe në tregjet e Bashkimit Evropian”, shprehet Bunjaku.

Sidoqoftë, partia që ishte në pushtet, me gjithë premtimet për të ardhmen, vazhdon të lavdërohet me të arriturat e deritashme.

Nëpër mes zhvillimit të këtij sektori, Partia Demokratike e Kosovës, që ka udhëhequr Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural nga Blerand Stavilevci, thotë se nga periudha 2007 – 2013 ka krijuar 7,072 vend të reja të punës në sektorin e bujqësisë.

Ndërkaq, përmes subvencioneve, thuhet se brenda një viti kanë mbështetur 10 mijë vendet ekzistuese të punës, në përgjithësi për gjashtë vite.

Po ashtu, në platformën “Misioni i Ri”, thuhet se janë mbështetur 60 mijë vende ekzistuese të punës.

Por, me të gjitha këto nuk janë pajtuar partitë opozitare në mandatin e fundit të institucioneve të Kosovës.
XS
SM
MD
LG