Ndërlidhjet

Premtojnë, zhvillim, punësim... simbole të reja


Ilustrim

Ilustrim

Subjektet pjesëmarrëse në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit po zhvillojnë pjesën finale të fushatës parazgjedhore. Tubimet me qytetarë, spotet dhe mesazhet reklamuese nëpër media, shfrytëzimi i rrjeteve sociale, janë aktivitete që dominojnë në këtë fushatë.

Organizatat monitoruese kanë tërhequr vëmendjen jo vetëm për premtime enorme, por edhe për shpenzime enorme, përderisa thuhet se asnjëri nga subjektet pjesëmarrëse nuk është treguar transparent në lidhje me burimin e mjeteve, sidomos gjatë parafushatës.

Sidoqoftë, fushata vazhdon dhe se një ditë para mbylljes së saj, aktivitetet shtrihen në gjithë Kosovën.

Partia Demokratike e Kosovës dhe kryetari i saj, Hashim Thaçi, vazhdojnë të prezantojnë vizionin e tyre për misionin e ri, i cili, mes tjerash, parasheh zotimin për krijimin e 200 mijë vendeve të reja të punës gjatë mandatit të ardhshëm katërvjeçar.

"Tash kemi vënë themelet e shtetit tonë dhe ne, lidershipi i PDK-së, e prezantojmë misionin e ri si një objektivë madhore e zhvillimit ekonomik dhe krijimit të 200 mijë vendeve të reja të punës", është shprehur Thaçi.

Ndërkohë, subjekti më i madh opozitar gjatë mandatit të fundit të institucioneve, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kryetari i saj, Isa Musfata, premtojnë jo vetëm ndryshime në zhvillimin ekonomik dhe zbutjen e papunësisë, por edhe ndryshimin e simboleve shtetërore të Kosovës.

Mustafa është zotuar se në vend të himnit dhe flamurit aktual të Kosovës, LDK-ja në pushtet do t'i kthente simbolet që i kishte propozuar presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova.

"Ne do t'ia kthejmë Kosovës flamurin dardan, si flamurin shtetëror të Republikës së Kosovës, flamurin të cilin e propozoi presidenti Rugova dhe se ne do t'ia kthejmë Kosovës himnin që, po ashtu, e deshi Rugova, 'Kur ka ra kushtrimi n'Kosovë'", ka thënë Mustafa.

Duke e paraqitur veten si alternativë për ndryshimet që i duhen Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj, Albin Kurti, ftojnë votuesit që ta mbështesin këtë subjekt politik, në mënyrë që gjendja në Kosovë të ndryshojë për të mirë.

Kurti mendon se ndryshimi në Kosovë nuk mund të ndodhë përderisa Vetëvendosje të mos vijë në pushtet.

"Me largimin e kësaj qeverie, krijohet mundësia për shërim, e me qeverinë e Vetëvendosjes fitohet garancia për shërim. Ne nuk duam, thjesht, fitore të Vetëvendosjes, ne duam ndryshim të Kosovës, mirëpo për ndryshim të Kosovës duhet të fitojë Vetëvendosje", ka deklaruar Kurti.

Me premtimet për shfarosjen e korrupsionit dhe uljen e shpenzimeve qeveritare para votuesve është zotuar kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Duke luftuar dukuritë negative dhe ulur shpenzimet qeveritare, Haradinaj mendon se do të kursehen para për mirëqenien shoqërore të qytetarëve të vendit.

"Paratë që i ha korrupsioni, sot i kishim pasur për projekte, për shembull për ujin e pijes. Në Kosovë duhet të qeveriset me më pak luks, luks qeveritar dhe jo të mos dihet se sa zëvendësministra janë, sa shpenzime bëhen, kush ha e kush pi e sa herë udhëtohet e kah, sepse këto punë bëhen me njëfarë llogarie",
ka thënë Haradinaj.

Fushata parazgjedhore do të vazhdojë edhe të premten, ndërkaq të shtunën është heshtja zgjedhore, para ditës së votimeve, më datën 8 qershor.

Për pjesëmarrje në këto zgjedhje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 30 subjekte pjesëmarrëse. Ato do të garojnë për 100 ulëse në Kuvend, ngaqë 20 vende të tjera janë të garantuara paraprakisht për komunitetet pakicë.

Partia fituese do të marrë mandatin për formimin e qeverisë e cila, sipas të gjitha kombinacioneve, do të përbëhet sërish nga një koalicion prej partive të ndryshme.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG