Ndërlidhjet

Maqedoni: Regjistrimi i popullsisë, peng i përqindjes së migrimit


Ilustrim
Ilustrim
Largimi i një numri të madh të qytetarëve nga Maqedonia është arsyeja kryesore pse në Maqedoni nuk mund të realizohet procesi i regjistrimit, bën të ditur Zdravsko Saveski, politikolog, sipas të cilit ky realitet paraqet goditje të fuqishme për politikat qeveritare, meqë gjeneratat më të reja shfrytëzojnë çdo mundësi për t`u larguar nga Maqedonia.

“VMRO DPMNE-ja dhe BDI-ja aktruan para opinionit, se tensionet ndëretnike ishin shkaku kryesor që nxitën mosmarrëveshjet mes partnerëve të koalicionit rreth realizimit të procedurës së regjistrimit gjatë vitit 2011. Por, e vërteta që gjithnjë e më shumë del në pah, ka të bëjë me dyshimet se një përqindje e lartë e qytetarëve të Maqedonisë gjatë dekadës së fundit, ka braktisur Maqedoninë. Madje, disa të dhëna janë alarmante meqë, sipas tyre, një e katërta e popullatës del se ka migruar jashtë vendit vetëm gjatë dekadë së fundit”, thotë Saveski.

Ndërkohë, Fati Iseni, ish-anëtar i Këshillit të Entit Shtetëror të Statistikave thekson se procesi i regjistrimit nxit mosbesim te shqiptarët, ngase ata nuk janë të përfaqësuar në pozitat vendimmarrëse në institucionin që është përgjegjës për regjistrimin e popullatës, Entin Shtetëror të Statistikave.

“Sipas analizave, del qartë se çështja e dështimit të regjistrimit ka për bazë arsyet politike. Arsyet kanë të bëjnë me atë se partia politike maqedonase, e cila është në pushtet, VMRO DPMNE, ka akuzuar Lidhjen Social-Demokrate të Maqedonisë se gjoja gjatë regjistrimit të vitit 2002, kjo parti ka lejuar të regjistrohen 200 mijë qytetarë shqiptarë më shumë nga ajo sa realisht ka pasur”.

“Por, realiteti është krejtësisht tjetër, sepse po të përfundonte regjistrimi i filluar gjatë vitit 2011, do të dëshmohej një fotografi krejtësisht ndryshe - se një pjesë e shqiptarëve mbeten të paregjistruar si pasojë e mungesës së dokumentacionit”, thekson Iseni.

Duke iu referuar të dhënave zyrtare të publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikave që publikohen për çdo vit, Iseni thotë se frika qëndron në shifrat e larta të shtimit natyror te popullata shqiptare.

“Në bazë të të dhënave nga Enti Shtetëror i Statistikave, nataliteti është i lartë te popullata shqiptare, derisa shënohet rënie e theksuar e shtimit natyror te popullata maqedonase, gjë që reflekton në uljen e përqindjes te popullata maqedonase dhe njëkohësisht shënohet një ngritje solide te popullata shqiptare”, shton Iseni.

Ndërkaq, Biljana Bejkovska, nga sektori civil, gjatë një debati për çështjen e dështimit të realizimit të procesit të regjistrimit, tha se regjistrimi i popullatës është një proces shumë i rëndësishëm për planifikimin e drejtë të politikave zhvillimore të vendit dhe si i tillë, nuk guxon të bjerë viktimë e politikës.

“Regjistrimi nuk guxon të jetë viktimë e kësaj elite politike dhe sjelljes së tillë, lojës vetëm me numra etnik, sepse regjistrimi është shumë i rëndësishëm, është operacion thelbësor për shtetin në aspektin e planifikimit dhe realizimit të politikave të suksesshme në të gjitha lëmit e shoqërisë”, vlerësoi Bejkovska, nga “Info Qendra”, organizatë kjo joqeveritare, e cila ka filluar me promovimin e një fushate “Regjistrimi duhet bërë tani”

Nga ana tjetër, Zdravko Saveski thotë se regjistrimi nuk mund të realizohet, sepse për realizimin e këtij procesi, nuk janë të interesuara autoritetet qeveritare dhe për të kamufluar mungesën e vullnetit që ta realizojnë këtë proces, fshihen pas problemeve teknike lidhur me procedurat e regjistrimit.

“Përfundimisht, procesi i regjistrimit është i mundur në Maqedoni në çdo kohë, nëse për realizimin e këtij procesi kanë vullnet partitë politike të cilat janë në pushtet. Por, duket qartë se për një gjë të këtillë ato s`janë të interesuara, sepse rezultatet e regjistrimit të popullatës do të nxjerrin në pah një realitet tepër të hidhur, përkatësisht numrin shumë të madh të atyre që janë larguar nga Maqedonia, pavarësisht cilit etnitet i takojnë”, vlerëson Saveski.

Gjatë vitit 2011 në Maqedoni kishte dështuar realizimi i procesit të regjistrimit, si pasojë e mosmarrëveshjeve, të cilat u shfaqën ndërmjet anëtarëve të Komisionit Shtetëror për regjistrim dhe ky proces u shty për gjashtë muaj më vonë.

Por edhe pas tre vjetësh Maqedonia mbetet vendi i vetëm në Evropë ku nuk është bërë regjistrimi i popullsisë.
XS
SM
MD
LG