Ndërlidhjet

Dy trupa të pajetë nxirren nga rrënojat


Obiliq, 6 qershor 2014

Obiliq, 6 qershor 2014

Dy persona kanë humbur jetën dhe rreth 14 të tjerë janë plagosur nga shpërthim që ka ndodhur të premten brenda objektit të Termocentralit “Kosova A”.

Arsim Gërxhaliu, drejtor i Insitutit të Mjekësisë Ligjore ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se personi i tretë i kërkuar në vendin ku ka ndodhur shpërthimi të Termocentrali Kosova A, është gjetur i vdekur.

“Sapo kemi gjetur edhe një tjetër person të vdekur”
, ka thënë shkurt Gërxhaliu.

Shpërthim që ka ndodhur të premten në Repartin e Elektrolizës në Termocentralin Kosova A, ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në termocentral dhe në vendbanimin afër termocentralit.

Në orët e para pas shpërthimit, njoftimet zyrtare flisnin për tre persona të vdekur.

Pjesëtarë të Kërkim-Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë arritur që në orët e pasdites të nxjerrin dy persona të pajetë nga vendi i fatkeqësisë.

Në një komunikatë për opinion, FSK-ja ka bërë të ditur se njëkohësisht "Kompania e Mbrojtjes Kimike Atomike dhe Biologjike (MKAB), është duke vazhduar të vlerësojë situatën e rrezikut".

FSK-ja ka njoftuar se "Kompania e Mbrojtjes Kimike Atomike dhe Biologjike, e Regjimentit të Mbrojtjes Civile (RMC) të FSK-së ka bërë vlerësimin profesional të situatës në zonën e shpërthimit, dhe ka vlerësuar se nuk ka rrjedhje të mëtutjeshme dhe se nuk ka rrezik për ndonjë shpërthim tjetër eventual".

Ndërkohë, në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës, nga KEK-u janë sjellë 14 persona të plagosur.

Drejtuesit e Qendrës Emergjente kanë thënë se të gjithë të plagosurit janë lëshuar në shtëpi, pas ofrimit të trajtimit mjekësor.

Kurse, sa i takon personit të mbijetuar, i gjetur nën rrënoja, drejtori i Qendrës spitalore Emergjente, Basri Lenjani, ka thënë se ai është duke u trajtuar në spital.

“Për rastin në fjalë, është në gjendje të rënd shëndetësore. Personi është ende në diagnostikim mjekësor. I lënduari është gjetur nën gërmadha dhe bëhet fjalë për lëndime të organeve të brendshme”, ka bërë të ditur Lenjani.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismaili, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se eksplodimi ka ndodhur jashtë objektit të gjeneratorëve dhe të tre gjeneratorët janë të ndalur aktualisht.

Nga ana tjetër, një i ri, i cili ka qenë duke punuar afër objektit të Termocentralit Kosova A, ka treguar për momentet kur ndodhi shpërthimi.

“Copa të hekurit kanë qenë, ka pasur 1 metër me një metër, edhe copa më të vogla. Unë kam qenë duke e larë veturën dhe mjetet më kanë rënë nga dora nga dridhja e madhe”, ka treguar Ahmet Klinaku, banor nga komuna e Obiliqit.

Ndryshe, Termocentrali Kosova A është planifikuar të mbyllet në vitin 2017, në përpjekje për të ripërtërirë sistemin e vjetruar energjetik.

Për shkak të kësaj ngjarjeje, partitë politike në Kosovë kanë pezulluar ditën e fundit të fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen të dielën, më 8 qershor.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG