Ndërlidhjet

Economist: Futbolli – lojë e mrekullueshme, biznes i ndyrë


Brazili 2014
Brazili 2014
Magjia e jashtëzakonshme e Lionel Messit dhe eleganca muskuloze e Cristiano Ronaldos, janë kënaqësi që shihen, shkruan në fillim të artikullit e përjavshmja londineze Economist, dhe vazhdon duke konstatuar se për këtë revistë, e ngjyrosur thellë me internacionalizëm, bukuria e futbollit qëndron në shtrirjen e tij, prej lindjes në perëndim dhe prej veriut në jug.

Futbolli, më tepër se çdo sport tjetër, ka lulëzuar me globalizimin.

Afro gjysma e njerëzve në botë do t’i shikojnë së paku pjesërisht ndeshjet në kampionatin botëror, që fillon në Brazil më 12 qershor.

Por, është pikëlluese që turneu fillon nën një mjegull më të madhe se stadiumi Marakana.

Dokumentet e siguruara nga gazeta britanike, Sunday Times, paraqesin zbulime të dyshimeve për pagesat e fshehta, të cilat Katarit ia kanë mundësuar ta fitojë të drejtën e organizimit të Kupës Botërore në futboll në vitin 2012.

Nëse kjo garë ishte e kurdisur, ajo ka shoqërues, shkruan Economist.

Një raport nga Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA), trupë qeverisëse e futbollit, është thënë se ka gjetur se disa duele ekzibicionale, para Kupës Botërore në vitin 2010, ishin kurdisur. Por, si zakonisht, askush nuk është ndëshkuar.

Kjo vetëm i shtron pyetjet e tjera.

Përse askush në botë nuk ka menduar se a është e mirë ideja që Kupa Botërore të mbahet në mes të verës arabe? Përse futbolli është aq prapa sporteve të tjera, siç janë ragbi, kriketi dhe tenisi, që e përdorin teknologjinë për t’i kontrolluar dyfish vendimet e gjyqtarëve.

Dhe, përse loja më e mirë në botë udhëhiqet nga mediokret e tilla, siç është veçanërisht Sepp Blatter, bosi i FIFA-s prej vitit 1998?

Në çfarëdo organizate tjetër, skandalet e panumërta financiare do të çonin në përmbysjen e tij para disa vjetwsh, shkruan Economist.

Por, më tepër se kaq; ai duket sikur i pashpresë dhe person që nuk i takon kësaj kohe; prej komenteve seksiste për femrat e deri te ndërprerja e heshtjes për Nelson Mandelën, pas vetëm 11 sekondash, ky 78-vjeçar është një lloj i dinosaurusit, që i kishte lënë dhomat e bordeve të korporatave në vitet '70.

Por, është saktësisht e dhembshme që përpjekjet për ta ndalur Blatterin, që të mos e fitojë mandatin e pestë, udhëhiqen nga Michel Platini, burokrat futbolli evropian, që dikur ishte lojtar i mrekullueshëm, por ka luajtur rol fatkeq në mbështetjen e ofertës së Katarit.

Shumë simpatizues të futbollit janë indiferentë ndaj gjithë kësaj. Ajo që është me rëndësi për ta është loja e mrekullueshme, e jo kostumet e vjetra që e udhëheqin futbollin.

Do të ishte shumë mirë që FIFA të lirohet nga Sepp Blatter, por kjo nuk do t’i zgjidhë problemet strukturore të saj.

Megjithëqë është juridikisht e inkorporuar si organizatë jofitimprurëse zvicerane, FIFA nuk ka pronar. Ata që mund ta marrin në përgjegjësi, siç janë organizatat kombëtare apo ato rajonale, varen nga paratë e saj.

FIFA ka monopol natyror ndaj futbollit ndërkombëtar. Një entitet sikur ky duhet të rregullohet, por FIFA nuk i përgjigjet qeverisë, shkruan pos tjerash, revista londineze, Economist, në një artikull të gjatë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG