Ndërlidhjet

Rrjetet sociale Twitter dhe Facebook, janë përdorur si mjet marketingu nga subjektet politike, të cilat garojnë në zgjedhjet e 8 qershorit në Kosovë.

Në Twitter dhe Facebook përdoret "hashtag", që është simboli i thurjes (#), për të krijuar vegëz ndërlidhëse. Partitë politike, gjatë kësaj fushate, e përdorën këtë si formë marketingu, duke i pasur për synim gjeneratat e reja, të cilat kalojnë kohë më të gjatë nëpër rrjetet sociale.

#MisioniRi, #MeLevizjen, #DrejtimiRi , #NeMundemi, janë vetëm disa nga parullat e partive politike, që kanë qenë të shpeshta nëpër rrjetet sociale gjatë kohëve të fundit.

Liderët e partive politike dhe kandidatët për deputetë, sipas analistëve në Prishtinë, rrjetet sociale të tyre i shfrytëzuan më së shumti për të kërkuar votën dhe shumë pak për të bërë një prezantim të programit të subjektit politik apo kandidatëve.

Analisti Ymer Mushkolaj në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se mundësia për t’i përdorur rrjetet sociale ka qenë e mirëseardhur për subjektet politike dhe kandidatët për deputet, por që, sipas tij, shumë kandidatë për deputetë i kanë keqpërdorur rrjetet sociale.

“Jo rrallëherë kemi parë nëpër rrjetet sociale të kandidatëve të caktuar, akuza që bënin ndaj rivalëve të tjerë apo një gjuhë, e cila absolutisht i kontribuon tensionimit të situatës. Po ashtu, nuk ishte bërë një thirrje e sinqertë që njerëzit, të cilët ndjekin rrjetet e tyre sociale, për t’i votuar ata eventualisht më 8 qershor”, shprehet Mushkolaj.

Në rrjetet sociale të subjekteve politike dhe të kandidatëve për deputetë, gjatë kohë së fushatës zgjedhore, sipas analistit Mushkolaj, më shumë ka pasur sasi sesa cilësi.

Ai thotë se në shumicën e rasteve kandidatët për deputetë apo liderëve të partive politike është parë duke bërë thirrje për t’i votuar dhe kanë treguar numrat që ata i mbajnë në listat zgjedhore, por që nuk është parë prezantim i programit.

“Pra, më tepër ka pasur një propagandë, nganjëherë edhe me një arrogancë, e cila është vërejtur, por te shumica e kandidatëve dhe liderëve të partive politike nuk kemi parë prezantim të programit e aq më pak debat apo kultivim të debatit rreth programit që ka të bëjë me të rinjtë apo të subjektit politik”, shton Mushkolaj.

Facebook dhe Twitter njihen si rrjetet më të mëdha social në botë. Vetëm Facebook i ka rreth 1.5 miliard përdorues aktivë.

Analisti Krenar Gashi mendon se partitë politike e kanë shfrytëzuar bukur shumë qasjen e tyre në rrjetet sociale dhe popullaritetin e tyre në Kosovë për të promovuar idetë e tyre, por pak programet politike.

“Në rrjetet sociale nuk ka pasur ndonjë debat substancial ndërmjet kandidatëve për deputetë apo simpatizantëve të partive politike, më shumë janë vërejtur të shara dhe këmbim akuzash, sepse është më lehtë që ky shkëmbim akuzash të ndodhë në internet ku garantohet një farë doze anonimiteti”, thekson Gashi.

Fushata parazgjedhore përfundon të premten (sot) në mesnatë, ndërkaq të shtunën është heshtja zgjedhore, para ditës së votimeve, më datën 8 qershor.

Për pjesëmarrje në këto zgjedhje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 30 subjekte pjesëmarrëse. Ato do të garojnë për 100 ulëse në Kuvend, ngaqë 20 vende të tjera janë të garantuara paraprakisht për komunitetet pakicë.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG