Ndërlidhjet

Për dy vjet mbi 35 persona vdiqën në vendin e punës


Ilustrim
Ilustrim
Gjatë dy vjetëve të fundit në Kosovë, numri i punëtorëve që kanë humbur jetën në vendet e punës ka shënuar rritje.

Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tregon se gjatë dy vjetëve në vendin e punës kanë vdekur 34 punëtorë, derisa vetëm në vitin 2013 janë lënduar mbi 45.

“Fatkeqësisht, në vitin 2012 dhe 2013 është shtuar numri i punëtorëve të vdekur në punë dhe aksidenteve në vendin e punës. Në të dy vitet ka pasur nga 17 persona të vdekur dhe ka pasur mjaft të lënduar. Vetëm në vitin 2013 kanë qenë 45 të lënduar, por mund të ketë edhe më tepër, pasi që të gjithë të lënduarit nuk e paraqesin rastin në Inspektoratin e punës”, ka bërë të ditur Ibrahimi.

Sektori i ndërtimtarisë dhe energjetikës konsiderohen të jenë vendet e punës më të pasigurta dhe me shumë rreziqe në Kosovë.

Të premten kishte ndodhur një shpërthimi në Repartin e elektrolizës në Termocentralin Kosova A, ku si pasojë ka pasur punëtorë të vdekur dhe të lënduar.

Përfaqësues të punëtorëve vazhdimisht kishin kritikuar autoritetet e Kosovës për mosinspektim të duhur të kompanive.

Kryetari i Sindikatës së Energjetikës, Izet Mustafa, thotë se ka mungesë të inspektorëve për të bërë kontroll të të gjitha kompanive ku dyshohet se nuk kanë krijuar kushte të sigurta për punë.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Mustafa thotë se shumë kompani nuk respektojnë Ligjin për siguri në punë.

“Në aspektin e përgjithshëm ne shumë herë kemi ngritur çështjen e sigurisë dhe kemi kërkuar që të merren masa të sigurisë dhe pajisjet e vjetra që iu ka skaduar afati të largohen dhe të zëvendësohen me pajisje të reja, por nuk ka pasur mundësi materiale. Shpresojmë që kjo çka ka ndodhur të premten të jetë e fundit, pasi që gjendja është e rëndë dhe shqetësimi është i madh”, thotë Mustafa.

Siguria në punë në aspektin legjislativ në Kosovë rregullohet me dy ligje në fuqi: Ligjin e punës dhe me Ligjin për siguri në punë, mbrojtjen e shëndetit të të punësuarve dhe ambientin e punës.

Kryeinspektori i punës, Basri Ibrahimi, tregon për Radion Evropa e Lirë se niveli i sigurisë në ambientet e punës nuk është në nivelin e dëshiruar. Sipas tij, ka edhe punëdhënës, të cilët nuk i përmbahen Ligjit për siguri në punë, por ka edhe neglizhencë nga ana e punëtorëve, që nuk u përmbahen rregullave.

“Rezultatet nuk janë ato që duhet të jenë dhe ato që ne i presim. Dhe, nëse bazohemi me statistikat e vendeve të rajonit, nuk qëndrojmë më keq se të tjerët, por ne nuk jemi të kënaqur për shkak se edhe një rast i vdekjes në vendin e punës për ne është shumë dhe kjo është e papranueshme”, thekson Ibrahimi.

Dënimet për punëdhënësit për shkak të mungesës së sigurisë në ambientet e punës, sipas Ligjit për siguri në punë, mbrojtje të shëndetit të të punësuarve dhe ambientit të punës, janë nga 100 deri në 20 mijë euro.
XS
SM
MD
LG