Ndërlidhjet

Analistët: Kosova e dha testin e demokracisë


Pamje nga Prishtina
Pamje nga Prishtina
Analistët politikë në Kosovë vlerësojnë se procesi i zgjedhjeve parlamentare, që përfundoi të dielën, është një tregues i mirë i suksesit për Kosovën.

Analistët thonë se mënyra e organizimit të këtyre zgjedhjeve, ka treguar se Kosova është duke shkuar drejt rrugës se një shteti stabil.

Analisti Isamil Hasani thotë për Radion Evropa e Lirë se zgjedhjet e së dielës ishin një test i mirë për vendin.

“Në përgjithësi, patëm një mbarëvajtje të rregullt dhe ishin pakrahasimisht më të rregullta se zgjedhjet e vitit 2010 dhe pjesërisht të zgjedhjeve të vitit të kaluar të vitit 2013. Do të thotë, Kosova shihet se ka avancime në pikëpamje të organizimit të procesit zgjedhor. Mendoj se si proces, ka shkuar mirë dhe është mirë që Kosova të vlerësohet për këtë nga faktori ndërkombëtar”, vlerëson Hasani.

Edhe analisti tjetër, Naim Rashiti, nga Grupi Ballkanik për Politika, thotë se Kosova, me këtë proces zgjedhor, mund të thuhet se ka kaluar edhe një test të pjekurisë dhe demokracisë.

“Mendoj që është një rezultat, një proces shumë më i mirë se në vitit 2010 dhe besoj që është një proces edhe më i mirë se ai i nëntorit të vitit 2013, me disa pengesa të vogla. Reagimi i autoriteteve në disa raste ( ku ka pasur incidente) në Malishevë dhe Skënderaj, është bërë në kohë të duhur”, thotë Rashiti për Radion Evropa e Lirë.

Analistët thonë që edhe procesi i numërimit të votave duhet të bëhet në mënyrë të rregullt dhe të tregohet pjekuri e maturi deri në numërimin e votës së fundit.

Një sukses të madh të këtyre zgjedhjeve, analistët e cilësojnë edhe pjesëmarrjen e komunitetit serb, sidomos në veri të Kosovës.

“Në Zveçan gjendja ishte shumë e mirë. Rendi ishte i mire dhe votimi shkonte në mënyrën më të mirë të mundshme”, thekson Rashiti.

Organizatat vendore, të cilat kanë monitoruar zgjedhjet parlamentare 2014, kanë raportuar për procesin zgjedhor në mbarë Kosovën.

Përmes konferencave për media, ata kanë treguar për disa parregullsi, të cilat, sipas tyre, nuk kanë dëmtuar procesin zgjedhor.

Koalicioni i Organizatave Joqeveritare Demokracia në Veprim ka raportuar për disa parregullsi, të cilët bien ndesh me Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë dhe me praktikat më të mira elektorale.

Votimet familjare, fotografimi i votës, presioni te votuesve për të kuptuar se për kë kanë votuar, mungesa e materialit sensitiv, janë vetëm disa nga parregullsitë, të cilat ishin raportuar gjatë ditës së 8 qershorit.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, procesin zgjedhor e kanë vlerësuar si pozitiv. Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se “zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme të 8 qershorit janë mbajtur në një atmosferë të qetë dhe të pranueshme me një pjesëmarrje të kënaqshme të qytetarëve në të gjithë vendin, përfshirë edhe pjesën veriore”.
XS
SM
MD
LG