Ndërlidhjet

Një komb për terroristët


Irak
Irak
Një vend i ri po shfaqet gradualisht në hartën e botës, shkruan gazeta Independent. Sipas saj, kufijtë e tij janë ende në dyndje dhe nuk duket se do të gëzojë shumë njohje diplomatike në një të ardhme të parashikueshme.

Kryeqyteti i tij duhet ende të identifikohet ose emërohet, por politika e tij ka krijuar tashmë disa karakteristika dalluese.

Ai është jotolerant ndaj çdo gjëje dhe ndaj çdokujt që nuk pajtohet me Vahabizmin, forcën puritane saudite të Islamit sunit. Kundërshtarët e tij fetarë, nëse kapen, mund të kryqëzohen, siç ka ndodhur së fundmi në qytetin Raka në lindje të Sirisë.

Pasi të themelohet si një shtet funksional, amputimet, vrasjet me gurë dhe prerjet e kokave do të bëhen dënime të rregullta. Skllavërimi i vajzave dhe i grave do të bëhet po ashtu i zakonshëm.

Ky komb i supozuar që përshkruan gazeta është Shteti Islamik i Irakut dhe Levant, i cili zë një pjesë të madhe të tokës midis brigjeve të Mesdheut dhe Bagdadit. Nga veriu i Sirisë te lindja dhe verilinjda e Irakut, xhihadistët e Shtetit Islamik të Irakut, Jabhat al Nusra-s dhe grupeve të tjera ekstremiste kanë krijuar oazën e tyre.

Sipas gazetës Independent, mund të ketë diskutime pa fund për arsyet e shfaqjes së një force të tillë dinamike dhe të egër të barbarizmit mesjetar. Fuqia ekonomike e Arabisë Saudite dhe e monarkive të Gjirit mund të ketë luajtur rol në këtë. Dështimi i tiranëve Ba’athist për t’i ofruar popullit të tyre jetë më të mirë dhe shpresë për të ardhmen, ka përgatitur po ashtu terrenin.

Por, një pjesë e rëndë e fajit bie edhe mbi qeveritë e njëpasnjëshme amerikane dhe britanike. Duke shkuar në luftë kundër Saddam Husseinit mbi një teori të rreme, “koalicioni i vullnetit” mund të ketë shkatërruar një regjim të keq, por duke bërë pluhur institucionet e Irakut, ai ka dëmtuar në mënyrë fatale kohezionin e këtij shteti.

Në Siri, duke u dhënë ndihmë ushtarake rebelëve “të moderuar”, Perëndimi u ka dhënë zjarr fundamentalistëve, duke i ndihmuar ata që të arrijnë qëllimet e tyre. Në secilin rast, ashtu si edhe në Libi, Perëndimi ka ndërhyrë vetëm sa për të zhvendosur qeverinë ekzistuese, por jo mjaftueshëm sa për të vendosur kontroll, shkruan Independent.

Me fjalimin e tij në Uest Point, muajin e kaluar, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka treguar se e ka kuptuar këtë, së paku pjesërisht. “Derisa lufta e Sirisë po rrëshqet përtej kufijve, kapaciteti i grupeve ekstremiste që do të vijnë pas nesh, vetëm se rritet”, ka thënë Obama.

Këto forca nuk do të mposhten duke i injoruar ato apo duke shpresuar se ato do të largohen. Por, si do të munden ato, marrë parasysh se përpjekjet e fundit kanë qenë kundërproduktive?! Ky është një debat që duhet të nisë, shkruan gazeta Independent.
Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG